Teater

Komedia “La Baby-Sitter” në Tiranë- Vendi ku rigjeni dashurinë

Sarkazëm me të vërtetën, me dashurinë, identitetin, me marrëdhënien në çift, me realitetin, fëmijët, rutinën e mërzitshme, mungesën e një zgjidhjeje, hipokrizinë, konsumerizmin, dukjen, besimin, fenë, shëndetin mendor, alkoolin dhe seksin.

Përballje me të gjitha sëbashku, por që janë aq larg, të paprekshme, veçanërisht zgjidhja për të rigjetur dashurinë. Apo nuk ka qenë ndonjëherë në atë formë që kemi nevojë?

Kjo është ajo ç’ka trajton në mënyrë universale edhe vepra e akademikut francez René de Obaldia e cila po shfaqet në sallën e Tetarit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë.

Vepra me regji të Vasjan Lami, ku luajnë aktorët Luiza Xhuvani, Genc Fuga dhe Andia Xhunga, përmes dialogut të një çifti të martuar që e kanë shpënë dashurinë për dreq, kalon në skaner gjithë problematikat e shoqërisë së viteve '70, të cilat janë po aq aktuale edhe sot.

Gjatë një bisede me aktorin Genc Fuga, pas shfaqjes që mbushi sallën plot, ai shpjegon në lidhje me komedinë se “Duhet të kujtojmë në ato vite kur ka origjinën vepra kishin kaluar të gjitha çmenduritë e viteve '60, revolucioni seksual, studentor, etj, etj. Kishim ardhur në pikën ku hajt të shpëtojmë familjen, çiftin. Një nga mesazhet e veprës është të shpëtohet çifti, por si duhet shpëtuar?! Prandaj kjo si vepër ngjiti. Tamam, tamam komedi me në qendër atë trinitetin e famshëm; burrë, grua, dashnor ka në të gjitha kohërat. Ndërkohë që dramaturgu René de Obaldia ka marrë në ekspertizë çiftin por jo familjen. Ka prekur mbijetesën e çiftit.”

Vepra “La Baby Sitter”, e cila është përkthyer në 28 gjuhë të botës, është një vepër që vjen moderrne edhe sot, pa humbur aspak nga rëndësia e komunikimit me publikun atë çfarë ka mëtuar që në origjinalitet. Francezi Obaldia përdor humorin e tij pa kufi duke mos humbur kurrë penën e tij akademike!

“Regjisori Vasjan Lami e ka pasur në sirtar për një kohë të gjatë këtë vepër, të rekomanduar nga miqtë e tij francez. U desh që të bëhej yllësia të themi apo të mblidhej edhe pjesa tjetër e grupit, me Lizën që në këtë rast, jo se është hera e vetme që është në komedi, por që është në suazën babysitteri I këtij produksioni. Ka marrë pjesë në mënyrë shumë të fuqishme edhe në menaxhim. Me Andian kemi shijuar provat, materialin dhe vërtet dhe Andia në çiftin e saj dhe unë në timin, jemi për mbrojtjen e çiftit. Na erdhi shumë mirë që morëm pjesë në këtë vepër”- shpjegon aktori Fuga.

Komedia çel siparin dhe publiku përballet me një mjedis familjar. Çifti i bashkëshortëve janë ulur të presin në divanin e dhomës së ndenjes  baby sitterin e fëmijëve të vegjël, sepse do shkonin tek shtëpia e miqve të tyre për gosti siç ndodhte prej kohësh çdo fundjavë.

Çifti ka 13 vjetë martesë dhe fluturat e fillimit “kanë ngordhur” që të gjitha.

Ky është lajtmotivi i komunikuar nga Elvire dhe Franklin, dy bashkëshortët modernë të një komedie të përjetshme.

Lodhja, pakënaqësitë, ankesat e pafundme të strukura thellë tyre dalin në dritë në një moment të vetëm duke ia përplasur keqasi në fytyrë njëri-tjetrit duke gjerbur nganjë gotë whisky.

Franklin, nga njëra anë, vuan nga "kompleksi i kujdestarisë së fëmijëve", një ndjenjë zhgënjimi nga e cila kërkon me domosdo të shpëtojë.

Ai miklon vashat e reja që i mbajnë fëmijët. I dëshiruar për seks dhe emocione në një jetë bashkëshortore shumë të varfër, si në monologjet e tij, ashtu edhe në dialogjet agresive me të shoqen, ai shfaq gjithë kohës epsh me gjuhën e trupit. Franklin ëndërron të jetë sikur edhe për pak kohë me një nga baby sitter-at e fëmijëve të tyre. Gjë që e shoqja ia ndalon duke e shpënë jashtë derës së shtëpisë.

 Ai i thotë gruas së tij në një prej dialogjeve, sesa herë që një nga këto krijesa të reja bukuroshe shpërthen në shtëpinë e tij, ai duhet të largohet menjëherë nga ambientet e shtëpisë.

Prandaj ky çift befason, i ngujuar në një kohë të vdekur. Por a nuk është jeta që ata kanë jetuar së bashku prej 13 vitesh një zinxhir i gjatë kohërash të vdekura? Ku janë gëzimi, entuziazmi për të qendruar bashkë, biseduar, dashuruar?

Bisedat mes çiftit lindin me një kundërvënie dëshirash. Frenklin nuk dëshironte të shkonte te miqtë e shtirur, kurse Elvira I vinte në dukje defektin e të ngrënit me babëzi derisa dialogu përfundon në sharje dhe ankesa dhe dëshira reciproke për të patur partner të tjerë nga marazi I vdekjes së dashurisë mes njëri-tjetrit.

Babysitteri më në fund i bie ziles, por nuk rezulton të jetë ajo që prisnin.

Luiza Xhuvani nën petkun e Séverine Cojannot prezantohet si motër e sektit të Jehovait. Në emër të Zotit të saj duke predikuar dhe cituar psalmet e biblës sipas numrave, ajo arrin ti marrë çiftit para duke I shitur libra fetar.

Ardhja e motrës Severine ndryshon kahjen dhe atmosferën e bisedës duke e futur edhe atë në lojë pas do kohe që motra e Jehovait i kishte rezistuar lojës edhe alkhoolit.

Vepra është dinamike, teksti rrjedh në trupat e personazheve dhe vjen qartë në kuptim tek publiku, I shoqëruar me notat e kitarës së Gjergj Kaçinarit që është edhe kompozitori I shfaqjes.

Dhe përballja e Elvirës dhe Franklinit me ardhjen e re do t'i japë një kthesë të papritur marrëdhënies të tyre.

Babysitteri në këtë vepër nuk ishte realisht kulmi I tretë I një trekëndëshi barabrinjës siç ndodh në historitë e zakonshme të tradhëtisë, por ishte një katalizator, që në bashkëveprim të dialogut arriti të nxisë çiftin të mendojë duke mbërrirë në aktin ekstrem të marrjes së jetës. Por fatmirësisht arma e gjetur në çantën e motrës Severinë qe çakmak. Një moment tragjikomik që e shpuri fatin e çiftit në një rrugë tjetër.

Vepra bart një histori dhe një identikit të një shoqërie me fenomene që I jetojmë edhe sot.

“Jetojmë kohëra të çoroditjes së madhe. Nëse do të bëja një skaner të 30 e ca viteve të post komunizmit, ne me shpejtësi të madhe hodhëm idhujt, pa qenë të përgatitur për zëvendësimin e tyre. Ne hodhëm idhuj duke nisur nga Ekonomia, industria, shpirti. Hodhëm edhe idhullin e familjes. Çdo dy vjetë kemi bërë luftë në ato vite. Tani jemi në një post COVID. Unë e shoh atë siç na e dha mesazhin; mund të jesh në një krevat, por nuk të kap njësoj. Fakti është që unë isha dhe ime shoqe jo. Ishte një sëmundje që shkonte tek individi. Por jo tek çifti. Çifti tashmë nëse do ta krahasojmë me mikrobotën, duhet të jetë çifti si atom për të krijuar molekulën pastaj që është familja. Dhe të zhvillohen me molekulat e tjera gjithë bota organike dhe materiale që kemi. Pra merret në shyrtim kjo fillesë. A kemi sfida? Kemi sfida jashëtzokinst shumë të mëdha. Mund të them se shumica e çifteve janë si çifti në fillim të veprës, jo në fund. Ne rrimë bashkë për të mbledhur pikë, jo për të ndarë përgjegjësitë e jetës. Ne nuk I japim varkës me të njëjtin ritëm dhe çuditemi pse qëndrojmë në mes të ujit”- kërkon të bëjë një analogji me veprën Fuga.

Vepra sipas Fugës tregon rrugën e zgjidhjes të rigjetjes së dashurisë mes çiftit që është mendimi, reflektimi dhe komunikimi.

Autori René de Obaldia është poet, romancier, dramaturg dhe akademik. Ai lindi në Hong Kong në vitin 1918 dhe u nda nga jeta në moshën 103 vjeçare më 2022. Ai u rrit në Paris. Obaldia e nisi karrierën e tij si dramaturg në vitin 1960 falë Jean Vilar, i cili i dha Theâtre National Populaire dramën e tij të parë të madhe "Genousie". I ndikuar nga surrealizmi dhe teatri "i njohur si absurdi", ai ka qenë për pesëdhjetë vjet një nga autorët francezë më të interpretuar në botë dhe i përkthyer në 28 gjuhë.

René de Obaldia

Ai u zgjodh në Akademinë Franceze në vitin 1999.

Vepra “La baby sitter” është përdorur si program mësimor në shkolla dhe universitete përmes një projekti për të edukuar brezin e ri me synim demokratizimin e dijes dhe pjesëmarrjen e plotë në mundësi të barabarta, për të punuar që kultura të ushqejë akoma më shumë shoqërinë.

Ky projekt është pjesë e boshtit të edukimit popullor nëpërmjet një autori bashkëkohor të Akademisë Franceze, të studiuar në Kolegj, i cili i dha të drejtat e tij këtij projekti për këtë qëllim duke patur parasysh postulatin e Nelson Mandela: “Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdorni për të ndryshuar botën. »


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë