Konfindustria në një njoftim drejtuar medieve shpreh shqetësimin për nivelin e lartë dhe trendin në rritje të huamarrjes joformale ( fajde të bizneseve) edhe në vitin 2020.
Shoqata e biznesit të madh bën me dije se “Sasi të mëdha të parave me burim nga aktivitetet e paligjshme, korrupsioni, informaliteti i lartë, paratë e kthyera për “pastrim” nga parajsat fiskale nga trysnia e vettingut si dhe problematikat e sektorit bankar, janë arsyet kryesore të përdorimit të gjerë të fajdeve në kreditim në ekonominë shqiptare.”
Sipas të dhënave krahësuese të Qëndrës së Studimeve të Konfindustrisë ka një rritje prej afër 7% të bizneseve, që kanë pranuar, se i janë drejtuar tregut të fajdeve për të plotësuar nevojat për kreditim gjatë vitit 2020 në krahësim me vitin paraardhës. Sondazhi është kryer mbi biznese të kategorive të mesme dhe të mëdha. Sektorët kryesorë janë ndërtimi, agrondustria, mineralet, shërbimet, etj.
Shqipëria është vendi me shkallën më të ulët të kreditimit nga sektori bankar në Rajonin e Ballkanit Perëndimor me më pak se 33% të PPB në vitin 2019. Shkalla e ulët e kreditimit ligjor arsyetohet nga rritja e dobët e ekonomisë, shkalla e lartë e informalitetit, kushtet e shtrënguara dhe konkurenca e dobët e sistemit bankar, optimizmi i ulët i bizneseve, etj. Goditjet e fatkeqësive natyrore të tërmetit 2019 dhe pasojat e pandemisë në vitin 2020 e rënduan më tej gjëndjen e vështirë të ekonomisë shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.