Keshilla

Koronavirusi – Si të ndihmojmë fëmijët të mos humbasin përqendrimin?

Pandemia e koronavirusit është një periudhë e vështirë për të gjithë, por më së shumti për fëmijët që nuk e kuptojnë shumë mirë këtë situatë. Ashtu si është diskutuar vazhdimisht, ngjarje të tilla edhe për fëmijët mund të jenë stresuese, madje mund të shkaktojnë gjendje të vështira emocionale. Gjithashtu, edhe probleme të tjera thelbësore për mirëqenien e shëndetit mendor të tyre, ndër to edhe përqendrimi.
Duke qenë dashur pa dashur gjatë kësaj periudhë mund të dëgjojnë shumë informacione nga prindërit ose nga motrat dhe vëllezërit më të mëdhenj, fëmijët mund të shpërqendrohen.
Por si ti ndihmojmë ata të mos e përjetojnë këtë çrregullim pas një kohe të shkurtër me të cilën nuk janë mësuar?
Terapistja Silvana Gjoni tregon për Gazetën “Si” se përqendrimi i fëmijëve mund të ndryshojë gjatë kësaj periudhe dhe ka prindër që e pyesin vazhdimisht si ta anashkalojnë këtë gjë dhe të vijojnë të rrisin përqendrimin e të vegjëlve të tyre.
“Pjesa më e madhe e prindërve më bëjnë pyetje sesi mund të rrisin përqendrimin e fëmijëve të tyre në detyrë, të respektojnë të tjerët përgjatë të folurit, të mos përplasin dhe hedhin gjërat sa herë që nuk i’u pëlqen diçka dhe të mos pengohen gjatë kohës që po mësojnë një aftësi të re,” shprehet terapistja.

Ekspertja ka krijuar një listë të thjeshtë e cila mund të përdoret nga çdo prind dhe do t’i ndihmojë ata të kenë fëmijë me aspak probleme.
1-Lojërat me fokus përqendrimin. Mbani larg ekranet dhe laptopët, lejojeni fëmijën të luajë me lodrat e tij. Studimet kanë treguar se memoria dhe përqendrimi i fëmijës, që ekspozohet ndaj ekraneve, janë shumë të reduktuara. Madje, fëmija nuk ka as durimin t’ju kthejë përgjigje për atë që e pyesni.
2-Lojrat e të menduarit, si psh: puzzles dhe fjalëkryqet, e ndihmojnë fëmijën të përqendrohet në detyra më lehtë. Vendosni disa gjëra rresht dhe kërkojini t’i memorizojë. Ndryshojuani vendet dhe kërkojini të tregojë se çfarë ka ndryshuar.
3-Sekuencimi. Është një lidhje e qartë mes sekuencimit dhe përqendrimit. Për këtë ju ndihmon aktiviteti i shtrimit të tavolinës apo vendosjes së gjërave në rend alfabetik.
4-Ambienti i përshtatshëm. Krijoni një ambient që është i lirë nga shpërqendrimet. Në fakt, ka fëmijët të cilët reagojnë në mënyrë të ndryshme ndaj ambientit pa stimuj. Hapi kryesor këtu është të kuptoni se cili lloj ambienti e qetëson fëmijën tuaj. Sigurojani atë.
5-Muzika. Zakonisht fëmijët, që ekspozohen ndaj një muzike të qetë dhe monotone, qetësohen.
6-Pajisjet elektronike. Fikni pajisjet elektronike, shmangni shpërqendrimin që vjen prej tyre.
7-Ushqyerja. Sigurohuni të ushqeni shëndetshëm fëmijën tuaj, sidomos nëse ai ka mungesë përqendrimi dhe jo vetëm në këtë periudhë.
8-Kafeina. Shmangeni atë totalisht tek fëmijët. Rrit aftësinë e tyre për të shpërthyer energjinë.
9-Rutina. Bëni një rutinë ditore për të voglin tuaj dhe sigurohuni që ai e di këtë, edhe pse jeni gjatë gjithë kohës në shtëpi. Parashtrojani mënyrën sesi do të zhvillohen gjërat përgjatë ditës. Mund të përdorni dhe fletë A4 për të vizatuar aktivitetet kryesore që do kryhen gjatë ditës.

10-Gjumi. Është provuar se gjumi në drekë për fëmijët, qoftë edhe një orë, është i vlefshëm për t’i shplodhur ata dhe kur të zgjohen, do kenë më shumë energji pozitive.
11-Objektivat. Ndani objektivat më të mëdha në më të vogla, që fëmija të arrijë ti bëjë. Ndihmojeni gjatë këtij procesi. Të dy do motivoheni për arritje reale.
12-Kuptoni. Përpiquni të kuptoni sesi e ka fëmija më të lehtë të mësojë dhe paraqitjani materialet në atë mënyrë. Psh: auditive, vizive ,taktile. Bëni flash cards, pra fleta të vogla që paraqesin me imazh proceset dhe gjërat që duhet të mësojë fëmija. Vizatimi gjithashtu mund ta ndihmojë fëmijën të arrijë një përqendrim më të madh, nëse e keni evidentuar se ky është aktivitet që e pëlqen fëmija.
13-Parapërgatit. Përgatiteni fëmijën tuaj për hapin e rradhës. Psh: Tani ne mbaruam mbledhjet dhe do bëjmë pushim. Pastaj do mësojmë një vjershë së bashku.
14-Kohë e shkurtër. Vendosni objektiva që mund të realizohen për një kohë të shkurtër. Psh, mos i thoni:Nëse bën detyrat gjatë kësaj jave, do shkojmë në park, por Nëse ti i bën detyrat mirë tani, do të bëjmë bashkë një ëmbëlsirë.
15-Shpërble. Kini parasysh se fëmija po mundohet të arrijë diçka dhe madje po sforcohet, kështu që tregojini se jeni i/e gëzuar gjatë kësaj kohe. Për këtë, jepini shpërblime për atë që bën.
16-Lëruni kohë. Edhe ata kanë nevojë të kenë kohën për t’u shpërqendruar. Lejojuani këtë dhe mos i pengoni, nëse fëmija i ka kryer detyrat, është momenti i tij të bëjë pushim.
17-Ora biologjike. Disa fëmijë kanë aftësi më të mirë të përqendrohen më mirë në mëngjes dhe të tjerë në darkë. Gjeni se kur përqendrohet më mirë dhe atëherë filloni të bëni detyrat.
Ekspertja thotë se nëse fëmija juaj mëson më mirë duke e dëgjuar një informacion të caktuar, atëherë paraqitjani në mënyrë të tillë.
“Ka fëmijë që përqendrohen më mirë nëse vendoset muzikë, kështu që bëjeni këtë. Muzika të jetë e lehtë sidoqoftë. Një pjesë shumë e madhe e fëmijëve dhe jo vetëm, përqendrohen më mirë dhe mësojnë më lehtë nëse e lexojnë informacionin me zë të lartë. Mos i pengoni ta bëjnë këtë gjë. Patjetër, që duke i pasur gjërat praktike, i ndihmon të gjithë të mësojnë më shpejt. Kështu që mundohuni, aq sa është e mundur, të ofroni një mjedis eksplorues për fëmijën dhe aftësinë e re që duhet të mësojë,” shprehet ekspertja.
Për çdo pyetje mund të kontaktoni emailin e Gazetës “Si” [email protected] ose të komunikoni drejtpërdrejt me terapisten në [email protected]


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë