Menaxhim

Komisioneri për të drejtën e Informimit i rekomandon QKB-së të ndalojë të dhënat e bizneseve

Nga Gazeta 'SI' - Komisioneri për të drejtën e Informimit dhe mbrojtjen e të Dhënave Personale, i ka rekomanduar Qendrës Kombëtare të Biznesit, QKB, të mos publikojë çdo lloj informacioni për subjektet tregtare.

Sipas një hetimi nga Komisioneri, QKB-ja jep shumë opsione për vizitorët online dhe ata mund të aksesojnë emra tregtarë, emrat e aksionerëve, adresën, niptin etj. Për këtë, zyra rekomandon filtrimin e këtyre të dhënave, duke bërë publike vetëm të dhënat parësore.

“Komisioneri vlerëson se, QKB, në cilësinë e Kontrolluesit për të dhënat e grumbulluara gjatë proceseve përpunuese, duhet të marrë masa organizative dhe teknike të përshtatshme për të publikuar vetëm të dhënat që janë të nevojshme për të realizuar qëllimin e përpunimit”, sugjeron Komisioneri.

Zyra e Komisionerit thotë se ligji që rregullon QKB-në, e detyron atë të bëjë publik detaje për bizneset, duke kundërshtuar dispozitat dhe ngërçi qëndron në nenin 5 dhe 6 të ligjit për QKB-në.

“Konstatohet se, publikimi i disa kategorive të të dhënave, të përfshira në kontratat me të tretë, informacione lidhur me identifikimin fizik apo identitetin e subjekteve të të dhënave, adresat e individëve të caktuar, si dhe të dhënat e llogarive bankare të subjekteve të treta, kryhen në kundërshtim me parimet dhe kriteret e neneve 5 dhe 6 të ligjit. Konkretisht në nenin 5 parashikohet se mbrojtja e të dhënave personale bazohet ‘…në grumbullimin për qëllime specifike, të përcaktuara qartë, e legjitime dhe në përpunimin në përputhje me këto qëllime’. Ndërsa sipas nenit 6 të ligjit, ‘të dhënat personale përpunohen vetëm nëse plotësohet një prej kritereve të përpunimit: nëse subjekti i të dhënave personale ka dhënë pëlqimin; për përmbushjen e një detyrimi ligjor të kontrolluesi’”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë