Para

Koronavirusi nuk pengon FSHZH të hapë tenderat me vlerë 8.4 mld lek

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria i ka të kufizuara mundësitë financiare për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve dhe të sipërmarrjes në përballimin e krizës së shkaktuar nga mbyllja e aktiviteteve për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por, kjo situatë nuk e ka penguar Fondin Shqiptar të Zhvillimit që brenda dy ditëve të hapë procedurën për pesë tendera me një vlerë totale rreth 840 milionë lek, ose 8.4 miliardë lek të vjetra.

Njëri prej tenderave është hapur me procedurë normale, ndërsa tre të tjerë me procedurë të përshpejtjuar. E përbashkëta është se asnjëri prej tenderave nuk lidhet me projektet e rindërtimit nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Tenderi i parë ka për objekt studimin dhe projektimin e zonës turistike të Golemit, me një vlerë prej 37.6 milionë lekësh. Tenderi është hapur më datë 26 mars dhe mbyllet më 10 prill.

Tenderi i dytë ka për objekt rivitalizimin e rrugës “Andon Profka” dhe hapësirave përreth saj në Bashkinë e Fierit, i hapur më datë 27 mars me një vlerë rreth 123.8 milionë lekësh. Po në këtë datë janë hapur edhe tre tenderat e tjerë, për rikualifikimin urban të bllokut qendër në Kamëz, me vlerë rreth 385.5 mln lekë dhe rehabilitimi i sheshit “Ahmet Zogu” dhe parkut “Geraldinë” në qytetin e Burrelit.

Të tre këta tendera janë hapur me procedurë të përshpejtuar dhe mbyllen këtë të shtunë para orës 14:00.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një organ që ushtron aktivitetin e tij sipas një ligjit të miratuar që në vitin 2009. Ai gëzon statusin e personit juridik jofitimprurës, pavarësisë drejtuese, administrative, financiare dhe teknike.

Neni 8 i ligjit të funksionimit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit përcakton edhe dy burimet kryesore të financimit, që janë buxheti i shtetit dhe të ardhurat e siguruara përmes marrëveshjeve të kredisë ku garante del Qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë