Para

KLSH: “Gabimet” e institucioneve, 17.5 mln euro dëm për gjysmën e parë të vitit

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) llogarit nga parregullsitë dhe shkeljet financiare të institucioneve 17,5 mln euro dëm të shkaktuar buxhetit të shtetit vetëm për gjysmën e parë të vitit.

Raporti i KLSH-së tregon se shkelja e disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara është në shumën totale prej 2,3 mln lekë, afërsisht 18.3 milionë euro nga e cila: 1,1 mln lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 8,5 milionë euro; 1,2mln lekë afërsisht 9,8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve, si dhe shkelje të disiplinës buxhetore lidhur me likujdimin e shpenzimeve, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor.

Puna audituese është përqëndruar kryesisht në fushat për të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar një nivel të lartë risku.

Edhe gjatë kësaj periudhe, sipas vlerësimit të KLSH-së,  shkeljet më të mëdha me efekte të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe jo vetëm, lidhen me administrimin e të ardhurave: menaxhimin jo të kujdesshëm në procesin e përdorimit të fondeve publike; keqadministrimin e pronës shtetërore ndjekur nga paligjshmëritë proceduriale dhe ineficencat në realizimin e procedurave të prokurimit publik, si dhe shkeljet në zbatimin e legjislacionit fiskal.

Auditimet janë kryer në 34 subjekte. Auditimet janë shtrirë në institucione qendrore dhe njësi të varësisë për të patur një mbulim të kënaqshëm dhe për të garantuar një sistem menaxhimi financiar dhe kontrolli sa më efektiv. Këtu përfshihen ministritë dhe agjencitë (drejtori qendrore dhe rajonale) në varësi të tyre, organet e sistemit fiskal, shoqëritë aksionere me kapital shtetëror, në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki, komuna) si dhe projekte me financim të huaj, duke mbuluar të gjithë ciklin e veprimtarisë së tyre (të ardhurat dhe shpenzimet).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë