Futboll

Kosova pranë historisë, fiton dhe kap kreun e grupit

Vetëm pak vite ka që është krijuar si ekip, por tashmë Kosova mund të ëndërrojë. Ekipi përfaqësues kosovar ka fituar 3-1 përballjen me Maltën mbrëmjen e së enjtes, e vlefshme për Ligën D të  kompeticionit Uefa Nations League, duke marrë kryesimin e grupit . Sfida e dytë stadiumin “Fadil Vokrri” ka qenë me të vërtetë spektakolare dhe Kosova ka dominuar që nga minuta e parë deri tek e fundit.

Që në startin e ndeshjes, duke shfrytëzuar mbështetjen e publikut, Kosova merr në kontroll lojën. Pas disa rasteve të humbura, në minutat e para për shkak edhe të mungesës së eksperiencës, ndeshja do të zhbllokohej në minutën e 30-të. Është mesfushori i Zyrich, Kololli që çoi topin në rrjetë, pas një asisti perfekt nga ana e Valon Berishës. Pas këtij goli, Kosova vijoi të dominonte, duke mos i lënë asnjë hapësirë ekipit maltez deri në fundin e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë Kosova e nis pak me vonesë dhe nga kjo gjë përfitojnë më së miri miqtë. Në minutën e 51’, Malta do të barazonte ndeshjen. Por ky rezultat  nuk do të zgjaste shumë, pasi Kosova do të hidhej e gjitha në sulm për të kaluar sërish në avantazh. Golin e dytë për vendasit do e shënonte në minutën e 68’ sulmuesi shtatlartë, Vedat Muriqi. Pas avantazhit ndeshja nuk ka më histori, pasi Kosova dominon në çdo aspekt dhe u përpoq me disa mënyra për të gjetur edhe golin e sigurisë. Ai do të vononte, por do të shënohej nga lojtari më i mirë në fushë, Kololli. Mesfushori që luan në superligën zvicerane, e shënoi golin e tretë në minutën e 81’, duke kompletuar kështu ndeshjen e tij me përfaqësuesen kosovare.

 Me këtë fitore Kosova shkon në kuotën e 7 pikëve dhe kap kreun e grupit, duke u bërë pretendentja kryesore për të avancuar në raundin tjetër të këtij kompeticioni, ku është mundësia unike për të prerë në biletë për në kampionatin europian “Euro 2020”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë