Ne rrjet

Kosova në Bruksel: Ne heqim taksën, Serbia të njohë pavarësinë

Në takimin e tij të parë zyrtar në Bruksel, delegacioni shtetëror nga Prishtina ishte i vendosur për mos t’u tërhequr nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe, derisa Beogradi të njohë pavarësinë e Kosovës.

Biseda mes përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherinit dhe dy kryenegociatorëve Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti zgjati më shumë se një orë dhe përfundoi me një deklaratë për media, ku të dyja palët ranë dakort për vazhdimin e takimeve të nivelit të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Sapo përfunduam takimin me zonjën Mogherini ku prezantuam rolin e këtij delegacionit. Dua të theksoj se jemi të gatshëm të zhvillojmë dialogun që çon në njohje reciproke”, deklaroi Ahmeti. Kryetari i PSD-së ka theksuar se me normalizim nënkupton mbylljen e të gjithave çështjeve të hapura mes Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë këtu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ahmeti ka bërë të ditur se një ndër temat kryesore të këtij takimi ka qenë taksa ndaj mallrave serbe. Sipas tij delegacioni shtetëror i Kosovës ka qëndruar i vendosur për të mos u tërhequr nga ky vendim.

Pas takimit, Mogherini tha se është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbia.
"Ky takim ishte një mundësi për të biseduar me përfaqësuesit e Kosovës lidhur me dialogun. Në këtë kontekst, ritheksojmë urgjencën për shfuqizimin e tarifës doganore, të vendosur nga Qeveria e Kosovës", thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e Mogherinit. "Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut, kërkon një klimë që kontribuon në marrëdhënie të mira fqinjësore, ku marrëveshjet e arritura më herët duhet të respektohen dhe zbatohen dhe veprimet e deklaratat, që nuk janë në interes të përgjithshëm dhe objektivat strategjike të rajonit, duhet të shmangen".

Ekipi i dialogut, i formuar nga rezoluta e votuar në Kuvend më 15 dhjetor, përbëhet nga Blerim Shala, Avni Arifi, Shpend Ahmeti, Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Enver Hoxhaj, Mahir Jagcilar, Dardan Gashi, Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani. Në takimin e parë të këtij delegacioni , ka qenë i pranishëm edhe Ambasadori i Kosovës në Bruksel. Ky takim ka nxjerrë në pah përplasjen mes ekipit negociator dhe presidentit Hashim Thacci, pak pasi ky i fundit u zotua për heqjen e tarifave ndaj Serbisë.

Fatmir Limaj iu kundërpërgjigj deklaratave të Thaçit për "Washington Post", duke thënë se taksa do të hiqet vetëm pas një marrëveshjeje finale që do të vuloste njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia.

Federika Mogherini

“E bëmë të qartë që tashmë Kosova ka një ekip negociator, dhe jo individë. Ka ekip shtetëror. Ne e thamë edhe gjatë takimet se duhet të zhduket fillimisht shkaqet përse u vu kjo taksë. Serbia duhet të plotësojë shumë kushte që në të tërheqim taksën. Kjo nuk është e njëanshme. Ne jemi në kushte të tilla që bashkëjetojmë me Serbinë. Ka qindra marrëveshje që Serbia nuk i ka respektuar. S’po flasim për fushatën e egër kundër Kosovës”, deklaroi Limaj.

I këtij mendimi duket se është edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, thekson se Kosova hyn në dialog me qëllime të qarta: njohjen e pavarësisë nga Serbia.

“Ky delegacion ka mandat të plotë legal dhe legjitim nga Kuvendi. Kosova është e gatshme dhe e vendosur për dialog me Serbinë. Vendimet që do të merren do të jenë në respekt të plotë të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe në koordinim më partnerët tanë perëndimorë, si dhe të gjithë mbështetësit e shtetit tonë. Refuzimi i dialogut nuk është alternativë. As zgjidhje. Për më tepër do të ishte një favorizim i Serbisë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Veseli. “Kosova hyn në dialog me qëllime të qarta: njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB. Nuk do të lejohet asnjë rezultat që dobëson integritetin e shtetit të Kosovës”, shton ai.

Ndërkohë, zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja KociajançiC deklaroi të hënën se ekipi negociator i Kosovës është ftuar për konsultime në Bruksel, por se bisedimet në nivelin e lartë politik, do të vazhdojnë ndërmjet presidentëve Thaçi dhe Vuçiç.

“Konsultimet janë një mundësi për të diskutuar me përfaqësuesit e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që lehtësohet nga BE-ja. Dialogu në nivelin e lartë bëhet ndërmjet dy presidentëve dhe kjo nuk ndryshon”, theksoi Kocijançic

Hashim Thaçi

Thaçi pro heqjes së taksave

Nën presionin e thirrjes së presidentit Donald Trump për firmosjen e një marrëveshjes së paqeje në Shtëpinë e Bardhë, Thaci është zotuar të marrë një hap të madh drejt zgjidhjes së problemeve me Serbisë.

Presidenti i Kosovës bëri një udhëtim ta paraportuar diplomatik në Berlin muajin e kaluar, ku u takua me Ambasadorin Amerikan , Richard Grenell, një person i afërt me Trump. Sipas gazetës amerikane “Washington Post”, Thaçi i premtoi Grenell se Kosova do të anulonte tarifat e vendosura ndaj mallrave serbe.

Në një përgjigje me shkrim ndaj këtyre raporteve, presidenti tha të premten se është “i gatshëm të shqyrtojë heqjen e tarifave për të vazhduar drejt arritjes së një Marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

“Po, tarifat janë një masë e jashtëzakonshme”, tha Thaçi. “Në jemi të gatshëm për t’i anuluar, sidomos nëse marrim mbështetje dhe udhëzime nga partnerët tanë për këtë”, ka thënë Thaçi.

Por pavarësisht vullnetit të tij, ai nuk mund t’i ndryshojë tarifat e vendosura nga qeveria, aq më pak ndërkohë që derisa përballet me kundërshtimin e kryeministrit të Kosovës.

Tarifat e vendosura muajin e kaluar u shoqëruan me krijimin e ushtrisë, duke bërë një Beogradi të paralajmëronte për një ndërhyrje të armatosur në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë