Para

Kompanitë e sigurimeve gjithnjë të favorizuara

Sabina Veizaj - Kreu i komisionit të Ekonomisë së asaj kohe Erion Braçe, sot zv.kryeministër, një vit më parë në kuvend do të ngrinte me shqetësim të madh informalitetin në tregun e sigurimeve.

Ai do t'i kërkonte kreut të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Ervin Koçit që çdo policë sigurimi do të duhet të shitet me kupon tatimor si çdo produkt tjetër në Shqipëri.

"Informaliteti që ekziston në tregun e sigurimeve duhet të marrë fund, sa më shpejt të jetë e mundur dhe pa asnjë lloj diskutimi që polica e sigurimit duhet të shitet me kaskë fiskale, si çdo produkt tjetër në territorin e Shqipërisë. Kaq e thjeshtë është; do jetë pjesë e rezolutës së këtij komisioni dhe as që diskutohet kjo pikë fare", do të artikulonte një vit më parë Braçe.

"Nëse ju merrni vendime dhe një byro që është në kushte paligjshmërie nuk i zbaton ato, nëse ju merrni vendime dhe një kompani që është në kushte skandaloze në raport me ligjin, dy, tre këtu në Kosovë apo Maqedoni nuk i zbaton ato, atëherë çfarë kuptimi ka që ekziston autoriteti?!" do të thoshte Erion Braçe.

Por ka kaluar plot një vit dhe tregu i sigurimeve duket se nuk ka ndryshuar aspak në këtë drejtim.

Kompanitë e sigurimit ende nuk janë pajisur me kasa fiskale dhe nuk japin kupon tatimor për çdo siguracion të prerë.

Disa prej tyre thonë se qytetarët nuk kanë kulturë dhe nuk i kërkojnë, por ne i kemi. Kurse disa zotërues automjetesh të pyetur nga gazeta "SI" janë shprehur se nuk paisen me kupon tatimor teksa paguajnë siguarcionin e makinës.

Raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se tregu është i dominuar dhe se Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare nuk ka mundur ta ndryshoj këtë situatë. Nga ana tjetër kompanitë e sigurimeve ende i kanë "borxhe" qytetarëve. Sipas Raportit, kanë mbetur edhe rreth 277 milion 33 lekë pagesa dëmesh ose rreth 25% nga shlyerja e plotë e borxhit të akumuluar.

KLSH nënvizon se lidhur me detyrimet e pashpërndara të vitit 2018 u la afat deri në janar 2019 për të mbyllur detyrat ashtu sikurse kishte përcaktuar AMF në vendimin e vet lidhur me Fondin e Kompensimit.

Duke iu referuar vitit që lamë pas, sipas AMF-së, për herë të parë gjatë 2018-ës, raporti Dëme-Prime (për sigurimet e Jo-Jetës) u rrit me 5% krahasuar me një vit më parë dhe rezulton mbi 42%. Nivel ky i krahasueshëm, thotë AMF për Gazetën “Si”, me vendet e rajonit.

Por, po nga të dhënat e AMF-së, duket se trendi i raportit Dëme Prime Neto në 10 vitet e fundit nga 2008-a për sigurimet jo-jetë nuk i afrohet në asnjë rast 50 përqindëshit dhe është shumë i luhatshëm.

Sipas statistikave nga Drejtoria e Statistikave në Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare, viti me raportin më të lartë Dëme/ Prime Neto për sigurim jo jetë rezulton viti 2013 me 49, 87% dhe raporti më i ulët është shënuar në 2008-ën me 25.70 %. Mesatarisht raporti dëme/prime neto luhatet në nivelin 30-35%.

Pak ditë më parë, Konfindustria do të reagonte në lidhje me një projektligj për ndryshimin e Kodit Rrugor, sipas të cilit, nëse vonohesh dy javë nga dita që duhet të paguash siguracionin e mjetit motorrik, do të gjobitesh me 50 mijë lekë.

Sipas Konfindustrisë, penalitetet për zotëruesit e mjeteve mund të shkojnë në vlera prej shumë miliona euro/vit, që do të shkojnë, sipas saj, në përfitim të dyfishtë të kompanive të sigurimit.

Konfindustria do të argumentonte se këto të ardhura, rrisin në mënyrë të padrejtë të ardhurat e operatorëve nga primet e sigurimit të detyrueshëm pavarësisht, nëse mjetet përdoren ose jo nga qytetarët dhe bizneset.

Gjithashtu, shkojnë për të plotësuar detyrimet ligjore financiare në miliona euro, që kompanitë e sigurimit nuk kanë derdhur prej vitesh në Byronë e Sigurimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë