Biznes

Koronavirusi, biznesi i vogël kërkon ndihmë, i trembet postvirusit

Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm duke u shprehur si biznesi që  përfaqëson është më i ndjeshëm ndaj çdo situate të pazakontë thotë se ka nevojë për ndihmën e qeverisë me një paketë lehtësuese fiskale.

Shoqata thotë se i përshëndet masat e ndërmarra nga Qeveria, për mbrojtjen e jetës të qytetarëve por "mbyllja e aktiviteteve ekonomike në shumicën e bizneseve edhe një herë e vë në sprovë biznesin e vogël dhe të mesëm pas tërmetit të 26 Nëntorit.”

Duke përshëndetur Bankën e Shqipërisë për iniciativën që ndërmorri në shtyrjen e afatit 3 mujor për shlyerjen e kredive dhe interesave bankare ndaj individëve dhe biznesit, shoqata kërkon që kjo nismë të aplikohet në mënyrë të menjëhershme.

“Sot problemet ekonomike varen shumë nga kohëzgjatja e pandemisë. Masat për shëndetin publik kufizojnë dhe dëmtojnë aktivitetin ekonomik. Bizneset vazhdojnë dhe paguajnë shpenzimet fikse megjithëse kanë pezulluar aktivitetin ekonomik. Në treg ka ndryshime të mëdha të rregullit ekonomik kërkesë-ofertë.Bizneset do të përballen me krizë parash, rrjedhimisht punëtorët do të ngelen pa punë. Në këto kushte, biznesi është i detyruar ose të marrë borxh para në banka dhe rrugë informale ose të falimentojë.”- thotë Shoqata përmes letrës dërguar Qeverisë dhe për dijeni Ministrisë së Financave duke vijuar më tej se “Lidhja biznes i vogël – biznes i madh do të prishet dhe njëkohësisht  do të shkatërrohen balancat ekonomike. Pas mbarimit të krizës shëndetësore, ekonomike dhe sociale, frika e biznesit është e madhe nga largimi i punonjësve jashtë shtetit. Paniku për një krizë financiare do të çojë në një krizë kredie etj.”

Duke marrë shembuj nga vendet e prekura nga pandemia, si Franca, Italia, Gjermania, Spanja, Kosova etj.të cilat kanë miratuar paketa fiskale shtesë, shoqata vëren se edhe Shqipëria, duhet të miratojë një paketë ekonomike dhe sociale ku detyrimisht përfshihet biznesi i vogël dhe i mesëm.

Deri në mbylljen e krizës shëndetësore sociale dhe ekonomike biznesi i vogël dhe i madh kërkojnë:

–              Qeveria të shikojë sektor pas sektori mundësinë e veprimtarisë ekonomike e varur kjo nga situata në të cilën vendi do ndodhet për shkak të pandemisë.

–              Qeveria të krijojë mundësinë e shtyrjes së pagesave, gjobave dhe detyrimeve fiskale të biznesit ndaj shtetit.

–              Rimbursimin e plotë të pagës së punonjësve.

–              Rimbursimin e detyrimeve për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

–              Shtyrjen e pagesave të energjisë elektrike dhe ujit si dhe taksave vendore.

–              Për bizneset që pësojnë dëme nga kjo situatë, qeveria të gjejë forma për kompesimin e plotë të tyre.

–              Të përjashtohen bizneset nga taksa e pronës deri në përfundimin e krizës.

–              Të kompesohet e plotë pagesa e qerasë si dhe tatimit në burim i qeradhënësit, për të gjitha bizneset të cilat janë qeramarrës.

–              Të shtyhet për një periudhë të caktuar nga ana e qeverisë deklarimet e bilanceve, për shkak të vështirësive të mbledhjes së dokumentacionit nga ana e kontabilistëve.

–              Banka e Shqipërisë të injektojë para në treg për të ulur efektin e krizës.

–              Zbutjen e normave të interesit duke i krijuar bizneseve mundësi më të mëdha kreditimi.

“Në planin afatgjatë, për shkak të krizës si dhe ankimimeve tona të shpeshta për tatime dhe taksa të larta, qeveria duhet të rishikojë edhe një herë një program të një pakete të re fiskale dhe zbutjen e kostove ndaj biznesit. Kjo paketë do t’i krijonte mundësi edhe bizneseve të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.”- thotë shoqata.

Shoqata i bën thirrje biznesit të veprojë me rigorozitet ndaj masave të marra nga qeveria, gjithashtu askush të mos abuzojë me çmimet e produkteve dhe shërbimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë