Treg

Konkurrenca i jep OK Air Albania. Zbardhet misteri, nis rrëmbimi i trafikut!

Sabina Veizaj-Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të miratojë përqëndrimin e kompanisë së re ajrore lokale shqiptare Air Albania. Pas analizës, Konkurrenca thotë se, transaksioni plotëson kriteret e përcaktuara konform ligjeve dhe udhëzimeve përkatëse në fuqi.

Kompania Air Albania sipas dokumentit të Konkurrencës ka një treg përkatës të produktit, dhe tregun përkatës gjeografik, pra; transportin ajror të udhëtareve dhe kargon në linjat direkte.

Ashtu siç Gazeta Si parashtroi në analizën e saj më 25 shtator arsyet e mundshme sepse Turkish Albania do të linte Shqipërinë për të riardhur në një formë tjetër në bashkëpronësi me investitorë lokalë, përgjigjja gjendet në dokumentin e Konkurrencës ku citohet se: “ Shoqëria e re Air Albania SHPK do të fillojë fluturimet në linjën Tiranë-Stamboll dhe anasjelltas dhe më vonë do shtrihet në Romë, Bolonjë, Londër dhe në linjat ndërkontinentale duke plotësuar kërkesën konsumatore për zgjedhje të reja dhe duke rritur shkallën e zëvendësueshmerisë së shërbimit nga ana e ofertës.”

Dokumenti thotë se “Me fillimin e aktivitetit të kësaj shoqërie, Shteti shqiptar do të paraqitet me linjën e vet kombëtare, duke ofruar shërbim në linja të cilat me parë ofroheshin vetëm nga operatorë të huaj. Shoqëria e re pritet të sjellë efekte pozitive mbi konkurrencën në tregun e transportit ajror nëpërmjet çmimeve konkurruese dhe cilësisë së shërbimit. Për sa më sipër ky përqëndrim nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti”

Me mësimin e destinacioneve që Air Albania do të kryejë, duket se zbardhet edhe misteri i krijimit të kompanisë së re nga Turkish Airlines.

Sot Turkish nga Shqipëria ka vetëm një destinacion, fluturime Tiranë -Stamboll, dy herë në ditë me 160 pasagjerë secili, pra me një trafik shumë të ulët krahasuar me kompanitë e tjera.

Gjithë ky “favor” që mendohej se do tu vinte shqiptarve nga një kompani që mban flamurin kuqezi, por aksioner kryesor  ka Turkish Airline me 49 për qind të aksioneve, dhe një kompani shqiptare që nuk operon në fushën e transportit ajror, me 41 për qind, duket se do të jetë autogol për shqiptarët.

Ndoshta në fillimet e saj kompania do të hyjë me çmime konkurruese, por sa do të zgjasë kjo me rrëmbimin e trafikut nga kompanitë e tjera?!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë