Politike

Kosova mbush 12 vjeç, por ende vuan nga dhimbjet e lindjes

Ora 15:49 e të dielës së 17 shkurtit 2008, do t’i gjente shumë njerëz rrugëve e shesheve duke festuar, shpresëplotë për aktin historik që 109 deputetë të Kuvendit në Prishtinë kishin nënshkruar: Pavarësinë e Kosovës. Nuk kishte shqiptar që nuk gëzonte. Deklarata që e bënte Kosovën shtet të pavarur e sovran, e firmosur mbi një pergamenë 200-vjeçare që e kishte dhuruar Muzeu i Londrës, nuk ishte gjë tjetër veçse zbatimi i propozimit të Marti Ahtisaarit, negociatorit dhe nobelistit të paqes.
Por sot, 12 vjet pas asaj dite, Kosova nuk ia ka dalë të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve të saj. Qeveria Vetëvendosje-LDK mezi u ngrit, pas shumë kohësh negociatash. Kryeministri Albin Kurti, që në ditët e para të kabinetit të tij duket se është vënë nën presionin e opinionit publik, por edhe të ndërkombëtarëve.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, Gazeta Si, 2020

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbeten pa lëvizje të lirë në zonën Shengen, ndërsa BE-ja nuk duket e qartë në strategjinë për integrimin e Kosovës. Gjatë kësaj periudhe 12-vjeçare, Kosova përmbylli mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, nisi dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili akoma nuk ka përfunduar pasi u ndërpre pas vendosjes së taksës 100% për mallrat serbe nga ish-kryeministri Haradinaj,. Kosova themeloi Gjykatën Speciale për Krime Lufte dhe po vazhdon përpjekjet për t'u përfshirë në strukturat evropiane.

https://www.youtube.com/watch?v=PqbtETfsU2M


Sovraniteti
Ky 12-vjetor vjen pas një revolucioni politik për Kosovën. Izolimi disa vjecar dhe korrupsioni endemik bënë që qytetarët e Kosovës të kërkonin një të ardhme të re me Albin Kurtin si kryeministër. Të lodhur nga korrupsioni, mospërfaqësimi në institucione dhe abuzimi me pushtetin, në tetor 2019, ata nuk votuan më për një qeveri të partive të krahut të luftës, mes tyre AAK dhe PDK, që ishte me jetëgjata në qeverisjen e vendit.

Zgjedhje e jashtëzakonshme të shpallura pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj nuk sollën vetëm fitoren e rebelit të skenës politike të Kosovës, por edhe rrëzimin nga pushteti të partive që dolën nga UÇK-ja, të cilat ishin kohët e fundit sa bashkë në kabinet, aq edhe të ndara për çështjet kryesore si taksa ndaj Serbisë apo edhe pakti final me Serbinë.
Pas përfundimit të luftës, dy dekada më parë, figurat politike mbizotëruese në Kosovë kanë qenë thuajse të gjithë burra që u ngritën si luftëtarë dhe e mbajtën pushtetin për shkak të historisë dhe kontributit të tyre të pamohueshëm si pjesë e UÇK-së, pavarësisht se nuk arritën të siguronin një paqe të qëndrueshme dhe zhvillimin e ekonomisë.

Festimi i 1-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Gazeta Si, 2020


Për shumë analistë, Kurti përfaqëson një fillim të ri për Kosovën. Por a do të jetë Albin Kurti në lartësinë e diskurseve të tija politike? As ai dhe as partia e tij Vetëvendosje, nuk kanë mbajtur kurrë pushtet në nivelin qendror. Nga ana tjetër, Kurti ka premtuar fillimisht “reciprocitet të plotë në marrëdhëniet me Serbinë" dhe njoftoi se është gati të “udhëheqë dialogun”. Një pjesë e madhe e politikës së Prishtinë dhe qytetarëve nuk janë ndjerë kurrë të përfaqësuar nga presidenti Thaçi në dialogun me Serbinë, përkundrazi, idetë e tij dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç për shkëmbim territoresh, ka alarmuar shumë prej tyre.
Pas 12 vitesh, Kosova ka një shans të shpëtojë nga trashëgimia e viteve 1990, ndryshe nga fqinjët e saj. Nëse është diçka që shqiptarët e Kosovës e kanë kërkuar me ngulm përgjatë këtyre viteve është drejtësia.

Albin Kurti i ri, Gazeta Si, 2020


Vetë Kurti u burgos nga viti 1999 në 2001, kohë gjatë të cilës ai ka dëshmuar për dhunën sistematike ndaj tij dhe shqiptarëve të tjerë që ndodheshin atëkohë nëpër burgjet serbe. Kurti mbijetoi por dhjetëra mijëra kosovarë nuk ishin aq me fat. Mijëra shqiptarë të Kosovës u vranë, u dhunuan ose u detyruan të largohen nga atdheu i tyre dhe të jetojnë në mërgim gjatë viteve 1990. Shumë njerëz janë ende të zhdukur.
Pavarësisht fakteve, shteti serb nuk ka dënuar asnjë prej kriminelëve të luftës. Të gjitha qeveritë e Kosovës kanë premtuar njëra pas tjetrës drejtësi për familjarët e viktimave, por nuk kanë shkuar përtej premtimeve, duke e bërë popullin e Kosovës të ndihet i papërfaqësuar.

Albin Kurti, Gazeta Si, 2020

Kontrata sociale dhe ndërhyrja e huaj
Shteti i Kosovës ka disa nga ligjet dhe rregulloret më perëndimore në rajon, kjo falë edhe punës së vazhdueshme të përfaqësuesve ndërkombëtarë. Themelet kushtetuese të Kosovës janë të fuqishme, por sovraniteti i saj është ende i paplotë për shkak të ndikimit të fortë politik amerikan dhe të Bashkimit Evropian nga njëra anë, por edhe të lobimit të Serbisë në skenën ndërkombëtare nga ana tjetër.
Ky fakt ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë edhe në situatën e brendshme dhe në mënyrën e udhëheqjes së vendit, si dhe në vetë funksionalitetin e shtetit. Publicisti dhe historiani Jusuf Buxhovi, thotë se sovraniteti i Kosovës do të jetë i plotë vetëm pas anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). “Kjo ka rëndësi, sepse Kosova do të fitonte një legjitimitet tjetër ndërkombëtar”, tha Buxhovi. Sipas tij, udhëheqësit politikë të Kosovës, në përgjithësi, nuk i kanë përmbushur asnjë nga qëllimet për konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Presidenti Hashim Thaci dhe presidenti Donald Trump me bashkëshorten Melani, Gazeta Si, 2020


“Fatkeqësisht, Kosova nuk ka arritur t’u afrohet integrimeve euro-atlantike dhe nuk ka arritur ta rrumbullakosë sovranitetin ndërkombëtar, si dhe në një farë forme edhe sovranitetin dhe integritetin territorial, sepse me Serbinë ende e ka kufirin administrativ dhe jo kufi shtetëror, pa marrë parasysh që është i paprekshëm. Kosova nuk ka arritur as që të ketë një mekanizëm të drejtpërdrejtë për anëtarësim në Bashkimin Europian”, thotë ai.
“Kosova nuk ka arritur të marrë as liberalizimin e vizave dhe as nuk ka arritur të marrë njohjen nga pesë vende të Bashkimit Evropian. Të gjitha këto pengesa po shfrytëzohen nga Serbia. Megjithatë një pjesë të madhe të përgjegjësisë, për gjithë këtë situatë e bartin vetë drejtuesit politikë të Kosovës”, shprehet Buxhovi.

Ushtria e Kosovës, Gazeta Si, 2020

Kosova deri tani, sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, njihet nga 116 vende. Megjithatë, autoritetet e Serbisë, kanë deklaruar se kanë siguruar të paktën 15 tërheqje të pavarësisë nga vende të caktuara.
Publicisti Buxhovi thotë se me rritjen e presionit ndaj Kosovës për heqjen e takës dhe rikthimin në tryezën e bisedimeve, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, nuk kanë arritur të përmbyllin çështjen e Kosovës. Përkundrazi, sipas tij, tashmë oreksi i Serbisë në lidhje me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, është rritur dhe ka filluar ta paraqesë si një lloj gabimi.

Vucic, Thaci dhe Kancelarja Angela Merkel, Gazeta Si, 2020


Konkurrueshmëria, oligarkët
Ashtu si Shqipëria, edhe Kosova ka një problem me oligarkët. Kryeministri Albin Kurti ka kërcënuar tashmë hapur oligarkët e Kosovës madje dhe me emra. Ai ka përmendur koorporatën Devolli, e cila sipas tij kontrollon edhe Doganat e Kosovës dhe që do të goditet së shpejti në paligjshmërinë e saj.
Një prej mënyrave që përmendi Kurti në një emision televiziv ishte edhe praktika gjermane e këtyre rasteve. Ai tha se “në Gjermani ekziston një ligj prej më shumë se një dekade, i cili obligon të gjitha bizneset që të zbulojnë origjinën e kapitalit të tyre përballë çdo investimi dhe prokurimi. “Ne në Kosovë nuk e kemi këtë gjë. Evazioni fiskal merr fund me ne”, tha Kurti.
Kryeministri tha se një e treta e biznesit në Kosovë është e jashtëligjshme.

Pronari i "Devolli Company" dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Gazeta Si, 2020

“Për pjesën e pajustifikueshme do të ketë dhe duhet të ketë konfiskim. Tashmë kemi një koorporatë në Kosovë, kjo është “Devolli”. Kjo koorporatë thuhet se vlen më shumë se gjysmë milardi euro dhe kontrollon edhe Doganat e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Analisti Nijazi Idrizi thotë se përgjegjës për gjendjen ku ndodhet sot Kosova janë oligarkët e saj. “Ata kanë zbatuar politika të mbrapshta të cilat i kanë shkaktuar vendit pasoja të mëdha, ndër të cilat janë: Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi; Asociacioni i Komunave Serbe; dështimi i vendosjes së rendit në Veri të Kosovës; themelimi i Gjykatës Speciale; dështimi i reformave të Qeverisë, gjykatave dhe i sistemit zgjedhor; dështimi i projektit të Brezovicës dhe Trepçës dhe dështimi total i zhvillimit dhe afirmimit të Kosovës si shtet demokratik”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë