Treg

Kohë të vështira për tregtinë globale, Kina sfidon seriozisht SHBA-në dhe BE-në

Nga Gazeta 'Si' - Administrata komunale e Shenzhenit, metropolit jugor të Kinës, ku janë përqendruar shumica e kompanive teknologjike të vendit aziatik, ka shpallur një plan për të zgjeruar eksportet e makinave.

“Një nismë që do të rrisë frikën në Perëndim mbi të ardhmen e industrisë së saj prodhuese”- shkruan Financial Times.

Autoritetet njoftuan zbatimin e 24 masave, përfshirë subvencionet për hapjen e fabrikave të reja, krijimin e rrugëve të reja të transportit dhe licensimin e 20 kompanive të tjera për eksportin e makinave të përdorura. Shërbime lehtësuese si sigurimi i eksportit, rimbursimet më të shpejta të taksave dhe financimi preferencial, do t’u ofrohen blerësve të makinave kineze jashtë shtetit.

Po ashtu, kompanive vendase u është kërkuar të blejnë më shumë anije mallrash, në mënyrë që me kalimin e kohës Kina të ketë flotën e saj për transportin e automjeteve. BYD, kompania lidere në botë për makinat elektrike, porositi në janar blerjen e një anije të aftë të transportojë në të njëjtën kohë 7 mijë makina, të cilat nisi t’i eksportonte në Gjermani.

Por plani i Shenzhen nuk ka të bëjë vetëm me makinat elektrike, por edhe ato me motorë me naftë dhe benzinë. Vitin e kaluar, Kina e kaloi Japoninë si eksportuesja kryesore e makinave në botë, duke shitur 5 milionë të tilla jashtë vendit. Vlera e eksporteve në këtë fushë, u rrit me 74 për qind krahasuar me vitin 2022, dhe arriti në 78 miliardë dollarë.

Dhe kjo nuk është e rastësishme. Sipas vlerësimeve të kompanisë kërkimore Bernstein, Kina është aktualisht e aftë të prodhojë 40 makina në vit, por kërkesa e brendshme mund të thithë maksimumi 25 milionë prej tyre. Lajmet që vijnë nga Shenzhen e shqetësojnë jo pak Perëndimin.

Ky i fundit druhet se do të pushtohet nga produkte kineze me cilësi të mirë, dhe me çmime të përballueshme në shumë sektorë, dhe jo vetëm në atë të makinave. Gazeta amerikane “Wall Street Journal” flet për një “tronditje të re kineze”, si ajo që ndodhi në fund të viteve 1990 dhe fillimin e viteve 2000, kur sasi të mëdha produktesh me kosto të ulët të prodhuara në vendin aziatik, nisën të qarkullojnë kudo nëpër botë.

“Tani mund të ketë një vazhdim të saj, pasi Pekini po vazhdon të fokusohet në eksportet e prodhimit për të nxitur rritjen ekonomike të Kinës. Fabrikat e saj, po prodhojnë më shumë makina, makineri dhe pajisje elektronike sesa mund të përthithë kërkesa e brendshme.

Të mbështetur tek kreditë me interesa të ulëta dhe ndihma shtetërore bujare, kompanitë kineze janë gati të nxjerrin produktet e tyre në tregjet e huaja”- thekson WSJ.

Kështu dëshiron Pekini që të arrijë objektivin e rritjes të vendosur për këtë vit: 5 për qind. Dallimi është se këtë herë rritja duhet të vijë me mallra shumë më të sofistikuara dhe konkurruese. Sipas një studimi të fundit nga kompania kërkimore dhe konsulente Rhodium Group “kompanitë kineze kanë dështuar më herët të mbajnë të njëjtin ritëm me Gjermaninë në prodhimin e makinerive, makinave dhe kimikateve të avancuara, por tani gjithçka po ndryshon”.

Për shembull në disa sektorë si çeliku, solari dhe metalurgjia, gjermanët “kanë filluar të ndiejnë presionin e kinezëve”. Për rrjedhojë, ndërsa vitet e fundit udhëheqësit politikë dhe industrialë në Gjermani ishin në favor të një bashkëpunimi të madh ekonomik me Kinës, sot ata po flasin për “një konkurrencë të pandershme, që kërcënon vendet e punës dhe mirëqenien kombëtare”.

Për shumë vite, eksportet e Gjermanisë drejt Kinës u rritën me ritme dyshifrore. Por vitin e kaluar, ato shënuan një rënie të madhe pas arritjes së kulmit një vit më herët: një arsye është ngadalësimi i rritjes kineze, por ndryshimin kryesor e nxiti ndryshimi në skenën globale, por edhe raportet midis dy vendeve.

Një ndryshim tjetër është se sot Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera, si Japonia, po investojnë në industritë e tyre prodhuese. Synimi i tyre është të prodhojnë atë që u nevojitet në vend apo tek vendet aleate, dhe jo në Kinë.

Për këtë arsye, ata po shpenzojnë miliarda dollarë për ndihmën ndaj sektorëve që konsiderohen strategjikë dhe kanë vendosur (Shtetet e Bashkuara) ose kërcënojnë ta bëjnë këtë (Bashkimi Evropian) taksa të rënda doganore ndaj importeve kineze.

Dhoma e Tregtisë e SHBA-së në Kinë, deklaroi se “mbi-kapaciteti industrial i vendit aziatik, është një problem që nuk do të zhduket së shpejti”. Sipas saj, kompanitë e huaja duhet të përshtaten me idenë se ekonomia e dytë më e madhe në botë, po përpiqet të kompensojë përmes eksporteve kolapsin në sektorin e saj të pasurive të paluajtshme.

Siç e shpjegon revista ekonomike Caixin, qeveritë lokale të provincave kineze, deri më sot nxitëset kryesore të investimeve në pasuri të paluajtshme, po e kthejnë me shpejtësi vëmendjen tek sektorët industrialë të përparuar, pasi më shumë se gjysma e tyre nuk arritën objektivat e rritjes së PBB-së për vitin 2023.

Dhe rezultati mund të jetë një botë, në të cilën qeveritë konkurrojnë për të parë se kush ofron subvencionet më bujare për industrinë, dhe në të cilën tregjet janë të përmbytura me produkte që nuk mund të gjejnë kërkesën e duhur. Një situatë e aftë të shtojë më tej tensionet tregtare dhe politike.

Po kush do të jetë i gatshëm të blejë mallrat kineze? Dikur ishin Shtetet e Bashkuara dhe pjesërisht Bashkimi Evropian. Sot nuk është më kështu. Sipas disa analistëve, një alternativë për Pekinin do të ishte zhvendosja e vëmendjes drejt vendeve në zhvillim.

Por siç vëren Michael Pettis, ekonomist amerikan që jep mësim në Fondacionin Carnegie për Paqen ndërkombëtare “kjo nuk është një zgjidhje e zbatueshme”, pasi bota në zhvillim “nuk mund të përballojë deficitet tregtare të nevojshme për të përthithur suficitin kinez”, përveçse nëse Pekini i financon ato me një sasi të madhe kredish dhe investimesh.

Dhe ata që kanë më shumë burime, për shembull një vend i madh në zhvillim si India, s’kanë ndërmend ta bëjnë këtë. Një skenar tjetër i mundshëm, përfundon Pettis, është që Kina të mos regjistrojë më suficite të mëdha tregtare, dhe kësisoj të detyrohet ta zgjidhë problemin brenda vendit.

Por për të shmangur këtë skenar të mundshëm “Pekini po përqendrohet ende në sektorin e prodhimit, ndërsa përpiqet me shumë vështirësi të braktisë investimet joproduktive tek pasuritë e paluajtshme dhe infrastruktura, duke shpresuar se këtë shembull do të ndjekë edhe pjesa tjetër e botës”.

Mos-balancat e dukshme në tregtisë globale, do të kërkonin një zgjidhje të përbashkët, një marrëveshje të arritur me ndërmjetësimin e një institucioni si Organizata Botërore e Tregtisë (OBT). Samiti i kësaj të fundit, sapo u zhvillua në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Aty ranë në sy mosmarrëveshjet e forta midis Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Bashkimit Evropian. Organizata arriti të miratojë vetëm zgjatjen edhe për 2 vite të tjera të përjashtimit nga tarifat të tregtisë online. Një dëshmi e mëtejshme e faktit, që siç e theksonte francezja “Le Monde” në prag të takimit, tregtia globale është sot “në mëshirën e ligjit të më të fortëve”, pasi OBT-ja është prej kohësh jofunksionale.

“Gjatë presidencës së Donald Trump, Shtetet e Bashkuara e bllokuan funksionalitetin e tij, një qasje që u ndoq edhe nga pasardhësi i tij Joe Biden. Dhe kjo gjë ka nxitur fillimin e një periudhe pasigurie shumë shqetësuese”. Masat proteksioniste të Shteteve të Bashkuara, të cilat e akuzojnë Kinën se nuk po respekton rregullat e OBT-së, u pasuan me hakmarrjen e Pekinit.

“Por nga ana e saj Shtëpia e Bardhë, nuk nguroi të shkelte rregullat e OBT-së, duke nisur zbatimin e një plan gjigant të subvencionimi për tranzicionin ekologjik, Aktin për Reduktimin e Inflacionit”. Fatkeqësisht keq, përfundon gazeta franceze, “ka pak mundësi që kjo organizatë të rifitojë së shpejti një rol drejtues, dhe ky boshllëk duhet të plotësohet”. Edhe sepse tensionet tregtare, proteksionizmi dhe nacionalizmi, degjenerojnë zakonisht në konflikte, të cilat në të kaluarën kanë sjellë pasoja katastrofike.

Burimi: Internazionale/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë