Treg

Italia rimburson për paketat celulare 28-ditore, në Shqipëri kompanitë shijojnë abuzimet

Sabina Veizaj - Këshilli italian i Shtetit, organ juridik në varësi të qeverisë ka vendosur sipas padisë që ka bërë AKEPI italian (Agcom) që kompanitë telefonike do të rimbursojnë të gjithë konsumatorët një për një në mënyrë automatike në masë për kohëzgjatjen e paketave nga 30 ditë në 28 ditë. Jo vetëm kaq, por për opertarorët ka pasur edhe gjoba të majme.

Vendimi për ankesat e vitit 2017-të është bërë këto ditë publik në Itali dhe efektet hynë menjëherë në fuqi.

Efekti financiar tek kompanitë është i paimagjinueshëm, pasi sipas vendimit kompanitë do të detyrohen të paguajnë në mënyrë të menjëhershme dhjetëra milion njerëz nga 30 euro secilit.
Paketat 28-ditore do të kopjoheshin në mënyrë të beftë edhe nga operatorët shqiptarë të telefonisë në mars-prill 2016.

Nga vlerësimet që do të bënte në atë kohë Autoriteti i Konkurrencës dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike, një konsumator shqiptar do të shpenzonte shtesë në vit 7% të buxhetit për këtë shërbim, ose 908 lekë më shumë në vit.

Pas ankesave të ndryshme Autoriteti i Konkurrencës do të kryente një hetim në tregun e telefonisë dhe në përfundim të hetimit, Komisioni i Konkurrencës do t'i kërkonte AKEP-it të vlerësonte situatën e të merrte masa, ngase “praktika e ndryshimit në kohëzgjatjen e paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë mund të prekë dhe tregje të tjera në fushën e telekomunikacionit si p.sh. internetin, telefoninë fikse, paketat televizive etj., gjë e cila do të shkaktonte probleme në terma të transparencës dhe krahasueshmërisë së informacionit për pajtimtarët e tyre në lidhje me tarifat e aplikuara për shërbimet e ofruara nga operatorët në sektorin e telekomunikacionit”.

AKEP do t'u kërkonte që në maj 2016 informacion të tre operatorëve celularë për ndryshimin e kryer në kohëzgjatjen e ofertave 30-ditore. Vodafone do të përgjigjej se gëzonte lirinë ekonomike për të vendosur përveç të tjerave kohëzgjatjen dhe kushte të tjera për paketat/ofertat që hedh në treg. Edhe Telekom Albania do të thoshte se "Praktika e zbatimit të vlefshmërisë 28-ditore (4 javore) përdoret gjerësisht nga operatorët mobile në nivel industrie". Sipas Albtelecom, nuk ka asnjë kufizim ligjor apo rregullator që vendos kufij minimalë apo maksimalë të afatit të vlefshmërisë së ofertave dhe paketave të telefonisë celulare.

Por pas konkluzioneve të hetimit të Autoritetit të Konkurrencës, i pari që do të reagonte, do të ishte kompania Albtelecom, e cila do të hidhte në sistemin e vet përditësimin e afatit të periudhës së tarifimit të ofertave në të cilin do të shprehej se duke filluar nga data 10.04.2018 do të rikthente afatin 30-ditor të vlefshmërisë për paketat standarde.
Ndërsa dy operatorët e tjerë do të detyroheshin nga AKEP që të njoftonin klientët për ndryshimin e paketave standarde nga 28 ditpre në mujore (30-ditore) të paktën 15 ditë para hyrjes në fuqi të paketave standarde mujore (30-ditore), të cilat do të hynin në fuqi nga 1 qershori.

Nuk dihet nëse reflektimi i menjëhershëm i kompanive ishte një marrëveshje xhentëlmenësh për të mos paguar gjoba të majme, por ajo që dihet me siguri është që çështja do të harrohej, përderisa asnjë kompani nuk ka rimbursuar qoftë edhe një klient të vetëm për abuzim me ta për dy vite rresht. Nuk ka pasur për këtë çështje as ndonjë proces gjyqësor nga mbrojtësit e konsumatorit, të cilët së pari ai që duhet t'i mbrojë është shteti.
Kurse në shtetin fqinj, Itali, ajo që vihet re në vendimin e sapopublikuar, Këshilli i Shtetit kundërshton një kërkesë të Vodafone kundër rezolutës së Agcom e cila përcakton rimbursime për përdoruesit.

Në motivacionet e vendimit, juristët u referohen në fakt aktiviteteve të të gjithë operatorëve telefonikë. Edhe me një gjuhë shumë të ashpër madje: tranzicioni i detyruar me tarifat 28-ditore (në 2017) ishte "i padrejtë" dhe "subversiv", citon ai.
Vendimi i Këshillit të Shtetit është i rëndësishëm mbi të gjitha sepse ndërhyn në një çështje ende të hapur: si duhen kryer këto rimbursime.

Agcom ka pohuar përherë që operatorët do të duhej që ti rimbursonin konsumatorët në mënyrë automatike, ndërsa operatorët kanë riktheksuar korrektësinë e zgjedhjes për të rimbursuar ata konsumatorë që kanë kërkuar me shkrim.

Të dhënat tregojnë se kërkesat me shkrim për rimbursim kanë qenë shumë të ulta, më pak se 5%. Është i dukshëm interesi i operatorëve të mos pranojnë idenë e rimbursimit automatik – për dhjetëra milionë njerëz të përfshirë në çështjen e tarifave 28-ditore – një rimbursim, ose një derdhje në faturë prej 20-30 euro/person. Nga një vlerësim, do të llogaritej një dëm në qindra milionë euro për kompanitë e telefonisë.

Këshilli i Shtetit ka justifikuar këtë tip imponimi të Agcom për për këtë lloj shkeljeje; "duke aktivizuar instrumentin e mbrojtjes së njëjtë automatike të masës në favor të të gjithëve dhe secilit përdorues, përballë shkeljeve të përgjithësuara që prekën një numër të përdoruesve me anë të një sjelljeje arbitrare dhe identike nga operatorët më të rëndësishëm të telefonisë”

Është hera e parë që Këshilli i Shtetit njeh që Agcom ka një fuqi që të përdorë “mbrojtjen e e njëjtë automatike të masës ", në disa raste (si tarifat 28-ditore).
Efekti qëndron tek Autoriteti i cili tashmë do të ndjehet më i mbrojtur për ti shkuar deri në fund luftës për rimbursimet automatike, luftë për të cilën po punon me një procedurë sanksionuese mbi operatorët. Një efekt tjetër është se Autoriteti tani mund të zbatojë parimin e kompensimit automatik në masë për raste të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë