Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së kanë marrë në shqyrtim gjithçka ka ndodhur në javën e 6-të të Superiores, por edhe në Kategorinë e Parë. Objekt diskutimi ka qenë derbi Tirana-Partizani, ku tifozeria ishte e shumtë në numër dhe për shkak të koreve fyese të tyre Disiplina ka vendosur të gjobisë të dy klubet me nga 100 mijë lekë. Në momente të caktuara gjatë derbit ka pasur sharje në kor nga tifozeritë ndaj njëra-tjetrës, sidomos nga grupimet ultras. Nga klubet e Superiores, Disiplina ka paralajmëruar Kamzën, që dështoi të përmbushte detyrimet e saj në organizimin e ndeshjes me Laçin dhe në rast përsëritjeje do të gjobitet.
Dënimet e Komisionit të Disiplinës kanë qenë më të shumta për ngjarjet e Kategorisë së Parë. Në vëmendje ka qenë ndeshja Burreli-Erzeni, ku trajneri i matjanëve, Stavri Nica, ka akuzuar për kërcënim me jetë kapitenin e Shënkollit, Mirdita. Por duket se “mëkatarët” më të mëdhenj kanë qenë vetë pjesëtarët e Burrelit. Zyrtari i këtij klubi, Demir Çupi, është dënuar me 8 ndeshje pezullim, trajneri Stavri Nica, për sjellje të gabuar, është dënuar me 3 ndeshje pezullim, si dhe zyrtarët e tjerë, Denis Nica dhe Adhorim Lala, janë dënuar me nga 3 ndeshje pezullim. Kurse lojtari i Shënkollit, Emirjon Mirdita, për sjellje të gabuar ndaj kundërshtarit, është dënuar me 2 ndeshje pezullim.
Për ndeshjet e tjera të Kategorisë së parë duhet theksuar se dënimin më të rëndë e ka marrë lojtari i Bylisit, Alfred Zefi, i cili është pezulluar për 6 ndeshje, sepse ka provokuar publikun gjatë ndeshjes me Besën dhe ka ofenduar zyrtarët e ndeshjes. Lojtarët e Pogradecit, Armir Pura dhe Luarts Lame, janë dënuar me 2 ndeshje pezullim për sjellje të gabuar ndaj kundërshtarit. Zyrtari i Apolonisë, Sokol Argjendari, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, është pezulluar 2 ndeshje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.