Politike

Komision ndërkombëtar në Shkodër? Ambasadori austriak i përgjigjet Ademit

Ambasadori austriak në Shqipëri, Johann Sattler i ka kthyer përgjigje letrës së kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademit për ngritjen e një komisioni administrativ ndërkombëtar për të qeverisur bashkitë shqiptare.
Në një postim në Twitter, Sattler shkruan se Shqipëria duhet ti zgjidhë vetë problemet politike pasi është një vend që aspiron të hapë negociatat për në BE.
“Do isha i lumtur të diskutoja. Por 2019 nuk është 1913. Shqipëria aspiron të hapë negociatat me BE. Kjo kërkon aftësinë për të zgjidhur problemet politike. Dhe për këtë nevojiten dy gjëra: Sezoni i konfliktit duhet të ndiqet nga sezoni i zgjidhjes së konflikteve. Shqiptarët duan të shkojnë me pushime me mendje të qetë,” shkruan Sattler.

https://twitter.com/josattler/status/1148519444563386368


Dy ditë më parë, kryebashkiakja Ademi me anë të letre drejtuar 8 ambasadorëve, ndërmjet tyre edhe ai austriak, duke deklaruar se nuk mund të dorëzonte bashkinë e Shkodrës një pasardhësi që është zgjedhur me rreth 9 përqind të votave, propozoi një zgjidhje të re për krizën politike.

Kryebashkiakja Voltana Ademi

“Sot, në 2019- ën nuk mund t’ia dorëzojmë atë as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8%- ësh! Në vitet 1913 -1914 dhe 1918-1920 ky qytet me rëndësi vitale për të gjithë kombin, është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën! Ndaj ju drejtohem Ju, në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojmë një komision Administrativ Europian, besimplotë tek vullneti i tyre demokratik, derisa të shkohet në zgjedhje të vërteta, sesa të biem nën diktaturën e pakicës së pakicës votuese! Për ketë, në emër të shoqatës së Bashkive të Shqipërisë ju kërkoj publikisht Ju, të takohemi për të biseduar mbi këtë situatë të pazakontë, me shpresën që do të bëheni garant i vullnetit qytetar!”, shkruante Ademi në letrën e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë