Futboll

Konflikti Armeni-Azerbajxhan rrezikon edhe miqësoren e Shqipërisë

Lufta rrezikon edhe sfidën miqësore të muajit tetor që do të zhvillojë kombëtarja shqiptare ndaj Armenisë, takim i planifikuar për t’u luajtur në kryeqytetin armen, Jerevan. Shkak është lufta mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për provincën e Nagorni-Karabak.

Nagorni-Karabak shërben si një korridor për tubacionet botërore të naftës dhe gazit. Sikur të mos mjaftonte kjo, luftimet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë kërcënojnë të përfshijnë lojtarët rajonalë si Rusia, e cila është në një aleancë ushtarake me Jerevanin dhe Turqinë, e cila mbështet Bakun. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për fillimin e dhunës dhe ka raporte për dhjetëra të vdekur. Në tre ditë luftime, si forcat armene, ashtu edhe ato azere kanë përdorur helikopterë, dronë, tanke dhe artileri të rëndë.  Në këtë situatë, miqësorja e planifikuar me kombëtaren tonë është praktikisht e pamundur.

Së fundmi, Varazdat Haroyan, kapiteni i kombëtares së Armenisë, pezulloi transferimin te klubi Grek, Larisa, pasi vendi i tij është në prag të luftës me Azerbajxhanin. Udhëtimi i mbrojtësit për në Greqi është shtyrë. Lojtari është mobilizuar ushtarakisht për shkak të përkeqësimit të konfliktit të armatosur midis vendit të tij dhe Azerbajxhanit. 28-vjeçari, që ka luajtur 51 ndeshje me kombëtaren e tij, “është mobilizuar si të gjithë shtetasit armenë nën 40 vjeç dhe tashmë ndodhet në zonën e luftës”, – sipas një mesazhi dërguar pronarit të Larissa, Alexis Kouyias, nga agjenti i lojtarit.

Lajme të lidhura


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë