Analize

Kosova dhe Serbia larg tryezës së dialogut deri në korrik

Edhe pse u zotuan në Berlin për rinisjen e dialogut, as Kosova dhe as Serbia nuk ka gjasa të rikthehen në tryezën e bisedimeve.

Ndërkohë që Parlamenti Europian po shkon drejt zgjedhjeve, të dyja palët duke se do ta vazhdojnë “luftën diplomatike” larg syve të BE-së. Për dy muajt e ardhshëm Brukseli pritet të jetë shumë i zënë me zgjedhjen e strukturave të reja dhe Prishtina e Beogradi duket se janë edhe më larg tryezës së dialogut së më parë.

Gjatë Samitit të Berlinit, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron e lanë në dorë të të dyja palëve nisjen e bisedimeve, por ekspertët thonë se delegacionet serbe dhe shqiptare nuk pritet të takohen përpara samitit të Parisit më një korrik.

Dukje cituar burime diplomatike, gazeta serbe “Danas, shkruan se Beogradi do të vazhdojë të lobojë tek shtetet që kanë njohur Kosovën për të tërhequr këtë vendim. Po ashtu policia serbe ka arrestuar një sërë zyrtarësh serbë të qeverisë së Kosovës, duke acaruar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe presidenti serb

Burimet i kanë thënë gazetës se Federica Mogherini i ka kërkuar edhe Beogradit edhe Prishtinës që të ndërpresin të gjitha lobimet në lidhje me “zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Ajo i ka kërkuar Prishtinës të heqë taksën dhe Beogradit të ndalojë lobimet kundra njohjes së Kosovës.

“Meqë Prishtina refuzon ta heqë taksën, as Beogradi nuk do të heqë dorë nga lobimi për tërheqjen e njohjeve. Pra, nuk ka kurrfarë marrëveshjeje as për heqjen e taksës, e as për ndërprerjen e fushatës së lobimit”, shkruan gazeta.

Përfaqësuesit e qarqeve diplomatike janë mjaft skeptikë se gjatë dy muajve të ardhshëm, deri në samitin e ri në të Ballkanit Perëndimor në Paris mund të ndodhë diçka e rëndësishme në lidhje dialogun Kosovë-Serbi për shkak të zgjedhjeve europiane.

Haradinaj nuk pranon të kthehet në dialog pa përjashtimin nga tryeza e bisedimeve të Mogherinit, ndërkohë që kjo e fundit duket se ka veshtirësuar edhe më shumë situatën duke zgjedhur të heshtë përballë arrestimeve të policisë serbe.

Merkel, Macron, dhe Thaci

Të shtunën autoritetet serbe ndaluan këshilltarin e kryeministrit Ramush Haradinaj, Srdjan Jovanoviç dhe këshilltarin e Ministrisë së Bujqësisë, Srecko Spasiq. Por Bashkimi Europian po vazhdon të qëndrojë i heshtur ndaj këtyre sulmeve dhe nuk ka dalë ende me një reagim tre ditë pas ndalimit të dy zyrtarëve serbë të Qeverisë e Kosovës.

Ndalimi i zyrtarëve serbë, të cilët vijnë nga radhët e Partisë Liberale Serbe të Kosovës, ka filluar që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe është pjesë e strategjisë së Beogadt për të diskredituar Kosovës. Deri më tani 9 zyrtarë serbë që janë pjesë e institucioneve të Kosovës janë ndaluar dhe janë intervistuar nga organet e Beogradit.

Madje Beogradi zyrtar ka ndaluar edhe kreun e Partisë Liberale Serbe të Kosovës Slobodan Petroviç dhe dy bashkëpunëtorët e tij Boban Stankoviç dhe Nebojsha Jakovljeviç, të dy këshilltarë në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale së Kosovës.

Përpos tyre në janar të këtij viti Beogradi ka ndalur edhe dy oficerë serbë të Ushtrisë së Kosovës, të cilët u intervistuan nga autoritetet serbe për disa orë radhazi.

Sulmet e vazhdueshme ndaj serbëve që mundohen të integrohen në jetën dhe organet qeveritare të Kosovës ka bërë që PDK dhe të VV të paraqesin kandidatë për kryebashkiakun e ri të Mitrovicës së Veriut. Fillimi i fushatës nuk ka zgjuar interesim shumë të madh tek serbët që jetojnë në Veri të Kosovës, por PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje janë të vendosura për të sfiduar Listën Serbe në katër komunat veriore.

Haradinaj kërkon dialog pa kushte

Kryeministri Ramush Haradinaj tha pas samitit të Berlinit se nuk do të vendoste masa shtesë ndaj Serbisë, pasi ishte zotuar për vazhdimin e dialogut, por theksoi se nuk do të kthehej në tryezën e bisedimeve me kushte.

Kryeministri i ka kërkuar Bashkimit Europian që të mos e ndërlidhin vazhdimin e dialogut me shfuqizimin e taksës, pasi sipas tij, ky vendim nuk ka të bëj fare me bisedimet Beograd-Prishtinë.
“Është gabim i Berlinit, edhe i Parisit që pranojnë kushtet e Serbisë për heqjen e tarifës, në mënyrë që të vazhdojë dialogu”, tha kryeministri Haradinaj.

Haradinaj tha se taksa nuk është pengesë për dialogun, duke thënë se ai nuk do të pranojë në asnjë mënyrë kushte për të vazhduar bisedimet me Serbinë.

Duke folur në një mbledhje me përfaqësues të shoqërisë civile ai tha se marëveshja më e mirë mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte formimi i Asociacionit të komunave serbe, por pa kompetenca ekzekutive. Ai tha se çdo ide tjetër që çon te modeli i Bosnjë e Hercegovinës përmes krijimit të një republike serbe në Kosovë, do të ishte i papranueshëm për autoritetet e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë