Vendimin e marrë nga Komisioni Europian për mbajtjen e Konferencës së Donatorëve në Tiranë në fund të muajit janar për të ndihmuar Shqipërinë në planin për rindërtimin pas tërmetit, kryeministri Rama e ka quajtur një lajm të shumëpritur.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Rama shkruan se mbajtja e premtimit prej liderëve europianë për këtë konferencë të domosdoshme, i jep energji dhe optimizëm për të dalë të gjithë të fortë nga kjo tragjedi.
“Është një lajm i shumëdëshiruar marrja mbrëmë e vendimit të Këshillit Europian për mbajtjen e Konferencës së Donatorëve në Tiranë, në fund të muajit janar, me qëllim mbështetjen e Programit të Rindërtimit nga të gjitha shtetet anëtare të BE.
Mbajtja e premtimit që mora nga shumë prej liderëve europianë për këtë konferencë të domosdoshme, më mbush me energji e me optimizëm për suksesin e përpjekjes që të dalim të gjithë më të fortë nga kjo tragjedi, duke nisur nga motrat e vëllezërit tanë fatkeq, të cilët duhet t’i rikthejmë në shtëpi më të mira se ato që humbën, si edhe nga fëmijët e tyre, të cilëve do t’u bëjmë shkolla më të mira nga ato që kishin’, shkruan kreu i qeverisë në “Facebook”.
Ndërkohë, presidenti francez, Emanuel Macron, pas bisedimeve të së enjtes në Këshillin Europian, në një deklaratë për mediat, tha se i gjendemi pranë Shqipërisë.
“Do të doja që t’i përcillja një mesazh solidariteti popullit shqiptar. U gjendemi pranë! Ne europianët do të marrim përgjegjësinë tonë dhe në dhjetor apo janar do të organizojmë një Konferencë Donatorësh për të ndihmuar, pasi janë 1 mije vetë që kanë humbur banesat e çdo gjë”, mësohet të jetë shprehur ai.
Më herët, kreu i qeverisë, Edi Rama ishte në Stamboll, ku iu drejtua për ndihmë edhe Konferencë së Vendeve Islamike për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas dëmeve të mëdha që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.