Opinion

Këshilla e shkrimtarit serb për Albin Kurtin: Padite Serbinë për genocid

Nga Milos Ciric – Të hënën mbushen 12 vite qëkur Kosova shpalli Pavarësinë, aq shumë të luftuar me Serbinë. Vitet e adoleshencës për të fillojnë me shpresë tani që Albin Kurti është zgjedhur Kryeministër i vendit.

Megjithëse një fytyrë e vjetër në skenën politike, Kurti përfaqëson një fillim të ri për Kosovën. As ai dhe as Vetëvendosje nuk kanë qenë kurrë në pushtet në nivel qendror.

Ai u zgjodh me një platformë që shumë media në Serbia e quajtën “nacionaliste” dhe “populiste”, por në kontekstin atyre që kanë ndodhur vitet e fundit në Kosovë, kjo ishte jo vetëm e gabuar, por edhe e pakuptimtë për votuesit që e renditen partinë e tij të parën në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Nacionalizmit” të Kurtit nuk duhet t’i hiqet një paralele e rreme me nacionalizmin e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, sepse kjo ushqen narrativën se të gjithë janë fajtorë për atë që ndodhi në vitet ’90. Jo të gjithë nacionalizmat në Ballkanin Perëndimor janë njësoj. Shumë prej tyre, të paktën në fillim lindën si reagim kundër agresionit të Serbisë dhe të katër luftërave që ajo ndërmori nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit.

Në fjalimin e parë si Kryeministër para Kuvendit të Kosovës, Kurti me të drejtë tha se Qeveria e tij ishte gati që të padisë Serbinë për genocit dhe krime lufte gjatë luftës së Kosovës. Ai premtoi edhe reciprocitet të plotë me Serbinë dhe njoftoi se ishte gati që të udheheqë dialogun me të.

Tani, ai drejton Qeverinë dhe Presidenti Thaçi më në fund mund të kufizohet vetëm në ushtrimin e detyrave të tij kushtetuese, që kryesisht janë ceremoniale. Thaçi është parë prej kohësh si Alfa dhe Omega e politikës në Kosovë, sidomos kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë. Me shpresë dhe për të mirën e Kosovë kjo do të ndryshojë.

Me Qeverinë e re, Kosova ka një mundësi që të shkëputet nga drejtimi i atyre që e ngritën mbështetjen popullore mbi politikat dhe trashëgiminë vrastare të viteve ’90, ashtu siç kanë bërë shumë prej fqinjëve të saj.

Kurti është i rrallë mes figurave të tjera politike në Ballkan, si një person që ka vuajtur gjatë luftës, është akuzuar si kriminel lufte dhe si tradhtar, si luftënxitës e deri si hajdut i rëndomtë. Prandaj, Kryeministri i ri nuk duhet të bëjë premtime që nuk mund t’i mbajë. Qeveria e tij ka moralin dhe detyrimin që të bëjë pikërisht atë që u zotua të bëjë. Nëse jo, Kurti do të shndërrohet në një tjetër udhëheqës i Kosovës që pështyn mbi fytyrat e mijëra jetëve të humbura vetëm për të fituar pikë në politikë, ashtu siç ka bërë Thaçi. Padite Serbinë në gjykatë për genocid dhe krime lufte kundër njerëzve të tu zoti Kryeministër! Procesi është vonuar shumë!

Ashtu siç kam shkruar në përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Kosovës, për më shumë se gjysmë shekulli qytetarët e Kosovës kanë qenë subjekt i një racizmi sistematik, diskriminimi, përdhosjeje dhe degradimi nga Serbia me miratimin e heshtur të të gjitha ish-republikave të tjera jugosllave.

Kjo pasoi fushatën e genocidit ballor të organizuar nga Serbia e Millosheviçit, që u përpoq të shfarosë të gjithë popullin. Nëse nuk do të ishte për ndërhyrjen e NATO-s në 199, popullsia e Kosovës sot do të ishte shumë herë më e reduktuar. Brez pas brezi, kosovarët duket se kanë qenë të detyruar që të pranojnë fatin e tyre të pashmangshëm: të jenë subjekt i mëshirës së të tjerëve.

Tani që festojmë 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës le të kujtojmë dy nga shumë persona që ranë me apo pa dëshirë për këtë Pavarësi, 20-vjeçarin Asllan Pireva dhe shokun e tij 19 vjeç, Naser Hajziri.

Pireva dhe Hajziri ishin studentë të vrarë nga policia serbe më 2 prill të vitit 1981 gjatë protestave kundër politikave shtypëse të Serbisë. Kurti ka qenë gjashtë vjeç kur ata vdiën. 16 vite më vonë ai ishte mes atyre që përsëriste të njëjtën fjali, si Hajrizi dhe Pireva, “Kosova Republikë!”, por në një protestë tjetër të studentëve.

Por, pavarësisht vuajtjeve që u lëshuan mbi të nga regjimi i Millosheviçi, që nga burgosja nga 1999 deri në 2001, ku u rrah dhe torturua, Kurti mbijetoi. Mijëra kosovarë të tjerë nuk e kishin këtë fat. Të luash me fatin e tyre tragjik, duke premtuar se do të padisësh Serbinë dhe më pas të mos e bësh do ta diskreditojë përgjithmonë figurën e Kurtit dhe do të minojë të gjithë platformën e tij.

Mijëra shqiptarë të Kosovës u vranë, përdhunuan, ose u detyruan që të braktisnin shtëpitë e tyre dhe të jetonin në ekzil në vitet ’90. Shumë figurojnë ende të zhdukur, përfshirë burra, gra, fëmijë dhe civilë të tjerë që padallim u vranë.

Ne e dimë kush e bëri këtë: skuadrat serbe të vdekjes, që përbëheshin nga ushtria, policia dhe formacionet paraushtarake. E dimë se kush e organizoi këtë: udheqja serbe e Millosheviçit. E dimë kush e mbrojti këtë: shumë prej zyrtarëve aktualë serbë, përfshirë Presidentin Vuçiç.

E dimë gjithashtu se kush e mbështeti: pjesa më e madhe e popullit serb, që mbështetën Millosheviçin në çdo hap, ashtu siç sot mbështesin Vuçiçin. Në zgjedhjet e shtatorit 2000, në pikën më të ulët të mbështetjes popullore për të, Millosheviç sërish mori thuajse 2 milionë vota.

Prandaj, është koha që populli serb të vihet para përgjegjësisë për mbështetjen që u ka dhënë këtyre politikave vrastare për dekada me radhë. Thuhet se serbët ishin në një farë mënyrë të detyruar që të merrnin këto vendime, se ishin të keqinformuar, të varfër dhe të shantazhueshëm dhe se përgjegjësia s’mund të jetë e përbashkët/

Ky këndvështrim relativizues është i turpshëm. Është i dhimbshëm për viktimat dhe familjarët e tyre, përfshirë edhe për viktimat serbe të luftës. Serbia nuk ka dhënë kurrë llogari për krimet që ka kryer, prandaj sot zyrtarët e saj dhe qytetarët e saj lirshëm shprehin racizmin kundër shqiptarëve të Kosovës.

“Bullizmi” serb ndaj Kosovës orkestrohet nga Vuçiç, mediat pranë tij, qeveria dhe opozita, ndoshta edhe duke helmuar jetët e fëmijëve nëpër shkollat serbe. Ky “bullizëm” është pjesë e pandashme e jetës së përditshme të serbëve, duke e shfaqur kudo, në kulturë dhe sport.

Këto sjellje raciste kundër kosovarëve vazhdojnë të shprehen hapur, si nga Qeveria, ashtu edhe nga qytetarët. I sheh përditë nëpër faqet e gazetave, nëpër faqet e librave, nëpër shfaqje të ndryshme kulturore, e deri nëpër meshat e Kishës Ortodokse Serbe, një prej kollonave më të rëndësishme që mbajti regjimin e Millosheviçit. Për këtë arsye, nuk ka asnjë surprizë se përse edhe vetë serbët e Kosovës, gjithashtu viktima të politikave të Millosheviçit vazhdojnë të brohorasin trashëgiminë e tij dhe të pasaardhësve të tij.

Dikur kam deklaruar se politikat naziste të Serbisë ndaj Kosovës në thelb nuk kanë ndryshuaar këto tre dekadat e fundit: Kosova është koloni e Serbisë, asnjë krim nuk është kryer, përveç atyre të kryera nga shqiptarët kundër serbëve, s’ka nevojë për keqardhje, drejtësi, dëmshpërblim apo falje nga Serbia apo populli i saj.

Të thuash të vërtetën mbi shkatërrimin që ka mbjellë shteti serb mbi miliona jetë joserbe të bën pjesë të propagandës antiserbe. Qëndrimi zyrtar i Serbisë nuk ndryshon dhe është me direktiva që nga regjimi i Millosheviçit.

Të gjithë serbët duhet të pajtohen me narrativën e fabrikuar, që vetëm serbët janë viktima, që të drejtat e serbëve janë nën kërcënim të vazhdueshëm në Kosovë, Bosnje, kroaci dhe tani edhe në Mal të Zi. Çdokush që mendon dhe thotë të kundërtën është një tradhtar, mercenar i huaj dhe antiserb.

Ky është problemi i Serbisë, jo Kosova. Por, Kosova nuk duhet të synojë që ta bëjë Serbinë që të ndjehet më mimrë duke e falur dhe harruar mijëra viktimat. Kurti nuk duhet të mbulojë plagët ende të hapura, ndaj të cilave një sy qorr është bërë gjithmonë. Përkundrazi, Kosova, ashtu siç ai ka sugjeruar, duhet të jetë e barabartë me Serbinë dhe me këdo tjetër. Kosova sot është kolonia e askujt.

Edhe mbështetësit e deklaruar të Kosovës, veçanërisht BE dhe SHBA duhet ta pranojnë këtë dhe t’i japin fund përdhosjes së Kosovës përmes kërkesave paafund, që kërcënojnë të fusin qytetarët e Kosovës në një geto sërish. Është koha që Perëndimi të respektojë Republikën e Kosovës, ashtu si çdo vend tjetër sovran.

Por, le të qëndrojmë me shpresë se fëmijëria e tejzgjatur dhe traumatizuese e Kosovë u mbyll dhe tani përpara janë vitet e adoleshencës, me të drejtë plot ankth, por me rritje të vazhdueshme që i drejton njerëzit e saj drejt një të ardhmje të hapur, të shëruar dhe të bashkuar. Gëzuar ditën e Pavarësisë Kosovë dhe paç fat!

Autori është shkrimtar dhe aktivist serb për të drejtat e njeriut. Shkrimi është publikuar në Balkaninsight.com

Më Shumë