Lajme

Kosova e gatshme të arrijë një marrëveshje me Serbinë në Paris

Kosova po shkon drejt samitit të ardhshëm në Paris me një draft-marrëveshje të gatshme për t’u firmosur me Serbinë.

Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit do të takohen në kryeqytetin francez më 1 korrik, të ftuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Delegacioni nga Kosova do të përfshijë kryeministrin Ramush Haradinaj, presidentin Hashim Thaçi dhe liderët e delegacionit të përfshirë në procesin e bisedimeve me Serbinë.

Sipas “IBNA”, Kosova është duke përgatitur tanimë një projekt-marrëveshje që do të negociohet me Serbinë në këtë samit.

Marrëveshja përfshin njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, bashkëpunimin ekonomik, formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në përputhje me legjislacionin e Kosovës, garantimin e të drejtave për shqiptarët në jug të Serbisë dhe thellimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinje në të gjitha fushat. Kryeministri Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje Serbisë që të përqendrohet më shumë në problemet e përditshme të qytetarëve shqiptarë në Serbi dhe e anasjellta.

"Njerëzit tanë duan pajtimin me Serbinë. Presidenti Vuçiç duhet ta njohë Kosovën me kufijtë ekzistues. Ne duhet të përqendrohemi në krijimin e vendeve të reja të punës, qeverisjen më të mirë, luftimin e korrupsionit në vendet tona, në mënyrë që të mund të lëmë paqen për gjeneratat e ardhshme dhe jo luftërat për territoret dhe kufijtë", tha Haradinaj gjatë 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Kryeministri tha se nuk do të udhëtojë në Paris pa një projekt-marrëveshje që do të negociohet me Serbinë dhe që do të përmbajë afate të qarta. Ai ka kërkuar hartimin e një marrëveshje kornizë, e cila sipas tij do të çojë në finalizimin e dialogut.

Sipas mediave në Prishtinë, kjo kërkesë e Haradinaj ka ardhur pas Samitit të Berlinit dhe takimit të mëvonshëm me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila po luan një rol gjithnjë e më të madh në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas kryeministrit, një marrëveshje paraprake, do të përcaktonte vijat e kuqe të dialogut dhe do të ishte me rendësi të aprovohej nga palët dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, që në fillim të bisedimeve të ardhshme.

Ramush Haradinaj, Emmanuel Mcron dhe Angela Merkel

Këshilltarja për media e kryeministrit, Donjeta Gashi ka deklaruar për mediat se Haradinaj po mundohet të japë mesazhin se Kosova është e gatshme për dialog, por duhet të dihet se ku do të shkohet gjatë bisedimeve dypalëshe.

"Termi kornizim që është përdorur nga kryeministri Haradinaj, ka të bëjë me faktin se Kosova duhet të ketë një platformë mbi bazën e të cilës do të dihet se çfarë do të diskutohet, për cilat marrëveshje konkretisht, cili është afati i dialogut dhe çfarë synohet të arrihet me të", shpjegon Gashi.

Ajo tha se pala kosovare nuk ka kushte për dialog, por ka kërkesa. Një element tjetër me rëndësi, sipas saj, është edhe përcaktimi i afatit kohor për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet palëve.

"Kemi pasur progres dhe kemi ardhur në atë fazë ku duhet të vendosen parimet e përgjithshme, duhet të vendosen vijat e kuqe dhe të dyja palët duhet të jenë të qarta se cili është qëllimi i këtij procesi", tha Krasniqi.

"Po shohim se Serbia në mënyrë të vazhdueshme kërkon kompromis dhe kërkon që të shtyjë përpara tezën e shkëmbimit të territoreve, duke bërë çdo gjë që të sabotojë shtetin e Kosovës me anë të lobimit në arenën ndërkombëtare, por edhe retorikën nacionaliste. Por Kosova e ka shumë të qartë kërkesën e saj, që është njohja reciproke", tha Gashi.

Për të vazhduar dialogun në Bruksel, Serbia ka vendosur kusht heqjen e taksës, por, autoritetet në Prishtinë kanë deklaruar se tarifa ndaj mallrave serbe, nuk paraqet pengesë për vazhdimin e dialogut. Sipas Prishtinës zyrtare pengesa qëndron në mungesën e gatishmërisë së Serbisë për ta njohur Kosovën.

Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë amerikanë i kanë bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të gjejnë një rrugë për të normalizuar raportet, por kanë theksuar se nuk do të firmosin çfarëdolloj marrëveshjeje.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metthew Palmer ka deklaruar se nisma Merkel – Macron nuk paraqet zëvendësim të dialogut të Brukselit, por përpjekje për ta rifilluar procesin tashmë të bllokuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë