Keshilla

Koha para ekraneve dëmton seriozisht sytë: Si ta shmangni

Çdo ditë që kalon, më shumë pacientë po kërkojnë kujdes mjekësor, pasi kanë kaluar ditë të gjata para ekraneve digjitalë. Simptomat më të zakonshme përfshijnë sytë e irrituar apo kruarje dhe një ndjesi e thatësirës apo sikur sipërfaqja e syrit është e mbushur me kokrriza rëre.

Këto janë shenjat kryesore të sëmundjes së syrit të thatë, e cila prek nga 5 deri në 50 për qind të popullsisë së botës, në varësi të moshës, gjinisë, përkatësisë etnike dhe faktorëve të tjerë. Kjo gjendje mund të shfaqet si pasojë e shumë shkaqeve, por një rol të rëndësishëm luan mënyra e jetesës.

Një nga faktorët kryesorë, është qëndrimi para ekraneve digjitale dhe kryesisht qëndrimi për një kohë të gjatë. Ne i pulitim më pak sytë sesa zakonisht kur qëndrojmë para kompjuterit, telefonit dhe tabletit. Edhe kur e bëjmë këtë, pulitja e syve është shpeshherë e paplotë.

Kjo nënkupton se syri nuk mbyllet plotësisht. Ekranet, janë gjithashtu një burim i dritës së projektuar, e cila e rrit temperaturën e sipërfaqes së syrit dhe e përshpejton procesin e avullimit të lotëve. Studiuesit në Universitetin e Santiago de Compostelas në Spanjë, kryen një studim me studentët e universitetit që morën leksione hibride gjatë pandemisë së Covid-19.

Pra 50 për qind e klasës i ndiqte leksionet personalisht në sallë, dhe 50 për qind përmes lidhjeve video. Sipas të dhënave që grumbulluan, studiuesit vunë re se rritja e kohës para ekranit lidhej me simptoma më të rënda të sëmundjes së syrit të thatë. Simptoma më akute, shfaqën ata që përdornin ekranet për më shumë kohë jashtë orëve të shkollës (mbi 8 orë në ditë).

Megjithëse reduktimi i kohës para ekranit, është i pamundur për ata që merren me punë të caktuara, ne mund të reduktojmë acarimin dhe problemet me sytë, duke ndjekur disa rekomandime. Po ashtu një kuptim themelor i kësaj dukurie, mund të na ndihmojë që të kujdesemi për sytë tanë.

Pikat e lotit dhe qepallat

Sipërfaqja e syrit përbëhet nga qepallat, shtresa e lotit (mbulesa e lëngshme e syrit), kornea dhe konjuktiva. Shëndeti i këtyre indeve është i lidhur me funksionimin e syrit. Nëse ndonjë prej tyre preket, kjo mund të çojë tek acarim në sy. Vetë shtresa i lotit përbëhet nga dy nënshtresa.

Ajo e poshtme përbëhet nga proteina dhe ujë, ndërsa nënshtresa e sipërme përbëhet nga vaj. Shtresa e ujit është përgjegjëse për mbajtjen e syrit të hidratuar, ndërsa vaji e pengon atë të avullojë shumë shpejt. Problemet me secilën shtresë mund të shkaktojnë çekuilibër, duke i penguar ato të shpërndahen në mënyrë të barabartë dhe të çojnë në acarim.

Qepallat janë ato që mbajnë shtresën e lotit të shpërndarë në mënyrë të barabartë, si dhe që ofrojnë mbrojtje. Pulitja më rrallë e tyre - gjë që ndodh kur shohim mbi një ekran - pengon që  kjo shtresë të shpërndahet siç duhet mbi sipërfaqen e syrit.

A vuani nga sëmundja e syrit të thatë?

Së pari dhe më kryesorja, në shumë raste nuk ka arsye të bini pre e panikut: të vuash nga një lloj simptome e syve të thatë, nuk do të thotë domosdoshmërish se je prekur realisht nga kjo sëmundje. Udhëzuesi i publikuar nga “Tear Film & Ocular Surface Society”, e bën shumë të qartë se përveç simptomave të raportuara, pacientët duhet të shfaqin edhe shenja të dëmtimit të sipërfaqes së syrit.

Një mjek i fushës do të përcaktojë nëse ekziston ky dëmtim, dhe çfarë masash të mëtejshme duhen marrë. Megjithatë, janë disa shenja që duhen pasur parasysh. Këto përfshijnë ndjesinë e tharjes së syrit, kruajtjes, djegies, acarimit ose lotimit. Studiuesit kanë zbuluar se simptoma më e zakonshme pas përdorimit të zgjatur të ekranit është acarimi ose skuqja e syve.

Si të reduktoni acarimin dhe si të shmangni sëmundjen e syrit të thatë

Duke marrë masa paraprake, ne mund të sigurohemi që ekranet të punojnë për ne, dhe jo kundër nesh.

Lartësia e ekranit

Është gjithmonë më mirë që t’i mbani ekranet nën nivelin e syve. Në këtë mënyrë, qepallat nuk kanë pse të hapen aq shumë. Dhe kjo do të thotë se për periudha të gjata kohore, ka një ekspozim më të madh të sipërfaqes së syrit.

Pozicioni i ekranit dhe ndriçimi

Duhet të shmangni reflektimin e dritës nga ekranet, qoftë nga një llambë apo nga një dritare nga pas vendit ku jeni ulur. Drita e tepërt na detyron të përqendrohemi më shumë, dhe për këtë arsye të pulitim më pak sytë. Kjo mund të zgjidhet duke përdorur filtra anti-reflektues.

Periudhat e pushimit

Pushimi është miku më i mirë i syve tuaj. Një rregull i zakonshëm është 20-20-20. Pra çdo 20 minuta punë, shihni një objekt rreth 6 metra larg për 20 sekonda. Është vërtetuar se kjo praktikë zvogëlon simptomat e tharjes së syve, pasi shikimi larg ekranit e rivendos intensitetin normale të pulitjes së syve.

Kushtet mjedisore

Niveli i ulët i lagështisë, temperaturat e larta, rrymat e ajrit nga dritaret e hapura apo kondicionerët, tymi i duhanit dhe gradimi në maksimum i ventilatorit të ajrit, mund të jenë të dëmshme për shëndetin e syve.

Hidratimi i syve

Hedhja e disa pikave solucion në sy, mund të jenë alternativa më e mirë në ditët e punës që janë më të ngarkuara. Shmangni solucionet e kripura, pasi përbërja e tyre nuk është e njëjtë me atë të lotit. Atyre u mungojnë vajrat dhe proteinat, dhe mund të destabilizojnë atë shtesë të syrit. Opsioni më i mirë janë lotët artificialë me një dozë, të cilët nuk përmbajnë konservues dhe nuk e dëmtojnë syrin.

Mbizotërimi i ekraneve digjitale në shoqëritë tona, do të thotë se janë të zakonshme simptomat e sëmundjes së syrit të thatë. Megjithatë, nëse e përballojmë këtë problem duke ndërmarrë hapat e duhur, kjo nuk ka pse të ndikojë në cilësinë e jetës sonë.

Burimi: The Conversation. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë