Politike

Kodi Zgjedhor, Varhelyi: Rama të presë Venecian

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi përshëndeti deklaratën “mirëpritëse” të Kryeministrit Edi Rama për opinionin e Venecias në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por përsëriti thirrjen që Parlamenti të mos rrëzojë dekretin e Ilir Metës, por të presë këtë opinion.

“I kënaqur që Kryeministri (Edi Rama) mirëpret opinionin e Komisionit të Venecias mbi ndryshimet kushtetuese të korrikut. Rrjedhimisht duhet të ketë durimin që të presë (këtë opinion) para se ta dërgojë për rivotim në Parlament. Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill të 2021”, shkruan përmes Twitter, Komisioneri Varhelyi.

https://twitter.com/OliverVarhelyi/status/1321037414803083264

Një ditë më parë, Komisioneri e dha në formën e një këshille kërkesën që Parlamenti të presë Venecian dhe pastaj të miratojë Kodin e ri Zgjedhor.

“Unë besoj se Komisioni i Venecias do të sigurojë shpejt këshilla për palët e interesuara në Shqipëri mbi zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë në konsideratë pritjen për rivotim, për të marrë parasysh këtë përgjigje. Mezi pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkruan Varhelyi.

Pas kësaj këshille, përgjigja e Kryeministrit Edi Rama ndaj kësaj kërkese të Komisionerit të Zgjerimit ishte negative.

“Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga Presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i Presidentit pranohet, ose rrëzohet nga Parlamenti! Parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë. Opinioni i Venezias mirësetëvijë kur të vijë, por koha për këto zgjedhje s’pret asnjë ditë jashtë procedurave”, shkroi ai.

Rama akuzoi Metën se është angazhuar si ekstremist kundër Parlamentit dhe Qeverisë dhe e paralajmëron se ai nuk mund t’i mbajë peng këtu dy institucioneve, përveç Presidencës.

Më herët, përmes një konference për shtyp, Presidenti Ilir Meta renditi 8 pyetje që i kish drejtuar Venecias për Kodin e ri Zgjedhor që paralelisht e ktheu edhe në Kuvend për rishqyrtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë