Para

AMF ultimatum Byrosë Shqiptare të Sigurimit për Fondin e Kompensimit

Një vit më parë kreu i Komisionit për Ekonominë dhe Financat Erion Braçe, sot zv/kryeministër, në një nga seancat e komisionit do ta konsideronte Byronë Shqiptare të Sigurimit në kushte paligjshmërie.

“Nëse ju merrni vendime dhe një byro që është në kushte paligjshmërie nuk i zbaton ato, nëse ju merrni vendime dhe një kompani që është në kushte skandaloze në raport me ligjin, dy, tre këtu në Kosovë apo Maqedoni nuk i zbaton ato, atëherë çfarë kuptimi ka që ekziston autoriteti?!” do të thoshte Erion Braçe duke iu drejtuar kreut të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare Ervin Koçit.

Fondi i Kompensimit prej vitesh është thembra e Akilit mes Byrosë Shqiptare të Sigurimit (BSHS) dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
AMF ka paralajmëruar kreun e byrosë me shkarkim në rast se ai nuk merr masat e duhura brenda muajit gusht.

Paralajmërimi ka ardhur pas monitorimit që i është bërë aktivitetit të Byrosë, nga i cili ka rezultuar se nuk janë shpërndarë praktikat e detytueshme për ekzekutim.
Në muajin korrik AMF ka qartësuar masat që duhet të meren në këtë drejtim, mbi të gjitha, ajo u ka kërkuar kompanive të sigurimit anëtare të BSHS-së të plotësojnë detyrimin përkatës të Fondit të Kompensimit.

Po ashtu, Byroja Shqiptare e Sigurimit duhet të kryejë shpërndarjen e praktikave të përfunduara, të detyrueshme për tu ekzekutuar, te kompanitë e sigurimit anëtare të BSHS-së, duke njoftuar Autoritetin deri më datë 15 gusht 2019, në të kundër Autoriteti të bëjë shpërndarjen e praktikave të përfunduara, sipas bazës ligjore dhe rregulloreve në fuqi.
Së katërti për moszbatim të vendimeve të Bordit të Autoritetit, paralajmërohet për shkarkim Drejtori Ekzekutiv i BSHS-së dhe gjithashtu ngarkohen Departamentet përkatëse për njoftimet në zbatim të këtij vendimi.

Autoriteti i Mbikqëyrjes Financiare pasi ka analizuar raportin periodik të Byrosë në lidhje me ecurinë e Fondit të kompensimit, rezulton se formati i raportimit nuk është në përputhje me kërkesat e AMF-së, si në lidhje me vlerën e detyrimit të Fondit të Kompensimit ashtu dhe me pagesat e kryera nga shoqëritë.

“Pagesa në total gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2019, për detyrime të Fondit të Kompensimit janë në vlerën 323,204,438 lekë, ndërsa duke përfshirë dhe marrëveshjet niveli i pagesave është rreth 76% të detyrimit të 6-mujorit të parë të vitit 2019” citohet në vendim.

Në krye të Byrosë Shqiptare të Sigurimit qëndron prej vitit të shkuar Anila Hoxha që erdhi si propozim i Asamblesë së Byrosë së Sigurimit dhe kaloi provën tek AMF, i cili gjithsesi e ka lënë atë në këtë pozicion me periudha të shkurtra dhe të drejtë riemërimi.

Në muajin prill, do të zbardhej projektligji për ndryshimin e Kodit Rrugor, sipas të cilit, nëse vonohesh dy javë nga dita që duhet të paguash siguracionin e mjetit motorrik, do të gjobitesh me 50 mijë lekë.

Shoqatat e biznesit reaguan në atë kohë, pasi sipas tyre, penalitetet për zotëruesit e mjeteve mund të shkojnë në vlera prej shumë miliona euro/vit, që do të shkojnë, sipas bizneseve, në përfitim të dyfishtë të kompanive të sigurimit.

Çdo vendim i padrejtë dhe mosfunksionim i institucioneve, agjencive të varësisë apo byrove ka ndikuar për herë tek konsumatorët dhe situata paligjshmërie apo kundravajtjeje ligjore janë anashkaluar në heshtje.

Por AMF, e gjendur nën presion të përsëritur ka vendosur të veprojë duke ushtruar presion mbi Byronë Shqiptare të Sigurimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë