Futboll

Kombëtarja e Gjermanisë po “digjet” nga brenda

Ajo paraqitje katastrofike e Gjermanisë në “Rusi 2018”, ku për herë të parë kjo kombëtare nuk kaloi fazën e grupeve, nuk mund të harrohet me kohën. Skuadra ka nevojë për ndryshim gjeneratash dhe i takon trajnerit Joakim Lëv ta bëjë këtë gjë, por ai gjendet para një rebusi të madh, që prestigjiozja “Spiegel” e analizon me detaje. Dhe bëhet fjalë për përçarje brenda grupit të lojtarëve të kombëtares së “pancerave”.

Nuk është diçka e re, por tashmë tabloja është edhe më e qartë. Në Gjermani “djeg” ende ai eliminim i turpshëm nga Botërori dhe tani duhet punuar fort për të ardhmen. Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, duhet të shpjegojë publikisht ditën e mërkurë arsyet e disfatës ruse, para se të shpallë listën e lojtarëve për ndeshjet me Francën më 6 shtator dhe me Perunë më 9 shtator. Lista pritet me shumë kuriozitet, sepse duhet të nisë ndërrimi i gjeneratave. Kampionë të tillë si Khedira, Myler dhe Boateng rrezikojnë vendin, ndërsa Ozil është tërhequr tashmë me dëshirën e tij. Por veç lojtarëve, të cilët do t’u jepet më shumë përgjegjësi, siç janë Brandt, Sané dhe Rudi, duhet të zgjidhet një problem: brenda grupit ka një përçarje të thellë. Nga njëri krah janë gjermanët dhe në krahun tjetër lojtarët e natyralizuar. Nuk është një tematikë për t’u nënvlerësuar, duke ditur që te skuadrat e të rinjve 30% e lojtarëve nuk kanë origjinë gjermane.

Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, dhe presidenti i Federatës Gjermane, Reinhard Grindel

"Kartoffeln" kundër "Kanaken”

Që kishte një ndarje në grupin e lojtarëve, ishte e qartë, por “Spiegel” sjell detaje vërtet shqetësuese për gjermanët. Për ta bërë më të thjeshtë situatën: nga njëra anë ishin “Kanaken” (termi përçmues në Gjermani për të treguar emigrantët), dhe nga ana tjetër “Kartoffeln”. Në grupin e emigrantëve, të vetëquajtur “Kanaken”, bëjnë pjesë Boateng, Ozil, Gyndogan dhe Rudiger. Në grupin e “gjermanëve tipikë” janë Myler, Humels, Neuer e të tjerë, të mbiquajtur "Kartoffeln" (fjala me të cilën turqit që jetojnë në Gjermani etiketojnë vendasit). Khedira është afruar më shumë te grupi i gjermanëve, kurse Draksler është në mes.

Kros, Myler dhe Humels, disa nga pjesëtarët e "Kartoffeln"

Përballen dy stile jete krejtësisht të ndryshëm. “Kanaken” pëlqen muzikën rep, zinxhirët prej floriri dhe makinat luksoze, kurse "Kartoffeln" janë më të qetë dhe parapëlqejnë të jenë të rezervuar. Në këtë sens, Boateng, Rudiger dh të tjerët do të talleshin me Humelsin, i cili pëlqen të sillet, vishet dhe jetojë me klas të lartë. Ka pasur tension brenda skuadrës dhe përçarja është kulturore. Si "Kanaken", ashtu edhe "Kartoffeln", u zhgënjyen nga zgjedhjet e trajnerit Lëv, pasi të parët donin Sanè në Botëror dhe të dytët Vagner. Ndoshta për këtë arsye trajneri gjerman i la të dy jashtë, duke i surprizuar të gjithë.

Ozil dhe Rudiger, dy nga pjesëtarët e "Kanaken" (i pari i tërhequr)

Në Gjermani shqetëson shumë e ardhmja dhe duhet zgjidhur problemi para se të marrë përmasa më të mëdha. Përçarja është dukshme  dhe falë detajeve që ka sjellë “Spiegel” situata është alarmante.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë