Ne rrjet

Komandanti i Bondsteel: Nuk largohemi nga Kosova pa u arritur pakti me Serbinë!

Komandanti i kampit të Bondsteel-it në Ferizaj, Roy J. Macaraeg ka deklaruar në një intervistë së baza amerikane do të vazhdojë të qendrojë në Kosovë minimalisht derisa të jetë arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Në një intervistë me “European Western Balkans” ai thotë se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme, por thekson se Uashingtoni nuk ka asnjë plan për tërheqjen e trupave nga Bondsteel.

Marrëveshja e paqes është thelbësore për anëtarësimin e mundshëm në NATO dhe BE-së si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, por asnjëra nga palët duket se nuk është e gatshme të ulet pa kushte në tryezë për të arritur një marrëveshje. Vetë Presidenti Trump është shprehur më se i gatshëm të ndihmojë në arritjen e një pakti dhe ka dërguar plot katër letra duke u bërë thirrje të dyja palëve të rikthehen në tryezën e bisedimeve, por shumë ekspertë në Prishtinë ishin të shqetësuar për të ardhmen e aleancës me SHBA-në, pas refuzimit të Haradinajt për të hequr taksën ndaj importeve serbe.

Çështja e largimit të trupave amerikane është përmendur ditë muaj më parë kur në Kosovë qëndruan dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë të cilët kërkuan heqjen e taksës ndaj mallrave serbe në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet. Ambasada amerikane ka mohuar që përfaqësuesit e SHBA të kenë kërcënuar me largim të ushtarëve, por lajmet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Ndërkohë që KFOR-i festoon 20-vjetorin e tij në Kosovë, koloneli Roy J. Macaraeg, komandanti i grupit me seli në kampin "Bondsteel", thotë se prania ushtarake ishte dhe është ende e rëndësishme dhe themelore për të ofruar sigurinë në Kosovë. Sipas tj, Bondsteel është "një kusht i domosdoshëm" për vazhdimin e dialogut Beograd - Prishtinë.

Roy J. Macaraeg

"KFOR-i do të qëndrojë derisa situata të jetë tërësisht nën kontroll. Nuk ka një datë të caktuar përfundimtare për misionin dhe NATO-ja dhe SHBA-ja aktualisht nuk kanë asnjë plan për të zvogëluar ose tërhequr trupat nga Kosova”, thotë Macaraeg.
Megjithatë, në një rajon si Ballkani, bazat ushtarake lënë mjaft vend për diskutim, teori komploti, frikë dhe njëkohësisht, siguri. Për shumë ekspertë, baza amerikane duhet të vazhdojë të qëndrojë në rajon për të mbajtur një sy nga Serbia dhe aktivitetet e dyshimta të Rusisë. Pozicioni i kampit e bën Bondsteel vendin më të rëndësishëm ushtarak të SHBA-së në Europë. Të gjitha pikat e rëndësishme strategjike të rajonit janë të aksesueshme nga kampi: kontigjenti ushtarak i SHBA-së në Maqedoni dhe Bosnje, baza ushtarake amerikane në Itali dhe baza ajorore Incirllik në Turqi. Bondsteel ka një pozicion ideal edhe për vendet fqinje të NATO-s, të cilat, në rast konflikti mund të fluturojnë për t’u pajisur me municione dhe përforcime brenda disa orësh. Edhe pse mirëmbajtja e bazës i kushton SHBA-së qindra milionë dollarë dhe situata në Kosovë është normalizuar, qeveria amerikane nuk ka dhënë asnjë sinjal për mbylljen e saj.

Duke folur për rritjen e tensioneve pas debateve mbi ndryshimin e kufijve dhe ngërçin në dialogun Beograd - Prishtinë, ai shpjegon se në terren nuk ekzistojnë tensione reale, por se Bondsteel do të ofrojë siguri ndërkohë që vazhdojnë bisedimet mes dy vendeve.

"KFOR-i është një mision ushtarak, i angazhuar për të garantuar siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë. Nga një perspektivë ushtarake, kushtet e sigurisë janë plotësuar. KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë siguri në mënyrë që dialogu politik të vazhdojë për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ", thotë Macaraeg.

Duke komentuar deklaratat e bëra nga Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Amerikan në mars të këtij viti së nëse Kosova nuk heq tarifat serbe, SHBA-ja mund të tërhiqet nga Kampi "Bondsteel", ai shpjegon se Uashingtoni nuk ka asnjë plan që kjo ndodhë".

“Shtetet e Bashkuara përkrahin KFOR-in dhe praninë e trupave të SHBA-ve në Kampin Bondsteel që ruan një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë”, thotë ai.

Bondsteel

Deklarata e tij vjen pas disa raporteve të muajve të fundit mbi mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane. SHBA ka kërkuar më çdo kush rikthmin në tryezën e bisedimeve, por që dialogu të vazhdojë, Serbia ka vënë si kusht anulimin e taksës doganore.

Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar garanci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian se dialogu i ardhshëm me Serbinë nuk ka si qëllim ndarjen e Kosovës, por arritjen e një marrëveshjeje paqësore që si rezultat do të ketë edhe njohjen reciproke para se të marrin hapin tjetër për heqjen e tarifës doganore. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se ai nuk ka marrë ende garanci ndërkombëtare, para se të marrë vendimin për anulimin e taksës.

Prishtina zyrtare ndodhet përballë një momenti kyç që do të jetë mjaft vendimtar për të ardhmen: arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Por pa Shtetet e Bashkuara përkrah saj në tryezën e bisedimeve, rezultati i kësaj marrëveshjeje mund të rezultojë katastrofik për Kosovën.

Sipas një sondazhi, sot shqiptarët e Kosovës i japin Trump pikë shumë të larta mbështetjeje, 75 për qind, më shumë sesa çdo vend tjetër në botë. Si vendi më pro-amerikan në botë, Kosova po përballet sipas kryeministrit Haradinaj me një agresion të pashembullt nga Rusia, e cila e ka bërë të qartë se do të bëjë të pamundurën për t’u përfshirë në dialogun Prishtinë-Beograd.
Në një intervistë për mediat amerikane disa muaj më parë, kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se ndihmesa e SHBA do të ishte thelbësore për Kosovën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë