Futboll

Kolinda, fituesja e vërtetë e Botërorit

Nëse FIFA do të ndante në fund të Kupës së Botës një çmim për personazhin VIP në shkallët e stadiumeve ruse, atëherë pa pikën e dyshimit që ky çmim do të shkonte për Presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Presidentja e Kroacisë nuk u shfaq shpesh gjatë ndeshjeve të fazës në grupe, por fill pas kësaj mori gradualisht vëmendjen thuajse në të njëjtat përmasa sa skuadra e Zlatko Daliç në fushë.

Gjithçka nisi me shfaqjen pas fitores me 11-metërsha ndaj Danimarkës. E veshur me fanelën kroate, Presidentja zbriti personalisht të përqafonte në dhomat e zhveshjes heronjtë e saj për të festuar kalimin në çerekfinale.

Foto me trajnerin Zlatko Daliç nga dhomat e zhveshjes së lojtarëve

Skenat e urimeve dhe të përqafimeve i transmetoi drejtpërdrejtë në profilet e veta zyrtare në rrjetet sociale.

Ashtu siç skuadra nuk ngopej me pak në fushë, ashtu edhe Presidentja në shkallët e stadiumit. Danimarka u kalua. Në çerekfinale ishte një tjetër sfidë e vështirë, këtë herë përballë organizatorëve. Kroatët e kaluan edhe këtë vështirësi dhe e bënë me të njëjtin skenar si me Danimarkën; nga pika e bardhë e 11-metërshave pas përfundimit të kohës shtesë.

Kolinda zbret sërish në dhomat e zhveshjes, këtë herë më e lumtur se pas sfidës me Danimarkën. Kishin për çfarë të gëzoheshin të gjithë. Skuadra ishte kualifikuar në gjysmëfinale duke barazuar rekordin e Botërorit 1998.

Biletën për finale e diskutonin me Anglinë. Kroatët u gjendën shpejt në disavantazhin e një goli, por barazuan dhe pak minuta nga përfundimi edhe i kohës shtesë përmbysin gjithçka dhe rrëmbejnë biletën e finales.

Jashtë fushe, ditën e finales së madhe Kolinda Grabar-Kitaroviç takohet me Presidentin rus, Vladimir Putin. Nuk ishte hera e parë që takoheshin mes tyre, por shefi i Kremlinit i qëndroi traditës duke e mikpritur me një buqetë të madhe me lule.

Nëse në takimet e tjera mbrapsht kishte marrë vetëm buzëqeshjen e Presidentes kroate, këtë herë gjërat ndryshuan. Si finaliste me kombëtaren e saj, Kolinda Grabar-Kitaroviç i dhuroi Presidentit rus një fanelë me numrin 9 dhe emrin Putin mbi të…një sulmues i vërtetë.

Në finale i priste Franca, ndërsa në tribunë Kolinda Grabar-Kitaroviçin homologu i saj francez, Emmanuel Macron.

Në mes të tyre qëndronte vetë Vladimir Putin dhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Macron gëzon i pari, falë një autogoli të Mandzukiç. Imazhet e festimit të Presidentit francez u shpërndanë me shpejtësi dhe në disa prej tyre shihej e mërzitur në krah Presidentja kroate. Kroatët u kundërpërgjigjen me Perisiç dhe në këtë moment Presidentja e tyre gëzon në shkallët e stadiumit, madje si për inat duke iu drejtuar Macronit të ngrirë.

Gjithsesi, Macron ishte ai që buzëqeshi i fundit dhe nën rrebeshin e ndarjes së medaljes dhe trofeut u shoqërua nga Kolinda, e cila gjithashtu kishte pse të gëzonte. Kroacia e saj e vogël kishte prekur majën e Botës me arritjen në finale. Botërori i tyre ishte fantastik, por që i mungoi vetëm trofeu në fund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë