Futboll

Klopp mbetet “i pakorrigjueshëm”! Roma kërkon një tjetër mrekulli

Liverpuli shkon në Romë me avantazhin e tre golave falë fitores 5-2 në Anfield, por me një “qetësi” të ngjashme zbriste edhe Barcelona në Olimpico dhe të gjithë e dinë sesi përfundoi.

Historia dhe statistikat janë në favor të skuadrës së Jurgen Klopp. Vetëm tre skuadra kanë arritur që të përmbysin disavantazhin e tre golave në një fazë me eleminim direkt në Ligën e Kampionëve. Por, njëra prej tyre është Roma dhe rasti është i freskët.

Verdhekuqtë nuk kanë pësuar asnjë gol këtë sezon të Ligës së Kampionëve në të gjitha ndeshjet e luajtura në shtëpi dhe përballë kanë patur skuadra si Chelsea, Shakhtar, apo së fundmi Barcelona.

Kjo do të thotë se nëse Liverpuli kërkon që të kalojë në finalen e madhe të Kievit do t’i duhet të djersijë dhe të mos përsërisë gabimet e Barcelonës, yjet e së cilës mbetën pa përgjigje pas një ndeshje plot energji dhe presing të skuadrës së Di Francescos, që neutralizoi Messin & Co së bashku me tiki-takan e famshme katalanase.

Shpresat e anglezëve janë që ndryshe nga Barcelona, loja e Liverpulit nuk bazohet tek qarkullimi dhe kontrolli i topit, por godijta me vertikalizime dhe pasime të shpejta në kundërsulm duke shfrytëzuar shpejtësinë e Mohammed Salah, ish-lojtar i Romës.

Jurgen Klopp pret që në Olimpico minutat e para të ndeshjes të jenë një “déjà vu” e minutave të para të asaj të zhvilluar në Anfield, kur Roma ushtroi presion, sidomos nga krahët me Kolarov dhe Florenzin.

Kjo nuk zgjati shumë, pasi sapo vendasit e kuptuan taktikën e neutralizuan atë, madje edhe përfituan nga rreshtimi me 3 mbrojtës në prapavijë i Romës, duke e ndëshkuar plot pesë herë me kundërsulme të shpejta.

Romës i duhet me patjetër që të shënojë 3 gola dhe pritet që Di Francesco të hedhë në fushë një formacion të ngjashëm me atë që bëri kundër Barcelonës, ndërsa Jurgen Klopp nuk është nga ata që i pëlqen të presë dhe të mbrohet.

Shembulli tipik është gjysmëfinalja e 2013 mes Realit dhe Borusias së Dortmundit. Verdhezinjtë udhëtonin në Bernabeu me qetësinë e fitores 4-1 në Gjermani, por sërish Klopp vendosi të sulmojë skuadrën e Mourinhos. Në pjesën e parë Dortmundi humbi dy raste të pastra për gol dhe më vonë postulati “po nuk shënove do të pësosh” u realizua.

Reali gjeti dy herë rrjetën, por nuk arriti tek goli i tretë, që do ta çonte në finalen e madhe të Wembleyt kundër Bayern Munchen.

Të njëjtën filozofi loje Klopp aplikon edhe me Liverpulin dhe nuk pritet që të mërkurën në mbrëmje ndaj Romës “The Reds” të qëndrojnë duarkryq në gjysmëfushën e tyre.

Why are generics usually much cheaper


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë