Ishte një ngjarje që në çdo rast do të futej në historinë e futbollit kosovar. Por ku ka më mirë që ndeshja e parë ndërkombëtare në nivel ekipesh përfaqësuese të mbyllet më triumf. Kosova ka marrë një fitore historike në stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen e dytë të Uefa Nations League përballë Ishujve Faroe. Do të jetë një fitore që do mbahet mend gjatë për gjithë Kosovën, duke filluar që nga marrja e tre pikëve, por edhe për faktin se tashmë është lider e grupit të saj dhe ka më shumë shanse për të kaluar në raundin pasardhës.
Festa në stadiumin e Prishtinës nisi pa u shënuar golat. Grupimi i ultrasve që mbështet përfaqësuesen e Kosovës “Dardanët”, dhurojnë spektakël. Një portret i madh i presidentit të ndjerë të Federatës Kosovare të Futbolli, Fadil Vokrri i emocionon të gjithë në stadium që ngrihen në këmbë duke duartrokitur legjendën e futbollit kosovar.
Këto momente ndikuan edhe në këmbët lojtarëve, që në minutat e para i dëshmonin qartë emocionet e forta të një përballje të tillë. Pas minutave të para Kosova e merr në dorë ndeshjen dhe kontrollon lojën në çdo aspekt. Pjesa e parë e shikon Kosovën disa herë rrezikshëm në portën e Ishujve Faroe, por pa mundur dot të konkretizojnë. Modestët e Ishujve Faroe nga ana tjetër janë pa pretendime, por ngjeshën fort në mbrojtje për të mos pësuar gol, që ishte objektivi i tyre i vetëm në këtë ndeshje.
Në fraksionin e dytë melodia e ndeshjes nuk ndryshon, pasi është sërish Kosova ajo që komandon. Por në dallim nga pjesa e parë, në 45 minutat e dyta, Kosova është me konkrete para portës. Dhe falë kësaj taktike arrin ta gjejë golin. Do të ishte Arbër Zeneli, i cili me një goditje të bukur e çoi topin në rrjetë, për t’i çuar shifrat në 1-0 dhe ngrinte peshë një stadium të tejmbushur. Me këtë gol, skuadra e Challandes është më e çliruar dhe vetëm pesë minuta më vonë do të dyfishonte avantazhin. Këtë herë ai që shënon është sulmuesi, Atdhe Nuhiu. Një inkursion i nisur nga Rashica u finalizua në mënyrë perfekte nga gjiganti i sulmit kosovar.
Me këto gola ndeshja më pas nuk pati me histori dhe deri në fund Kosova ia del të administrojë këtë fitore shumë të rëndësishme.
Më këtë triumf përfaqësuesja e Kosovës shkon në krye të grupit me 4 pikë, duke qenë se përballja tjetër mes Azerbjaxhanit dhe Maltës u mbyll në barazim 1-1. Kosova është në grup me Azerbajxhanin, Maltën dhe Ishujt Faroe dhe tashmë me këto dy rezultate të para është favorite për të kaluar në fazën tjetër të këtij kompeticioni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.