Futboll

Kosova e nis mbarë, merr një pikë në Azerbajxhan

Barazim, por mund të quhet një rezultat pozitiv, pasi merret një pikë në fushë kundërshtare ndaj ekipit më të fortë të grupit. Kosova ia ka dalë të mbajë një barazim të bardhë pa gola në fushën e Azerbajxhanit në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve për grupin tre të Ligës D.

Skuadra kosovare zbriti në fushë me një formacion plot me surpriza, ku ylli i ekipit Milot Rashica ishte në stol, teksa luante që nga minuta e parë talenti 19-vjeçar, Edon Zhegrova. Azerbajxhani pretendent kërkoi që të imponohej që në minutat e para dhe iu afrua më shumë golit. Por eksperienca e portierit Ujkani bashkë me energjinë e mbrojtësve Paqarada dhe Rrahmani nuk lejuan hapësira në prapavijën e Kosovës.

Në pjesën e parë janë vendasit ata që patën rastet më të shumta për gol edhe pse jo në një rrezikshmëri të madhe. Në 45’ minutat e dyta Kosova nis të reagojë, por sërish ajo që kontrollon lojën është Azerbajxhani. Vendasit e kërkojnë me ngulm golin dhe në disa raste lënë shumë hapësira në mbrojtje që mund të ishin shfrytëzuar më mirë nga sulmuesit e Kosovës, Muriqi apo Celina. Në mesin e pjesës së dytë, tekniku zviceran i Kosovës, Challandes ndërhyn për të bërë disa zëvendësime, duke rifreskuar gjithë linjën sulmuese pas shpinës së Muriqit. Rezultatet e para ndjehen, me Avdiaj dhe Rashica që janë disa herë të rrezikshëm, por pa mundur dot të shkojnë deri tek goli. Të dyja skuadrat deri në minutat e fundit kërkuan që të shënojnë, por pas sukses dhe në fund do duhej të kënaqeshin me nga një pikë në këtë debutim në Uefa Nations League.

Në ndeshjen e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova do të luaj përballë, Maltës, ndërsa Azerbajxhani do të udhëtojë drejt Ishujve Faroe.

Azerbajxhani zbriti me këtë formacion: Agayev, Garayev, Abbasov, Pashayev, Medvedev, Madatov, Makhmudov, Gurbanov, Shedaev, Almeida, Hyseynov.

Kosova zbriti me këtë formacion: Ujkani, Vojvoda, Paqarada, Rrahmani, Aliti, Shala, Kryeziu, Celina, Zhegrova, Zeneli, Muriqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë