Kosova

Kaos në Kuvendin e Kosovës, Kurti kërkoi kohë për konstituimin, opozita e godet me vezë

Gazeta Si – Kuvendi i Kosovës u mblodh sërish këtë të shtunë për seancën e konstituimit të drejtuar nga deputeti më i moshuar, Avni Dehari. Ai ftoi kryeministrin Albin Kurti që të jepte propozimin për kryeparlamentar.

Por Kurti ashtu si ditën e djeshme tha se akoma nuk kishte arritur një marrëveshje për emrin e presidentit në mënyrë që të evitoheshin sërish zgjedhjet e parakohshme dhe për këtë arsye kërkoi më shumë kohë për të dhënë një propozim për kryeparlamentar.

“Takimet dhe komunikimi i imi si kryeministër në detyrë dhe kryetar i Vetëvendosjes, kanë vazhduar dhe nuk kemi marrëveshje, në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet kërkojmë më shumë kohë”, tha Kurti.

Në këtë moment në Kuvend pati tensione nga ana e opozitës që shprehu pakënaqësi për situatën. Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj ka goditur me vezë Kurtin dhe seanca u ndërpre.

Për pasojë, drejtuesi i seancës, Avni Dehari ndërpreu punimet e seancës pa dhënë një afat për rimbledhjen e tij.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Seanca vjen në një kohë kur partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Ndërkohë, partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar dhe organizata joqeveritare kanë argumentuar se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka skaduar në mesnatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë