Politike

Komisioni kundër Metës, Fino: PD e LSI mashtruan, nuk ankimuan në Kushtetuese

Komisioni i posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta zhvilloi sot mbledhjen e parë të konstituimit, duke përcaktuar dy relatorët që do të hartojnë rregulloren dhe planin e hetimit.
Alket Hyseni nga PS dhe Halit Valteri nga opozita janë dy deputetët që u caktuan me konsensus si relatorë, ndërsa socialistja Klotilda Bushka u vendosur si sekretarja e komisionit hetimor.

Kryekomisioneri socialist, Ulsi Manja deklaroi se Komisioni ka për qëllim të hetojë njohjen dhe verifikimin e mënyrës së ushtrimit të kompetencave nga Presidenti lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve vendore në përputhje me parimet kushtetuese.

Kryekomisioneri Ulsi Manja

“Komisioni ka për objekt dhe detyrë të verifikojë procedurat e ndjekura nga Presidenti gjatë ushtrimit të kompetencave lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Të verifikojë hartimin e akteve dhe efektet e tyre juridike në raport me kompetencat e Presidentit të përcaktuara në Kushtetutë. Të verifikojë pasojat e akteve në raport me institucionet e tjera të Republikës së Shqipërisë si Kuvendi, Këshilli i Ministrave, KQZ apo gjykatat. Në optikën e kolegëve deputetë që kanë kërkuar shkarkimin nga detyra të Presidentit konstatohet se sjellja dhe qëndrimet e presidentit në raport me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese në lidhje me procedurat e ndjekura për zhvillimin e zgjedhjeve vendore presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe kjo sipas tyre përbën shkak ligjor për shkarkimin e tij nga detyra”, deklaroi Manja.

Anëtari i komisionit hetimor


Nënkryetari i komisionit hetimor, deputeti i opozitës, Alban Zeneli kërkoi që puna e komisionit të shkojë deri në fund, pasi eksperiencat e mëparshme kanë sjellë që këto komisione hetimor të dështojnë.
Socialisti Bashkim Fino në qëndrimin e tij sulmoi PD dhe LSI sa i përket çështjes së ligjshmërisë së dekretit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve, pasi ato kanë kaluar afatet ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni parlamentar hetimor

“Kam vetëm një konstatim për të bërë edhe ka me disa afate të miratuara nga data e dekretimit deri më sot. Dekreti i anulimit doli më 10 qershor, sot jemi 11 korrik, ajo letër u vlerësua nga KQZ dhe Kuvendi si një akt individual i pavlefshëm. Nuk ka deri më sot asnjë perifrazim se si juristët e PD-së e komentojnë këtë dekret. Është insistimi që ajo letër presidenciale duhet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, sot është 11 korrik dhe është ezuaruar edhe afati i kërkuar.

Kjo do të thotë se PD dhe LSI kanë gënjyer veten dhe shqiptarë, asnjëri nuk iu drejtua ndaj them se ky komision e nis punime me këmbë të mbarë për asnjë lloj interpretimi dhe ankimi. Jam i bindur se nuk do të ketë ankimim as për dekretin e përcaktuar të datës 13 tetor. Prandaj unë do ju uroja suksese këtij komisioni”, deklaroi Fino.
Komisioni i posaçëm hetimor ka afat tremujor, ndërsa anëtarë janë Ulsi Manja, Alban Zeneli, Vasilika Hysi, Klotilda Bushka, Bashkim Fino, Alket Hyseni, Adriatik Alimadhi, Halit Valteri dhe Krenar Ruçi. Anëtarë zëvendësues janë Adnor Shameti dhe Spartak Braho nga PS, Arlind Çarçani nga grupi Demokrat dhe Zef Shtjefni nga grupi Partitë e Djathta.

 

Më Shumë