Rend dhe Ligj

KLP shtyn vendimin për Sheshin, pret procedurën ankimore

Fati i Bujar Sheshit për të qenë ose jo anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të varet nga procedurat që janë hapur për ankimimin e vendimit të Autoritetit të Dosjeve, si dhe nga hetimi që ka nisur për këtë çështje.

Mësohet se Sheshi veç kallëzimit penal të bërë në prokurori ka paraqitur një ankimim ndaj vendimit të Autoritetit që e shpall atë si ish-bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Ankimimi është bërë pranë këtij institucioni.

Fakti i depozitimit të kësaj ankese është bërë publik nga ana e anëtarit të AIDSSH-së, Simon Miraka gjatë një interviste televizive. “Ne do shqyrtojmë ankimimin e tij. Nëse ai sjell dokumente zyrtare, ne e hedhim poshtë vendimin tonë. Për ta rishikuar vendimin edhe një herë nuk ka asgjë të keqe. Por nuk ka asnjë indicie nga vendimi që kemi marrë”, deklaroi Miraka në Channel One.

Sipas rregullores së Autoritetit, ankimimi do të shqyrtohet sipas procedurave, por se mendohet që nisur nga debati që hapi kjo çështje, pas publikimit të vendimit të Autoritetit nga ana e Partisë Demokratike, ajo mund të shqyrtohet me përparësi.
Pas shqyrtimit të ankimit nga Autoritetit, Sheshit mund t’i lindë i drejta për ta ankimuar vendimin e AIDSSH-së në gjykatë.

“Ndaj refuzimit të Autoritetit për t’iu përgjigjur një kërkese për informacion, sipas këtij kreu, paraqitet ankim në gjykatën kompetente për gjykimin e çështjeve administrative”, thuhet në nenin 41 të ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Sipas burimeve të Gazeta "Si" mësohet se KLP nuk ka ende një qëndrim, pasi anëtari Sheshi ka ndjekur hapat ligjorë në këtë drejtim, duke nënkuptuar se vendimi do të merret vetëm pas mbylljes së këtij procesi.

Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi edhe pse nuk e përjashton mundësinë, që akuza ndaj Sheshit, mund të jetë sulm ndaj organit të drejtësisë, u shpreh se po kryhen të gjitha verifikimet përkatëse.
“Mund të jetë kështu, por nuk mund të shprehem. Këshilli është në pritje të shterrimit të procedurave ankimore dhe vetëm në shterim të këtyre procedurave do të marrë një vendim”, tha për median Ibrahimi, pas takimit të zhvilluar në shkollën e Magjistraturës.
Për këtë çështje ka dhënë mendim edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, i cili ka kërkuar transparencë për zbardhjen e procedurave hetimore ndaj prokurorit Sheshi.
"Prezumimi i pafajësisë së personit të përfshirë duhet të respektohet por nëse merret vendim duhet të bëhet në mënyrë transparente, sepse KLP duhet të vazhdojë të punojë”, theksoi Soreca.


Anëtari i KLP-së, Bujar Sheshi

Vetë anëtari i KLP-së në mbledhjen e fundit hodhi poshtë vendimin e Autoritetit, duke shprehur se “Deklaroj me përgjegjësi të plotë para jush dhe para ligjit se unë Bujar Sheshi se nuk kam qenë asnjëherë bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurimit të Shtetit, sikurse pretendon vendimi i Autoritetit të Dosjeve”. Gjithashtu Sheshi deklaroi se këto sulme nuk bëhen në adresë të tij, por edhe ndaj KLP, pasi është në prag të ngritjes së Prokurorisë Speciale, SPAK.


Vendimi i Autoritetit, furtunë institucionale
Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Gent Strazimiri deklaroi se prova më flagrante është emërimi si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë i prokurorit të Krimeve të Rënda Bujar Sheshi, duke nxjerrë dokumentin zyrtar se ai është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. PD u bazua te vendimi i Autoritetit të Dosjeve, ku theksohej se Sheshi kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në rini. Më pas, PD i nxori edhe pseudonimin prokurorit, duke akuzuar Prokurorinë e Përgjithshme se nuk ka zbatuar ligjin, pas njohjes me vendimin e Autoritetit. “Pseudonimi i atij që sot është në drejtimin e qeverisjes së re të Prokurorisë ka qenë “Venus”-i, por dashuria me Arta Markun, e cila e ka kualifikuar në kundërshtim me ligjin, ka mbaruar”, do të deklaronte Strazimiri.

Dokumenti i vendimit te Autoritetit për prokurorin Bujar Sheshi

“Z.Bujar Sheshi figuron në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor, Sektor V, drejtimi Inteligjencë-Rini, por nga verifikimet e deritanishme nuk disponojmë dokumente që vërtetojnë aktivitetin e tij. Z.Bujar Sheshi figuron të këto materiale të tij, në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, si anëtar me detyrë Hetues, në sektorin e Hetuesisë së Degëve të Punëve të Brendshme të Fierit që nga vitit 1979”, thuhet në pikën e parë të këtij vendimi.

Ndërsa në pikën e dytë përcaktohet se “z.Bujar Shehi, sipas nenit 29 të ligjit figuron të ketë materiale, në emër të tij, në dokument të ish-Sigurimit të Shtetit, si anëtar, me detyrë Hetues, në Sektorin e Hetuesisë së Degëve të Punëve të Brendshme të Fierit që në vitin 1979”.


Por anëtari i KLP-së, vendosi që të padisë në prokurori Autoritetin, drejtuesen e saj, Gentjana Sula për veprën penale të “ Falsifikimit të dokumenteve” të kryer nga personi që ka për detyre lëshimin e tyre si dhe veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga nenet 186/3 dhe 248 të Kodit Penal.

Pavarësisht këtyre veprimeve Autoriteti deklaron se i qëndron vendimit të tij, dhe se prokurori ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, pavarësisht se në dokument figuron me mbiemrin Shesha. Ky mbiemër është pranuar edhe nga vetë prokurori në deklarimin e formularit të Dekriminalizimit.

“Bëhet fjalë për një person, i cili nuk mund të jetë pjesë e institucioneve të drejtësisë së demokracisë për shkak të bashkëpunimit të tij me Sigurimin e Shtetit gjatë diktaturës. Por është e drejta e tij të ankohet në prokurori”, tha Sula.

Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se ka nisur hetim për këtë çështje për faktin se vendimi i Autoritetit është marrë disa muaj me vonesë pas shkresës së paraqitur nga organi i Akuzës. Veprimet hetimore synojnë zbardhjen e ligjshmërisë dhe vërtetësisë së vendimit të Autoritetit, ligjshmërinë e ndjekur nga Prokuroria e Përgjithshme në veprimet e saj për kandidatin Sheshi si dhe vërtetësinë e deklarimeve të këtij të fundit në formularin përkatës.

Ndërsa opozita, PD dhe LSI kërkojnë pezullimin nga detyra të kryeprokurores Arta Marku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë