Mendim

Komisari i pamik dhe kryekomisari i salduar…

Nga Anila Hoxha - Polici dhe specialisti në Policinë e Shtetit, Arbër Alimadhi, mori pikët maksimale në provimin për gradën e komisarit. Po me forcat e saj, në vendin e dytë scantroni nxori policen Jonida Babameta, prej më tepër se 15 viteve pjesë e Policisë së Shtetit dhe në vend të tretë Lindita Lushakun, shefe sektori në seksionin e të miturve, gjithashtu, bashkëshortja e ish-këshilltarit të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa.

Do doja t’i përmendja të gjithë djemtë dhe vajzat që fituan fazën e parë të provimit për komisar. Por, që sot u fyen nga një anulim i paprecedentë i provimit, pas të cilit ishin një hap larg vendosjes mbi supe të gradës komisar. Sepse paskërka dyshime se qenkërka kopjuar. Do doja t’i përmendja një më një secilin prej tyre, për t’ju thënë ca të tjerëve: Zot fali se nuk dinë ç’bëjnë, mirë që nuk ju japin gradën që fituat, por ju bëjnë edhe pis. Specialistë e njerëz të palodhur, të përkushtuar në polici që siç duket nuk po vjen ora juaj… Ju që fituat gradën komisar në fazën e parë të provimit, por u zhgraduat pa u graduar, ende pa hyrë në fazën tjetër të provimit. Ndjesë… Ti i trajnuari nga ambasada amerikane dhe që je mes më të mirëve, sikurse agjenti i antiterrorit Sami Muja, Elvis Shehu, Bashkim Lamnica. Shumë vite në polici dhe me siguri tani ndien zhgënjim. Ti Ervin Peci, Osman Fucia i seksionit të vrasjeve. Ti, Mentor Cuku vëllai i komisarit të vrarë, Artan Cuku. Ti , Erion Dani i komisariatit 4 dhe ti Indrit Doda. Apo ti policja e shkëlqyer Ornela Zhivani dhe Alida Peza… Sepse nuk ka ardhur koha juaj, kapni një mik, kapni një xhaketë për cepi… sepse nuk ngre peshë që ju fituat pikët maksimale. Nëse do kishe një mik, mund të ta kishim injektuar gradën për shkak të pozicionit. Tek e fundit policia është e depolitizuar, por si mund të synosh të bëhesh komisar, ti i pamik?


Çfarë nuk u tha...

Provimi për gradën komisar u dha në Akademinë e Sigurisë në datën 7 nëntor. Pyetjet ishin me alternativa. Korrigjimi u bë nga ai “maskarai” që nuk njeh miq - scantroni. Në orën 15:00 brenda së njëjtës ditë, pas kontrollit me atë pajisjen e ftohtë, u konsideruan fitues të gradës komisar 176 policë, që do t’i nënshtroheshin më tej fazës së dytë të testimit. Nga 470 që konkurruan, në fakt duhet të fitonin 189 për shkak të nevojës që ka policia për komisarë. Provimi u mbikëqyr nga misioni Pameca, SHCBA, Drejtoria e Standardeve dhe madje ishte i pranishëm edhe vetë numri një i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Askush nuk u kap duke kopjuar. As që u shtrua si problem i tillë. As që u ngrit si shqetësim derisa u shpallën pikët. Pas orës 15:00 plasën ankesat. Çfarë ndodhie flagrante ndodhi që penalizoi gjithë të tjerët me kaq vonesë? Sepse ndryshe nga çdo provim tjetër, si rrallë ndonjëherë në këtë provim kishin fituar specialistët, kishin fituar jomiqtë ndoshta. Ka të drejtë ta them këtë për sa kohë, provimi u anulua një javë larg datës reale të provimit. Mos vallë nuk fituan edhe ca që duhet ta fitonin…? Për çfarë arsyesh komisarët në tentativë do të rikthehen në provim pa pasur asnjë rast flagrant? Në qoftë mungesë transparence, çfarë quhet transparencë në polici apo duhet edhe ata që humbën të paradinin përgjigjet? Sepse në qoftë kjo dëshirë për tejdukshmëri provimi, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe për provimin tjetër për gradën e kryekomisarit dhënë orët e fundit. Mos i vrisni policët, ata që e duan uniformen. Në mendofshi ndonjëherë edhe për ne të tjerët, ju lutem, ne kemi nevoje për një polici të shëndetshme, dhe jo për “hajdutë” të salduar që tokëzohen me grada të pamerituara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë