Menaxhim

Koncertet dhe eventet në zonat e mbrojtura do të lejohen vetëm me miratim të posaçëm

Nga Gazeta ‘Si’- Ministria e Turizmit dhe Kulturës ka miratuar rregulla të reja për zhvillimin e aktiviteteve argëtuese në pasuritë kulturore dhe zonat e mbrojtura.

Koncertet, festivalet, ekspozitat, konferencat, xhirimet filmike dhe iniciativa të tjera kulturore do të lejohen vetëm pas marrjes së miratimit përkatës me kushte më të rrepta.

Sipas udhëzimit, organizatorët duhet të aplikojnë në e-Albania të paktën 15 ditë pune para aktivitetit dhe të paraqesin plane për sigurinë, mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe menaxhimin e rreziqeve.

Në rastet kur parashikohet vendosja e strukturave të përkohshme, si skena apo instalime të tjera, projektet duhet të marrin më parë miratimin e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Autoritetet theksojnë se aktivitetet nuk duhet të dëmtojnë apo cenojnë vlerat historike dhe kulturore të objekteve ku zhvillohen. Në rast shkeljesh ose dëmtimi të pasurisë kulturore, miratimi mund të revokohet dhe organizatori mban përgjegjësi për pasojat.

Tarifat për përdorimin e pasurive kulturore do të llogariten sipas rregullave në fuqi për administrimin e këtyre aseteve.

Përmes këtij udhëzimi, autoritetet synojnë të krijojnë një balancë mes promovimit të aktiviteteve kulturore dhe garantimit të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë