Politike

Konferenca / Pse nuk u takua me opozitën, drejtësia dhe Kosova, të gjitha përgjigjet e Blinken. Rama: Prishtina, asnjë hap pa u konsultuar me aleatët

Në fund të vizitës disa orëshe në Tiranë, (ku më pas u nis drejt Mynihut të Gjermanisë) Sekretari amerikan I Shtetit, Antony Blinken zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama. Fillimisht ishte Rama që foli duke e vënë theksin tek Kosova që sa duket ka qënë një temë jo fort e vogël diskutimi në takimin me dyer të mbyllura.    Rama i bëri apel Kosovës që të mos bëjë asnjë hap sa i përket dialogut me Serbinë pa u konsultuar me aleatët

“Është në interesin tonë dhe të Kosovës që të përparojë në realizimin e të gjithë kërkesave të dialogut që nuk janë shtrënguese, që Kosova të lëshojë as një milimetër nga dinjiteti dhe sovraniteti i vetë. Këto kërkesa bëjnë të mundur krijimin e një konteksti që e ngre lart republikën e Kosovës si një republikë që kërkon mbështetjen dhe vlerësimin e të gjithë aleatëve. Edhe sot pasi kemi diskutuar dua ta përsëris apelin tim për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pa konsultuar me aleatët tonë strategjikë sepse është në interesin e tyre dhe të aleancës tonë. Nga veprimet e pa konsultuara mbase mund të fitohen ca vota sot për sot duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme por nuk fitohet e ardhmja”

Rama theksoi se shqiptarët nuk duhet të harrojnë se pa SHBA-të nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës.

“Kemi folur për rajonin, kemi ndarë të njëjtat pikëpamje dhe shqetësime. Siç dihet Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë për të gjitha vendet e rajonit. Jemi investuar që rajoni të shkojë përpara. Është në interesin e popullit tonë që ta shikojë bashkimin me Europën si pjesë të pandarë të bashkimit të këtij rajoni rreth vlerash dhe parimesh që mishërojnë qenien tonë në komunitetin e madh të shteteve demokratike. E kemi nxitur dialogun e pazëvendësueshëm mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA-të, kanë qenë janë dhe do mbeten mbështetëse të palëkundura të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Është mirë që shqiptarët të mos e harrojnë se pa SHBA-të nuk do kishte një shtet të pavarur të Kosovës dhe se interesi i SHBA-ve në këtë rajon dhe specifikisht interesi për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri e Kosovë nuk është interes i dorës së dytë” u shpreh Rama.

Nga ana e tij, Sekretari amerikan I Shtetit, Antony Blinken citoi disa nga temat kryesore që diskutoi gjatë takimit ndërsa u pyet nga media shqiptare se pse nuk kishte takuar asnjë përfaqësues nga opozita.

“Kam pasur një mundësi të takohesha me një sërë njërëzish e grupe të ndryshme përvec kryeministrit ministrit të jashtëm anëtarë kabineti, personalite të reformës në drejtësi, të rinj të angazhuar në programet tona të shkëmbimit, - kur të kthehem nga darka, do takohem me një segment tjetër të shoqërisë shqiptare dhe të gjithë aktorët por  mendoj që kam marrë mjaftueshëm nga kjo ditë” u shpreh Blinken.

Blinken u pyet po nga media shqiptare lidhur me zhvillimet e fundit ne Kosovë

“Kur nisa të punoja në DASH dhe Shtëpinë e Bardhë 30 vite më parë sfida që ishte nga fillimi deri në fund ishte Ballkani. Bosnja Hercegovina e më pas Kosova. Shumë prej nesh kanë një histori që shkon thellë dhe që është e gjatë. Nuk mund të shkojmë pas e të kemi ripërsëritje të asaj që kemi parë dhe shumë njerëz kanë përjetuar. Jemi të angazhuar që të mbështesim të gjitha përpjekjet e vendeve të Ballkanit drejt BE”, tha Blinken.

Ai tha gjithashtu se reforma në drejtësi po jep rezultate. “Reforma në drejtësi nuk ka qenë e thjeshtë dhe e shpejtë. Ne kemi filluar të shikojmë rezultate. Është e rëndësishme të kuptojmë që anëtarë të krimit të organizuar janë duke përfunduar në procese gjyqesore. Ne do të vijojmë ta mbështesim Shqipërinë”

Edhe Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës tha se falë reformës në drejtësi në Shqipëri është rrëzuar miti i ‘pandëshkueshmërisë’ të personave të lidhur me pushtetin.

“E falënderoj publikisht sekretarin amerikan për çfarë kemi thënë në mënyrë të përsëritur e kemi thënë për mbështetjen e pazëvendësueshme për transformimin e Shqipërisë nga një vend ku nuk ka pasur kurrë drejtësi që i bënte shqiptarët të besonin se asnjëherë në Shqipëri nuk do ishte e mundur që ligji të ishte i barabartë për të gjithë, duke na mundësuar që sot të shohim se edhe në Shqipëri si në çdo vend ambicioz për fëmijët e vetë është e mundur që njerëz me pushtet të lidhur edhe me qeverinë të thirren për të dhënë llogari para ligjit. Kjo është diçka peshën dhe vlerën e së cilës Shqipëria do mund ta konceptojë shumë vite më pas. Por një gjë e dimë që sot, kur nisëm përpjekjet për Reformën në Drejtësi, të gjitha anketimet dhe pyetjet lidhur me këtë reformë gjenin një mbështetje masive pavarësisht përkatësive politike dhe përtej polarizimit politik. Të majtë e të djathtë e mbështesin reformën”- tha Rama.

Ndërkohë, Sekretari amerikan Blinken nënvizoi gjithashtu se Shqipëria dhe SHBA kanë marrëdhënie të jashtëzakonshme.

“Kryeministër Edi, ju falënderoj shumë që na keni mirëpritur këtu, por dhe për ngrohtësinë dhe për substancën dhe bisedën tonë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë. “Nëse dikush nuk ka mundësi të përjetojë kënaqësinë, ne kemi mundësinë ta ftojmë sërish”. “Dhe kur dielli shkëlqen dhe kur nuk bie shi, është një mik i rëndësishëm”. Kjo është diçka që nuk mund t’ua shpreh sa duhet që është tribut.

Ky partneritetet mes dy vendeve tona është më i fortë seç ka qenë ndonjëherë. Jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin, dhe si aleat kyc i NATO dhe një zë kyç në KS të OKB ne kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme me Shqipërinë”, tha ai.

.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë