Gazeta Si - Leonard Duka, një nga autorët e dyshuar në vrasjen e ish-policit Santiago Malko në vitin 2019, mik i Ervis Martinajt, është arrestuar në Belgjikë.
Ai është zbuluar falë informacioneve të inteligjencës të siguruar nga "Fast Albania”, ku është konstatuar se fshihej në një banesë private, në një provincë të Brukselit.
Leonard Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare dhe ndaj tij ka masë sigurie arrest në burg për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Santiago Malkos. Pas arrestimit në Belgjikë, do të nisin procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Malko, ish-punonjësi i policisë së kryeqytetit, mbeti i vrarë mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në një atentat të mirëorganizuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së 26-vjeçarit u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.
Për këtë atentat, është dënuar me 25 vite burg Blendi Teta, ndërsa të shpallur në kërkim kanë qenë Leonard Duka, Erlis Duka, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.
Më 17 janar, GJKKO nisi gjyqin ndaj 6 të akuzuarve për vrasjen e Santiago Malkos. SPAK kishte mbyllur hetimet për grupin e konsideruar si 'Klani Duka' që në korrik të vitit 2021, por gjykimi ndaj tyre ishte pezulluar, sepse janë të gjithë në arrati dhe askush i arrestuar.
Leonard dhe Erlis Duka kishin ngritur “perandorinë” e tyre që operonte kryesisht në zonën veri-lindore të Tiranës, por gjithçka ndryshoi në raportet e tyre me grupin e Ervis Martinajt, pasi ky i fundit dyshohet se i mori peng dhe dhunoi fizikisht babanë e tyre për shkak të rivalitetit mes tyre në tregun e lojërave të fatit. Vëllezërit Duka nuk ia falën këtë Martinajt dhe filluan vrasjen e personave pranë tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.