Biznes

Klima e biznesit, Shqipëria në vendet e fundit në Europë

Shqipëria renditet në tre vendet e fundit europiane sa i takon klimës së të bërit biznes. Dhoma Europiane e Tregtisë, që përmbledh në vetvete mbi 20 milionë kompani sipërmarrjeje përmes 43 dhomave kombëtare të tregtisë publikoi raportin për 2020.

Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet në vendin e 44-t nga 46 vende që janë marrë në analizë. Sipas “European Chamber”, vendi ynë së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe me Francën kanë pësuar rënien më të madhe në klimën e të bërit biznes në krahasim me 2019.

Shqipëria lë pas në këtë renditje vetëm Bosnje Hercegovinën, ku prej më shumë se dy vitesh ka një përplasje politike mes drejtuesve serbë, boshnjakë dhe kroatë në këtë vend dhe Ukrainën, e përfshirë nga konflikti në Lindje të saj.

Maqedonia e Veriut ka rënë me pesë vende, duke u zhvendosur nga vendi i 31-të në vendin e 36, ndërsa Shqipëria ka rënë me dy vende në krahasim po me 2019-ën.

Kjo rënie e Shqipërisë në klasifikimin e “European Chamber” mund të parashikohej, nisur nga fakti që raporti hartohet përmes analizimit të raporteve të mëhershme të Bankës Botërore dhe të “Transparency International”.

Në të dyja këto raporte, si në raportin “Doing Business” të Bankës Botërore, ashtu edhe në raportin e “Transparency International”, Shqipëria ka pësuar rënie.

Shqetësimin për përkeqësimin e klimës së biznesit e ngriti edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, që në fillim të muajit gusht në një takim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Ndërkohë, në krye të listës së vendeve me klimën më të mirë të të bërit biznes në Europë vazhdojnë të qëndrojnë vendet nordike, si Danimarka, Suedia, Norvegjia dhe Finlanda. Vendet me përmirësimin më të madh të klimës për 2020 në krahasim me 2019 janë Armenia dhe Gjeorgjia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë