Punënonjësit nga mbarë bota duket se po “rebelohen” gjithnjë më shumë duke kërkuar më shumë pushime, dhe çuditërisht punëdhënësve nuk u ka mbetur zgjidhje tjetër përveçse t’ua japin.
Punëtorët amerikanë morën mesatarisht 17.2 ditë pushimi gjatë 2017-ës, gati një ditë më shumë një vit më pare. Megjithatë, më shumë se gjysma e të punësuarve thanë në fund të vitit se kishin ende ditë pushimi që nuk i kishin marrë, kështu që koha kur njerëzit pushonin me shumë mbeti sërish periudha mes viteve 1978 dhe 2000.
Sidoqoftë, viti 2017 shënoi nivelin më të lartë të marrjes të pushimeve midis punonjësve amerikanë që nga viti 2013, duke bërë që një punonjës mesatar të ketë më shumë kohë për të pushuar sesa një vit më parë.
Punëdhënësit japin më shumë kohë për të pushuar
Në ditët e sotme, 38% e të punësuarve thanë se kompania i mbështeste vazhdimsisht për të marrë më shumë kohë pushimi. Kjo sepse sipas ekspertëve, tregu i punës është forcuar ndjeshëm dhe tanimë norma e papunësisë që ka rënë në nivelin më të ulët në 17 vjet.
“Ndërkohë, bilanci mes punës dhe jetës është bërë një perspektivë edhe më e rëndësishme për punëtorët”, tha Brian Kropp, udhëheqës i praktikave të burimeve njerëzore në kompaninë “Gartner”. Sipas sondazheve, pushimet e paguara ishin përfitimi i dytë më i rëndësishëm i punonjësve pas kujdesit shëndetësor, madje renditeshin përpara planeve të pensionit dhe shpërblimeve.
"Punëdhënësit po bëjnë gjithçka që munden për t'u siguruar që punonjësit të mos dorëhiqen, nëse janë lodhur nga puna e vazhdueshme- tha Kropp- Duke pasur parasysh se është më e vështirë për t’i shpërblyer me rritjen e kompensimeve dhe promovime, kompanitë po eksplorojnë mënyra alternative për t'i mbajtur të angazhuar dhe pushimet janë një mënyrë më se efektive për ta bërë këtë".
Rrjedhimisht, punëdhënësit janë tanimë shumë më të prirur për të dëgjuar me kujdes kërkesat e punëtorëve për më shumë ditë pushimi. Sipas sondazheve, kjo bën që këta të fundit të jenë shumë më të lumtur dhe më të frymëzuar. Pothuajse tre të katërtat e punonjësve që punonin për një firmë që i lejonte të merrnin kohën që u nevojitej për të pushuar thanë se ishin të kënaqur me kompaninë e tyre. Nga ana tjetër, vetëm 42% e kompanive kundërshtonin marrjen e më shumë ditëve pushim.
A duhet ta “marrim punën me vete”?
Prej vitesh, është shkruar shumë për mundësinë e të punuarit jashtë zyrave, duke u ofruar punonjësve të vazhdojnë të punojnë në distancë. Edhe pse mendohet si një mënyrë për të patur më shumë kohë të lirë dhe për të udhëtuar më shumë, ekspertët paralajmërojnë se zakonet e tilla mund të çojnë në rënie të rendimentit të punës, nëse punëtorët nuk marrin shansin për t'u çlodhur plotësisht dhe pa angazhime.
"Njerëzit duhet të përdorin kohën e tyre nga zyra për të punuar me potencial të plotë dhe të jenë plotësiht të lirë për t’u relaksuar pasi të dalin nga puna", tha Michael Steinitz, drejtor ekzekutiv i “Açountemps”.
Lajmi i mirë është se pak amerikanë po e marrin “punën me vete”, vetëm 10% e punonjësve e bënë këtë në vitin 2017, dhe vetëm 29% e tyre mendonin se ishte eficente. Megjithatë, të dhëna të tjera nga projekti “Time Off” kanë zbuluar se një pjesë e mirë e tyre nuk dinë të shkëputen nga puna dhe i gjen në zyrë edhe gjatë periudhës së pushimeve./Market Watch/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.