Mendim

Kongresmeni amerikan kërkon drejtësi për shqiptarët e Kosovës

Kongresmeni amerikan më pro shqiptarëve, Eliot Engel, ndodhet sot në Kosovë për inaugurimin e ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve do të marrë pjesë edhe në manifestimet me rastin e ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Engel është një mk i vjetër për shqiptarët e Kosovës. Ai ishte ndër ligjvënësit e parë që i bëri thirrje administratës së Klintonit që të ndërhyjë në Kosovë kundër forcave të Presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç. Më vonë ai shtyu Shtetet e Bashkuara të njohin pavarësinë e saj në 2008.

Vizita e tij në Prishtinë vjen pas një takimit me presidentin Aleksandër Vuçiç në Beograd, ku i ka bërë të qartë të heqë dorë nga skenarët kundër Kosovës. Ambasada e Amerikane në Beograd njoftoi se Engel u takua me Presidentin Vuçiç për të diskutuar mbi dialogun me Kosovën dhe ashtu siç edhe pritej i ka kërkuar hapur kreut serb drejtësi për viktimat e konfliktit në Kosovë.

Pas takimit Vuçiç tha se përvec rëndësisë së rifillimit të dialogut, një nga temat që u diskutua ishte gjithashtu rasti i vëllezërve Bytyçi, tre shtetas shqiptaro-amerikanë, trupat e të cilëve u gjetën 18 vjet më parë në një varr masiv në Serbi. Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, ishin anëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Batalioni Atlantik, i përbërë kryesisht nga shqiptarët që jetonin në SHBA, të cilët u bashkuan me luftën çlirimtare të Kosovës në 1998-1999. Në korrik 1999 ata u arrestuan në rrethana të panjohura nga forcat serbe pranë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në Merdare.

Një gjykatë në Serbi, i dënoi ata me 15 ditë burgim, duke i akuzuar për hyrje të paligjshme në Jugosllavinë e atëhershme. Katër ditë pas përfundimit të masës së paraburgimit, ata u nxorën nga burgu dhe u dërguan në Petrovo Selo, një kamp trajnimi të forcave speciale të policisë serbe ku u ekzekutuan. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001 në një varr masiv me duart të lidhura me tela, në mesin e trupave të civilëve të tjerë shqiptarë. Trupat e tyre u transportuan në Serbi në përpjekje për të mbuluar mizorinë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë. Që nga viti 2006, në Serbi u mbajtën dy gjykime mbi vëllezërit Bytyqi, me policët serbë që u akuzuan si të përfshirë në këtë vrasje, por më vonë u liruan. Autoritetet amerikane t i kanë kërkuar vazhdimisht Beogradit të sjellë autorët përpara para drejtësisë.


Eliot Engel me presidentin Aleksandër Vuçiç

E përditshmja serbe “Blic” shkruan se Engel mbërriti në Serbi me dy kërkesa specifike: zgjidhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyçi dhe ndalimin e lobimit kundër pavarësisë së Kosovës.

Një vit më parë, Engel i ka kërkuar Departamentit të Shtetit të bëjë drejtësi për viktimat e luftës së Kosovës. Në një letër drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit Mike Pompeo, republikani argumentoi se pranimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nuk duhet të vazhdojë, nëse kriminelët serbë të luftës nuk vihen pas hekurave.

"Mijëra civilë u vranë, dhjetëra mijëra u përdhunuan dhe qindra mijëra u dëbuan me forcë nga trupat serbe. Megjithëse faktet janë të njohura gjerësisht, pothuajse askush nuk është vënë para drejtësisë në Serbi për këto krime lufte, edhe pse në shumë raste, dëshmitë tregojnë se urdhrat erdhën drejtpërdrejt nga zyrtarër e qeverisë. Kjo është thellësisht shqetësuese" shkruan Engel pas arrestimit të përgjegjësit për vrasjen e tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë, i cili do të lihej më pas i lirë.

Më 18 dhjetor, Beogradi arrestoi Goran Radosavljeviq dhe anëtarët e familjes së tij për shkak të përfshirjes në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut gjatë Luftës së Kosovës 1998-1999. Radosavljeviç ka qenë prej kohësh i dyshuari kryesor në vrasjen e tre qytetarëve amerikanë, vëllezërve Bytyçi dhe krime të tjera të luftës gjatë kësaj periudhe. Ky hap i rëndësishëm, i cili vjen pothuajse 20 vjet pas përfundimit të luftës, ishte një pikë kthese në luftën për drejtësi të familjes Bytyci. Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë konfliktit”, i shkruante Engel, Pompeos. “Së fundmi, edhe pse Serbia përballet me pak ose aspak rrezik ligjor për krimet e luftës, në Kosovë është krijuar një Gjykatë Speciale për të ndjekur penalisht pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne besojmë se kushdo në Kosovë që ka kryer krime lufte duhet të mbajë përgjegjësi, por mendojmë se është e rëndësishme të kujtojmë dy fakte kryesore: Ushtria, policia dhe shërbimet e inteligjencës të udhëhequr nga Millosheviçi kryen shumicën dërrmuese të krimeve gjatë Luftës së Kosovës . Dhe statuti që krijoi gjykatën nuk përcakton që vetëm shqiptarët ose pjesëtarët e UÇK-së mund të ndiqen penalisht. Përkundrazi, ligji është etnikisht neutrale. Kështu, nëse Gjykata padit vetëm shqiptarët, ajo do të shihet si një gjykatë etnike, e cila do të njollosë seriozisht drejtësinë kërkuar për krimet e luftës”, theksonte mes të tjerash kongresmenoi amerikan.

Engel i njohur si një nga mbështetësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës i ka kërkuar disa herë diplomacisë serbe të ndalojë lobimin kundër njohjeve.

"U bëra shumë i njohur në Kosovë sepse njerëzit më panë në televizor duke folur hapur për atë që kishte ndodhur. Sot nuk është e pazakontë që shqiptarët të më ndalojnë në rrugë dhe të kërkojnë të bëjnë fotografi me mua".

Qeveria e Kosovës nderoi Engel duke krijuar një pullë me imazhin e tij në një vulë. Ai gjithashtu ka një rrugë me emrin e tij.

Në një intervistë për Radion Europa e Lirë, ai theksoi sot se Qeveria e Serbisë duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe se do të mbetet i tillë.

Është e rëndësishme që Qeveria e Serbisë të kuptojë se bëhet fjalë për shtetin e pavarur të Kosovës dhe se ky shtet do të mbetet i pavarur. Shpresoj që Serbia dhe Kosova të kenë marrëdhënie të mira, nga të cilat do të përfitonin të dyja vendet dhe do të përfitonte rajoni. Unë do të doja t’i shihja të dyja vendet të pranuara në Bashkimin Evropian dhe mendoj se njëra duhet ta ndihmojë tjetrën. Nuk mendoj se duhet të ketë barriera. Kur bisedoni, ju thyeni shumë barriera. Dialogu është gjithmonë i rëndësishëm dhe mendoj se ai mund të thyejë shumë barriera. Shpresoj dhe i inkurajoj të dyja palët të nisin bisedimet. Nëse nuk ka bisedime, nuk ka përparim, nuk ka lëvizje” , u shpreh ai.

I pyetur për taksën ndaj importeve serbe, ai u shpreh se: Unë kam biseduar me kryeministrin Haradinaj. Ai beson fuqishëm se mallrat e Kosovës, ndoshta jo të gjitha, nuk lejohen në tregun e Serbisë. Nëse diçka, për shembull, prodhohet në Republikën e Kosovës, ajo nuk mund të shitet në Serbi. Zoti Haradinaj mendon se ka taksa ndaj të gjitha mallrave të Kosovës, që nuk u lejohet hyrja në Serbi. Kështu që ai beson se se me vendosjen e tarifës për mallrat serbe, situata barazohet. Ky është interpretimi i tij”

Eliot Engel

"Peja, ky është qyteti i tyre i tretë më i madh në Kosovë dhe bulevardi kryesor ka emrin tim", tha Engel në një intervistë me mediat amerikane.

Një agjenci e krijuar nga Kongresi Amerikan ngrit dy vite më parë një program prej 49 milionë dollarë në Kosovë, një nismë e drejtuar po ashtu nga Kongresmenti Engel.

"Dy dekada më parë, Kosova ishte e veçantë, nuk ishte ende republikë dhe nuk iu dha liria apo aftësia për të formuar shtetin e saj”, thotë ai. "Sa më shumëkohë kaloja atje, aq më shumë fillova të shihja mizoritë. Fillova të shihja se kjo ishte një situatë shumë serioze se njerëzit po kërcënoheshin, madje vriteshin. Unë kam qenë i pari në Kapitol Hill duke thënë se Kosova duhet të jetë një vend i lirë dhe i pavarur ", shprehet Engel. "Çdo amerikan që udhëton në Kosovë pritet me ngrohtësi dhe me mirëdashësi, si asnjë vend tjetër në botë", thotë kongresmeni.

Në një seancë të mbajtur në Kongresin Amerikan për krimet e luftës në Kosovë, krah Vasfije Krasniqit, Engel foli hapur jo vetëm për vrasjet, por edhe për përdhunimet e të rejave shqiptare.

"Që nga viti 2001 në Serbi janë gjetur varre masive që përmbajnë trupat e 941 shqiptarëve të Kosovës, kryesisht civilë të vrarë jashtë situatave luftarake në Kosovë gjatë vitit 1999. Trupat e gjetur në varre masive i takonin jo vetëm meshkujve, por edhe grave dhe fëmijëve. Shkaku i vdekjes së tyre, në shumicën e rasteve, ishte një plagë me armë zjarri, kryesisht në kokë, duke sugjeruar që viktimat nuk vdiqën në luftime, por si rezultat i vrasjeve në stilin e ekzekutimit. Vendimi për fshehjen e dëshmive të krimeve të kryera ishte planifikuar deri në mars të vitit 1999. Sot askush nuk është përgjegjës para gjykatave serbe për operacionet në shkallë të gjerë të fshehjes së trupave të viktimave shqiptare. Me të vërtetë tronditës. 20 vite më vonë askush nuk është dënuar për këto krime”, u shpreh Engel. “Po ashtu Beogradi është përgjegjës për përdhunim të dhunshëm të deri në 20,000 femra kosovare. Përdhunimet nuk ishin akte të rralla dhe të izoluara të kryera nga forcat individuale serbe apo jugosllave. Ato u përdorën qëllimisht si një instrument për të terrorizuar popullsinë civile, për të marrë para nga familjet e tyre dhe për t’i shtyrë njerëzit të iknin nga shtëpitë e tyre”, përfundoi kongresmeni amerikan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë