Treg

Hetim kompanive celulare për rritjen e çmimit të paketave

Të pezullohet rritja e çmimeve, gjoba deri në 10% të xhiros

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hetim paraprak të tre kompanive celulare në vend: Albtelecom, Vodafone Albania dhe Telecom pasi mori sinjale nga burime të ndryshme se çmimet e paketave për pajtimtarët me parapagesë të telefonisë që janë rritur me 200 lekë. Konkurrenca do të hetojë nëse ka pasur apo jo një marrëveshje për rritjen e çmimeve mes kompanive celulare në mënyrë të koordinuar.

Por të në të njëjtën kohë ka detyruar kompanitë të ndërpresin menjëherë rritjen e tarifave.

“Lidhur me ndryshimet e paketave celulare 30 ditore me parapagesë, pranë Autoritetit të Konkurrencës, janë paraqitur edhe dy ankesa nga konsumatorë të telefonisë celulare, si dhe është paraqitur një ankesë nga Qendra “Konsumatori Shqiptar” nëpërmjet së cilës pretendohet se kompanitë celulare kanë rritur çmimet në mënyrë të pajustifikuar, pa informuar konsumatorët e telefonisë celulare dhe në dëm të interesave ekonomike të këtyre konsumatorëve”, citohet në vendimin e Konkurrencës.

Pas  këtyre sinjaleve Autoriteti monitoroi tregun dhe vërejti që kompanitë i kanë rritur realisht çmimet.

Prandaj Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës ka vendosur ndërprerjen e menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i vendimit, të aplikimit të paketave të reja standarde 30 ditore me parapagesë, për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom.

Konkurrenca sqaron se masa e përkohshme merret deri sa të përfundojë hetimi.

Në rast se Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom nuk do të zbatojnë vendimin, ato do të gjobiten deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës. Në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom të veprojë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme.

Gazeta “Si” komunikoi me AKEP për këtë çështje nëse ka pasur ndonjë komunikim me Konkurrencën dhe cili është qëndrimi i rregullatorit në këtë rast, por AKEP nuk është përgjigjur ende. Ai thotë se do të dalë në një komunikim publik sapo të ketë një qëndrim për çështjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë