Irena Beqiraj

Pse s’funksionon me mjekët politika e ‘shkopit dhe karotës’?


Me këto ritme që po ikin mjekët, shumë shpejt do të zëmë radhë për t'u vizituar tek veterineri, edhe kjo nuk është ironi.

Të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2011-2019, Leitner (2021) tregojnë se 40% e emigrimit nga Shqipëria klasifikohet si ikje e trurit.

Kjo shifër është më e larta krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Edhe fatkeqësisht janë veçanërisht mjekët, grupi i profesionistëve më të prekur nga emigracioni në Shqipëri.

Vendet si Shqipëria do të jenë në një "betejë" të vazhdueshme me vendet e zhvilluara europiane të cilat do të vazhdojnë të tërheqin personel mjekësor të kualifikuar. Europa po plaket.

Në vitin 2020, 1 në 3 mjekë në Europë ishte mbi 55 vjeç dhe shumë vende europiane dhe të OECD(Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik) raportojnë mungesa kronike të mjekëve dhe personelit tjetër mjekësor.

Politika “e sukseshme” ku Zana, Albana, Korabi e Drini lanë Tiranën për të kontribuuar në rrethe, ndërkohë që merrin një bonus të konsiderueshëm, nuk i nxorri spitalet rajonale nga statusi i hotelit me dy yje pa shërbimin e përshtatshëm mjekësor.

Por qeveria nuk dorëzohet. Një politikë tjetër "të sukseshme"  por sërish të painformuar po tenton të implementojë. Këtë herë po përdoret shkopi. Zanat, Albanat dhe Korabët që do të përfundojnë studimet rishtazi duhet të qëndrojnë në Shqipëri, përndryshe do të duhet të paguajnë 5000 Euro.

Të dy këto politika mbështetet tek bindja konvencionale që emigrimi i mjekëve nga Vlora në Tiranë më pas nga Tirana në Gjermani ndodh për shkak të të ardhurave, edhe si rrjedhim edhe zgjidhja  gjendet tek format e pagesës herë në formën e karotës (bonusit ) e herë në formën e shkopit (gjobës).

Por Artani që punon mjek në Gjermani thotë: “Faktori kryesor që i shtyn mjekët të emigrojnë është zhvillimi profesional, specializimi luan një rol kyç. Një aspekt tjetër është teknologjia, pajisjet e përdorura, metodat e reja të kërkimit, pjesëmarrja në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo e bën punën tonë shumë interesante dhe të këndshme. Nuk ka të bëjë vetëm me rrogën, por më së shumti me avancimin profesional. Puna e mjekut nuk është vetëm të fitojë bukën e gojës, bëhet mision”.

“Të ardhurat nuk janë faktori kryesor që i shtyn mjekët e rinj të migrojnë. Të jemi të qartë, aspekti ekonomik në Shqipëri kompensohet për shumicën e mjekëve me paratë që marrin si dhurata nga pacientët. Kjo është bërë praktikë normale. E kam përjetuar këtë dhe jam përpjekur ta shmang. Por nëse nuk bëheni pjesë e sistemit, atëherë do të konsideroheni si i çuditshmi”, thotë Kastrioti ,një tjetër mjek i emigruar në Gjermani.

Këto dëshmi edhe të tjera dëshmi nga mjekë të larguar gjenden në një studim të bërë në Maj të vitit 2023 nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale. 

Po ta lexosh Studimin informohesh se të ardhurat nuk janë faktori kryesor që mjekët largohen nga Shqipëria. Në përgjigjet e mjekëve të anketaur ky faktor zë vetëm 30.2 % ndërkohë që 69.8% përgjigjen se faktorë të tjerë si, kushtet e punës, avancimi i vazhdueshëm profesional në një mjedis mbështetës, të sigurt dhe më të mirë, ulja e nepotizimit, janë arsyet pse largohen me mundësinë më të parë.

Por ç'është më e keqja duket se ky emigrim jo vetëm po rritet por është permanent.

Të dhënat e sondazhit, tregojnë që “vetëm 15% e mjekëve shqiptarë që punojnë jashtë duan të kthehen në vendin e tyre, 31.6% thonë se janë të pavendosur por më shqetësuesja, është se 52.8% deklarojnë se nuk duan të kthehen në Shqipëri”.

Ikja e mjekëve nga Shqipëria ku sipas shifrave shëndetësia “falas” zë vetëm  3.2% të PBB-së  ndërkohë që Gjermania ku emigrojnë mjekët tanë harxhon 8.6% të PBB-së  vështirë se parandalohet me gjoba.  Në mungesë të një sistemi të përshtatshëm shëndetësor, i cili ofron jo vetëm një rrogë të denjë por mbi të gjitha mundësi për t’u zhvilluar profesionalisht, ato do të vazhdojnë të mos kthehen në Vlorë apo të ikin pa e kthyer kokën prapa.

Ndoshta qeveria duhet të kërkojë 'mekanizma kompensimi' nga vendet që përfitojnë më shumë nga 'eksporti' i mjekëve kryesisht Gjermania dhe Italia. Mekanzima këto që mund të ofrohen në formën e financimit edhe të bashkëpunimit midis  universiteteve, spitaleve dhe laboratorëve kërkimorë.

Kjo do të krijonte mundësinë që mjekët të kishin kushtet e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm profesional, pa u larguar nga vendi edhe mund të ofronte mundësinë e zgjeruar të numrit të kuotave të studentëve shqiptarë që mund të studionin mjekësi. Ndërkohë që politika e propozuar mund të çojë në rezultatin e kundërt. Ajo mund të ulë numrin e kërkesave për të ndjekur studimet për mjekësi duke i shtyrë të rinjtë larg profesionit që kërkon investimin më të gjatë personal por që tani ke edhe gjobë nëse nuk qëndron në atdhe.

Ndërkohë qeveria edhe menaxhuesit e burimeve njerëzore të sektorit shëndetësor duhet të eksplorojnë të gjitha mundësitë, përtej zgjidhjeve dembele të shkopit edhe karotës ( bonusit edhe gjobës ) që të zëvendësojnë emigracionin permanent me një skemë të orientuar drejt emigracionit qarkullues.

Kjo do të nxiste rritjen e aftësive, kualifikimeve dhe njohurive të mjekëve shqiptarë dhe do të nxiste futjen e ideve dhe sistemeve të reja operative në sektorin e shëndetësisë shqiptare.

Duket e vështirë apo e pamundur?

Jo nuk është! Hapi i parë i thjeshtë është të informoheni para se të hartoni politika.

Nëse politikëbërëset do të informohen jam e sigurt që do ta kuptojnë shpejt që në situatën që jemi politikave të atrofizuara e dembele të shkopit edhe karotës u ka ikur koha e nuk pinë më ujë.


Copyright © Gazeta “Si”