Para

Kompanitë celulare rrisin çmimin me 200 lekë. Institucionet heshtin

Sabina Veizaj - Teksa kërkova të rimbushja telefonin me paketën Vodafone Z në fundjanar, agjentja e shitjeve në një nga pikat e kompanisë në kryeqytet më informoi se në shkurt të gjitha paketat do të rriten me 200 lekë secila.

“E kanë deklaruar të gjitha kompanitë njëherësh, do ta rrisin të gjitha njësoj”, më shpjegonte me zell vajza e re duke mos ditur fare rëndësinë e atyre që po thoshte.
Në të njëjtën kohë, duke bërë llogaritë e saj, më ofroi që të kaloja në një plan tarifor me kontratë që ishte me ulje duke qenë se paketa që merrja unë me parapagesë do të rritej me 200 lekë.

Nuk vonoi dhe në faqet respektive zyrtare Vodafone Albania dhe ALBtelecom publikuan njoftimet që lajmëronin ndryshime në paketat 30-ditore me parapagesë.

Ndryshimet e reja që kuptojnë rritje me 200 lekë për çdo paketë për secilin pajtimtar të Vodafone Albania do të hyjnë në fuqi nga data 11 shkurt ndërsa për ALBtelecom kanë hyrë në fuqi nga 30 janari.

Operatori Telekom, që është i dyti më i madh në treg, nuk ka bërë njoftim zyrtar në faqen e tij, por sipas disa klientëve që Gazeta “Si” pyeti, paketat e shkurtit ata i kanë blerë me rritje çmimi.

Ndryshimet që pësojnë paketat e telefonisë celulare për abonentët me parapagesë

Paketat që ofron Vodafone Albania në treg për abonentët me parapagesë janë paketa standarde me minuta, SMS dhe MB: Vodafone Talk, Vodafone Combo, Vodafone Z, Vodafone Silver dhe Vodafone Gold. Po ashtu ofron edhe tre paketa të tjera me njësi të cilat shërbejnë si minuta, SMS dhe MB: YouMix S, YouMix M dhe YouMix L

Secila prej paketave rriten me 200 lekë secila, por ndryshime ka edhe në njësitë që përfitohen. Paketa bazë mbetet e pandryshuar ndërsa Combo, Z, Silver dhe Gold do të pësojnë rritje të njësive MB me 0.5 për paketën Combo dhe 1GB për katër paketat e tjera. Paketat me njësi mbeten të pandryshuara.

ALBtelecom gjithashtu ka rritur çmimin e paketave ekzistuese me 200 lekë. Tani e tutje operatori ofron paketat 900 lekë, 1300 lekë, 1500 lekë, 1500 Gigastike dhe 2100 lekë.
Sipas njoftimit të Albtelecom, në paketën 900 sasia e minutave, MB dhe SMS mbetet e pandryshuar. Paketa 1100 lekë që tanimë kushton 1300 lekë përmban 500MB më shumë internet, Paketa 1500 1GB më tepër, Paketa Gigastike 1GB më tepër dhe Paketa 2100 1GB më tepër.
Të dy operatorët kanë deklaruar se vlera minimale e rimbushjeve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve do të jetë 200 lekë.

Institucionet heshtin

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike, i cili funksionon si rregullator referuar bazës ligjore në fuqi, duhet të miratojë tarifat e ndryshuara në kompanive celulare në treg. Por në faqen zyrtare të AKEP në internet nuk ka asnjë njoftim deri më sot (e shtunë 8 shkurt 2020).

Gazeta “Si” iu drejtua AKEP për informacion, përfaqësuesit e të cilit kërkuan që kërkesa për informacion të kryhej sipas ligjit të informimit publik.

Deri në përgjigjen e AKEP, Gazeta “Si” iu drejtua Autoritetit të Konkurrencës për të ditur nëse veprimi i rritjes së çmimeve të paketave të telefonisë celulare për pajtimtarët me parapagesë i ka bërë përshtypje. Apo nëse kanë pasur ndonjë indicie për të nisur ndonjë hetim paraprak sipas ligjit në fuqi.

Pasi në pamje të parë rritja e menjëhershme në të njëjtën kohë e çmimeve për shërbime të ngjashme e tre kompanive, në këtë rast të kompanive të telekomunikacionit, përbën abuzim me pozitën dominuese.

Sipas ligjit të Konkurrencës, gjoba që mund të vendosë Komisioni i Konkurrencës në rastet e abuzimit me pozitën dominuese arrin në masën 2 deri në 10 për qind të xhiros totale të vitit financiar paraardhës.

Për raste të tilla Autoriteti i Konkurrencës këshillon që “nëse dyshoni për një sjellje anti konkurruese kontaktoni me Autoritetin e Konkurrencës i cili do të hetojë mbi këtë sjellje. Ligji i jep Autoritetit të Konkurencës fuqinë për të hetuar dhe vepruar rreth sjelljeve anti konkuruese.”

Por të kontaktuar nga Gazeta “Si”, Autoriteti i Konkurrencës në dijeni se çfarë po ndodh në treg me çmimet e paketave telefonike celulare për pajtimtarët me parapagesë, u përgjigj: “Duhet pyetur rregullatori AKEP nëse ka miratuar ndryshimet e paketave. Do të pyesim të hënën tek AKEP”.

Bilancet e tre kompanive celulare në tregun shqiptar nuk janë rozë. Ato kanë shënuar rënie si në kahun e të ardhurave, ashtu edhe të fitimeve vitet e fundit.

Një vit më parë Vodafone Albania ishte i vetmi operator celular me fitim prej 700 milionë lekësh edhe pse në raport me fitimet e viteve të mëparshme është shumë larg.

Kurse Telekom Albania dhe ALBtelecom kanë vijuar të humbasin.

Gjatë 2018-s të ardhurat regjistruan 26.8 miliardë lekë, 10% më pak sesa në 2017.
Vitin e kaluar Vodafone Albania dhe Telekom Albania blenë frekuencat 800Mhz të cilat do të rrisin mbulimin dhe cilësinë e 4G veçanërisht në zonat rurale, tender i cili i kushtoi secilës kompani 7.44 milionë euro.

Ndërkohë ALBtelecom rinovoi për 15 vjet licencën 900/1800Mhz duke paguar 10.9 milionë euro. Vodafone është operatori më i madh në vend me 1.264 milionë pajtimtarë aktivë ndjekur nga Telekom Albania me 996 mijë dhe ALBtelecom me 446 mijë.

Por kjo situatë nuk justifikon abuzimin me konsumatorët dhe ligjin.

Një pajtimtari rritja e çmimit të një pakete do t'i kushtojë në buxhetin e tij për këtë shërbim 2400 lekë më shumë në vit, ndërsa institucionet heshtin (të paktën deri tani) edhe kur u kërkon llogari.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë