Policia e Korçës ka arrestuar pesë persona, katër prej të cilëve efektivë në pikën doganore të Goricës, si dhe ka shpallur në kërkim shtatë persona të tjerë me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe lejimin e mallrave kontrabandë.
Në pranga ranë shtetasit me inicialet Sh.D., 35 vjeç doganier pranë Doganës së Goricës, tre punonjës policie Y.Rr., 53 vjeç, B.H., 54 vjeç, J.K., 51 vjeç si dhe një 58-vjeçar me iniciale A.H.
Prangosja e këtyre shtetasve është bërë në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.
Në njoftimin e shpërndarë për shtyp, policia thotë se punonjësi i Doganës në bashkëpunim me punonjësit e policisë të arrestuar tashmë kanë lejuar kalimin e 4 mjeteve tip kamion të ngarkuar me mallra të dyshuara kontrabandë konfeksione dhe goma automjetesh të përdorura, nga Pika e Kalimit Kufitar Goricë duke shmangur detyrimet doganore dhe falsifikuar të dhënat e mjeteve në dokumentacionet e tyre.
Policia thotë se ka sekuestruar mallin e futur kontrabandë dhe se po punon për kapjen e shtatë personave të tjerë të shpallur në kërkim si dhe zbardhjen nëse në këtë skemë kontrabandimi të mallrave ka persona të tjerë të përfshirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.