Njerez

Kolapsi që e pret shëndetësinë shqiptare: Brenda 5 vitesh, do të vuajmë për mjekë, infermierë, fizioterapistë nëse nuk merren masa që sot

Nga Gazeta Si - Shqipëria, njëjtë si Gjermania apo Italia, do të kalojë në kolaps në sistemin shëndetësor nëse nuk merren masa për të mbajtur mjekët në vend.

Dhe masat që duhet të merren nuk përfshijnë ligjin që detyron studentët e mjekësisë që të qëndrojnë në vend për të punuar 2 deri në 5 vite pas studimeve ose të paguajnë një tarifë prej 240 mijë lekësh për një vit akademik.

Aurora Dollenberg, Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, njëkohësisht edhe mjeke në Gjermani, në një prononcim për Gazetasi.al thotë se në Gjermani është vërtetuar se një ligj i tillë nuk është produktiv dhe madje krijoi një mungesë që në auditore pasi studentët vendosën që të largohen nga vendi për të studiuar.

LEXO EDHE:
Pse s'funksionon me mjekët politika e 'shkopit dhe karotës'?

“Mungesa e mjekëve prek shumë vende, jo vetëm Shqipërinë. Një pjesë e mirë e mjekëve të dipomuar në Itali, ku një pjesë e vogël janë edhe shqiptarë, pasi diplomohen, tentojnë të shkojnë në vende të tjera siç mund të jenë Gjermania, Zvicra, Zelanda e re dhe Anglia ku rrogat janë më të larta dhe kanë një sistem më të mirë shëndetësor”, thotë Dollenberg.

Aurora Dollenberg, Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë.

Gjermania, e cila prej 10 vitesh ka një mungesë mjekësh, prandaj dhe ka filluar masivisht politikat për rekrutimin të personelit mjekësor nga Ballkani perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Dollenberg thotë se vendet europiane kanë një moshë mesatare më të plakur dhe nga ana tjetër kanë më pak mjekë të rinj dhe në këtë rast, “patjetër që deficiti dhe mungesa e mjekëve nëpër spitale sidomos në të gjithë Europën është në rritje” dhe janë vende si Shqipëria që ka një moshë mesatare më të re akoma, rreth 35-vjeçare, që është dhe mosha mesatare e mjekëve që largohen nga vendet e tyre, që ‘furnizon’ këto vende.

“Është një fakt real që Shqipëria në 5-vjeçarin e ardhshëm do vuajë për mjekë, infermierë, fizioterapistë, laborant etj pasi do shkojnë drejt vendeve që kanë nevojë dhe marrin një rrogë më të mirë sesa në Shqipëri”, thotë Dollenberg, duke shtuar se vendi ynë duhet të marrë masa për të mbajtur mjekët në vend dhe jo nëpërmjet ligjeve që u bllokon diplomën por duke marrë masa kompetitive me tregun europian për të ‘joshur’ mjekët e rinj që të qëndrojnë në Shqipëri.

“Duhet të bëhet puna më tërheqëse dhe jo vetëm që mjeku të ketë një rrogë më të lartë por një vend pune më miqësor dhe nxitës për të bërë specializime, doktoratura”, thotë Dollenberg.

Gjithashtu, Dollenberg shton se specializimet të bëhen në disa qendra në qytete të mëdha të Shqipërisë si Shkodër për shembull.

“Do kemi një kolaps në sistemin shëndetësor nëse nuk merren masa për t’i mbajtur mjekët në vend”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë