Ne rrjet

Komisioneri i BE, Avramopulos paralajmëron Shqipërinë për rikthimin e vizave

Edhe pse gjatë vizitës së fundit në Tiranë deklaroi se kërkesa e Holandës për rikthimin e vizave me Shqipërinë nuk kishte gjasa të miratohej nga Brukseli, Komisioneri i BE-së për Emigracionin, Dimitris Avramopulos, ka paralajmëruar ditën e sotme vendin tonë të marrë masa për shtimin e emigrantëve ilegalë.

Duke folur përballë gazetave të Grupit Mediatik Funke, Avramopulos deklaroi se në katër muajt e parë, numri i hyrjeve legale të azilkërkuesve nga Shqipëria në BE u rrit me 30 për qind.

“Numri i hyrjeve legale të azilkërkuesve në BE-së po rritet. Veçanërisht persona nga Amerika Latine dhe Ballkani Perëndimor e kanë përdorur regjimin ekzistues të lëvizjes pa viza, të vendeve të tyre, për të hyrë në BE”, tha ai

Komisioneri paralajmëroi po të vazhdojë kjo tendencë emigrimi nga shtete si Venezuela, Kolumbia ose Shqipëria, BE-ja do të ndërmarrë hapa duke rikthyer regjimin e vizave. Ai i i bëri thirrje autoriteteve shqiptare dhe venezueliane që të respektojnë rregullat për të cilat është rënë dakord.

Edi Rama dhe Dimitris Avramopulos

“Nëqoftëse këto shtete nuk e pengojnë keqpërdorimin e vizave dhe rritet edhe më tej numri i kërkesave të paargumentuara për azil, BE mund të pezullojë regjimin pa viza për shtete të veçanta, tha ai.

Komisioneri për Emigrimin iu referua shifrave të zyrës së BE-së për azilin, EASO, sipas së cilës, në katër muajt e parë të këtij viti, një në katër kërkesa për azil në BE është bërë nga shtetas të një vendi, qytetarët e të cilit mund të hyjnë pa viza në BE. Sipas këtyre të dhënave, numri i hyrjeve pa viza të azilkërkuesve nga Shqipëria u rrit me 30 për qind, duke arritur në 7,138 persona.

“Në tërësi, megjithatë, numri i azilkërkuesve në BE është në nivelin e ulët të vitit 2014, para krizës së refugjatëve, tha Avramopoulos. Në dallim nga numri hyrjeve në mënyrë të ligjshme, numri i emigrantëve të ardhur në mënyrë të paligjshme edhe këtë vit vazhdon të ketë rënie. Numri i të ardhurve, në pesë muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, ra me 31 për qind, në rreth 32,400 persona”, tha ai.

Paralajmërimi i Dimitris Avramopulos vjen disa javë pasi qeveria e Holandës ka dorëzuar zyrtarisht në Komisionin Europian kërkesën për rikthimin e vizave për shqiptarët. Projekt rezoluta e dërguar në Bruksel u miratua pak kohë më parë nga parlamenti holandez, nën argumentin e rritjes së emigracionit dhe kriminalitetit shqiptar.

Në letrën drejtuar Komisionerit për Emigrimin dhe Punët e Jashtme, Holanda kërkoi me shkrim që Komisioni Europian të konsiderojë pezullimin e vizave për shqiptarët.

Në dokumentin që qeveria Holandeze i ka dërguar Brukselit theksohet se bandat shqiptare përbëjnë një kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e brendshme të Holandës.
Amsterdami zyrtar përcakton edhe arsyet se përse Bashkimi Europian duhet të pezullojë lëvizjen e lirë për shqiptarët, duke theksuar mes të tjerash se rrjetet kriminale shqiptare përbëjnë rrezik edhe për sigurinë e vendeve anëtare, si Britania e Madhe.

Holanda njofton Komisionin Europian se ballafaqohet me një rrezik në rritje ose kërcënim të menjëhershëm për qetësinë publike dhe rritjen e veprave të rënda penale të ndërlidhura me shtetasit shqiptarë.

“Kriminelët shqiptarë janë të përfshirë në trafikun e drogës (kryesisht kokainë), pastrimin e parave dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Prania e tyre në skenën kriminale në Holandë po bëhet gjithnjë e më e spikatur, pasi po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me grupe të tjera të huaja kriminale. Është e qartë se aktivitetet e tyre janë një kërcënim i menjëhershëm për sigurinë e brendshme”, thekson kërkesa.

Sikur të mos mjaftone kjo, pas Holandës edhe disa politikanë zviceranë po hedhin idenë e rikthimit të vizave për shqiptarët pas kërkesës që vendet e ulëta i drejtuan Komisionit Europian. Këshilltari i Kantonit të Ticinës, Lorenzo Quadri, ka kërkuar interpelancë me Këshillin Federal, e në aktin parlamentar citohen lëvizjet e Parlamentit holandez për të rikthyer vizat për shqiptarët në zonën Shengen dhe kërkesa e mëpasshme zyrtare e qeverisë atje drejtuar KE-së.

“Detyrimi i vizave për shqiptarët u hoq në 2010-ën. Që prej atëherë, ata mund të lëvizin lirshëm,ndërsa më tej nënvizon se Parlamenti holandez e ka motivuar kërkesën e tij me rritjen shqetësuese të krimit, veçanërisht të tipit mafioz, që vjen nga Shqipëria”, shkruan Quadri Është theksuar se në Holandë jetojnë gjashtë herë më shumë shqiptarë sesa ato që janë deklaruar zyrtarisht dhe se sipas policisë së Roterdamit, mafia shqiptare është organizata më e dhunshme kriminale në atë qytet gjatë viteve të fundit. Një problem tjetër i ngritur është emigracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë në Holandë, veçanërisht të rinjt”, përfundon ai.

 

Më Shumë