Organizata ndërkombëtare Transparency International publikon raportin mbi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, i cili vlerëson se mbi dy të tretat e vendeve janë në stanjacion ose duke shënuar hapa prapa në përpjekjet antikorrupsion. Raporti që përfshinë 180 vende të botës përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku me zero tregon për një vend shumë të korruptuar.
Shqipëria është e renditur në vendin e 106-të, duke zbritur shtatë shkallë. Një rezultat që shënon një përkeqësim në indeksin e luftës kundër korrupsionit. Shqipëria është e fundit në rajonin e Ballkani, ku edhe Bosnje-Hercegovina është më lart. Kosova, në indeksin e sivjetshëm, radhitet e 101-ta me 36 pikë. Ky rezultat do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin e mëparshëm, kur ka qenë në vendin e 93-të, me 37 pikë. Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmirësim të lehtë në luftën kundër korrupsionit ka shënuar vetëm Mali i Zi. Në indeksin e këtij viti të organizatës Transparency International, ky vend radhitet në vend të 66, krahasuar me pozitën 67 që ka pasur një vit më parë. Bosnje dhe Hercegovina sivjet radhitet në të njëjtën pozitë si Kosova, 101, ndërsa vitin e kaluar ka qenë e 89-ta. Serbia ka rënë nga vendi 87 në 91.
“Mungesa e përparimit të vërtetë në luftën kundër korrupsionit, në shumicën e vendeve, është zhgënjyese dhe ka efekte të thella negative për qytetarët në mbarë botën”, tha Patricia Moreira, drejtore menaxhuese pranë organizatës Transparency International. Ajo thekson se “Për të pasur ndonjë shans për t’i dhënë fund korrupsionit dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve, ne duhet t’i trajtojmë marrëdhëniet midis politikës dhe parave të mëdha. Të gjithë qytetarët duhet të përfaqësohen në vendimmarrje”. Për të ulur korrupsionin dhe për të rikthyer besimin në politikë, Transparenca Ndërkombëtare rekomandon për qeveritë: “Forcim i kontrolleve dhe ekuilibrave, dhe promovim të ndarjes së pushteteve; trajtimi preferencial për të siguruar që buxhetet dhe shërbimet publike nuk drejtohen nga lidhje personale ose nuk janë të njëanshme drejt interesave të veçanta; Kontrolli i financimit politik për të parandaluar paratë e tepërta dhe ndikimin në politikë; Menaxhimi i konflikteve të interesit; Rregullimi i aktivitetit të lobimit duke promovuar qasje të hapur dhe kuptimplote në vendimmarrje; Forcimi i integritetit zgjedhor dhe parandalimi dhe sanksionimi i fushatave dezinformuese; Fuqizimi i qytetarëve dhe mbrojtja e aktivistëve, njoftuesve dhe gazetarëve”.
Sa i përket Kosovës, raporti TI-së thekson se shpreson se qeverisja e re e Vetëvendosjes ka shansin të dëshmojë në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, shton Transparency International, mbetet të shihet nëse qeveria e re do të sigurojë një standard më të lartë të integritetit politik. “Ajo mund ta bëjë një gjë të tillë duke braktisur praktikën e zakonshme të emërimeve politike në ndërmarrjet shtetërore dhe duke vendosur një detyrim të fuqishëm ligjor për partitë politike që të zbulojnë financat e tyre”, thekson Transparency International.
Reagimi i PD-së
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha reagoi ndaj raportit të nxjerrë nga TI-ja, duke deklaruar se kjo fakton se “degradimi i skajshëm dhe kriminalizimi kapilar i qeverisjes Rama, është një realitet i hidhur që provohet qartë nga raportet më të besueshme profesionale të organizatave prestigjioze ndërkombëtare sikurse është Transparency International. Korrupsioni i kësaj qeverie po shkatërron ekonominë dhe po na kalb atdheun”.
Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të realizuar nga kjo organizatë, për shkak të qeverisjes aktuale, Shqipëria po pëson një përkeqësim dramatik të gjendjes së korrupsionit duke zbritur edhe 7 vende të tjera vetëm gjatë vitit të fundit.
“Në mesin e 180 shteteve të marra në shqyrtim për nivelin e integritetit, Shqipëria renditet në vendin e 106-të, në të njëjtin nivel me vende si Bregu i Fildishtë apo Mongolia. Ja pse i duhet qeverisë Rama paketa ligjore “Anti-Fjalës së Lirë”, për të penguar daljen në shesh të korrupsionit masiv qeveritar që po përmbyt Shqipërinë”, shkruan Basha.
Partia Demokratike më herët reagoi nëpërmjet ish-deputetes Jorida Tabaku, e cila thekson se ky raport dëshmon realitetin e Shqipërisë përballë korrupsionit. “Shqipëria është vendi ku 1 në 3 tendera jepen në mënyrë abuzive, ku ligjet dhe taksat shkruhen në zyrat e oligarkëve në shërbim të interesit të tyre personale dhe jo qytetarëve. Pikërisht nën këto standarde ne sot gjendemi të renditur më keq dhe kjo renditje dëshmon realitetin e Shqipërisë përballë korrupsionit” thotë Tabaku.
Demokratja thekson se Shqipëria nuk ka më luksin të vuajë pasojat e keqqeverisjes dhe sipas saj, ka ardhur koha që kumbarëve të korrupsionit t’u japim goditjen e merituar.
“Ka një rrugë për të shpëtuar nga sistemi korruptiv që është instaluar në Shqipëri. Beteja për tregun e lirë, konkurrencën e ndershme në këtë treg, heqjen e çdo kontrolli që sjell barrë mbi biznesin, ndërtimin e institucioneve përgjegjëse. Një qeveri që nuk e komandojnë zyrat juridike të oligarkëve por që i harton ligjet në shërbim të qytetarëve. Mundësi për bizneset e vogla dhe jo rregullatorë dhe barriera për to në shërbim të bizneseve të mëdha, reformë e plotë zgjedhore që rregullon financimin e partive politike dhe transparencë në tenderët dhe koncesionet”, thekson Tabaku.
Rekomandimet TI për qeveritë
Forcim i kontrolleve dhe ekuilibrave, dhe promovim të ndarjes së pushteteve
Trajtimi preferencial për të siguruar që buxhetet dhe shërbimet publike nuk drejtohen nga lidhje personale ose nuk janë të njëanshme drejt interesave të veçanta
Kontrolli i financimit politik për të parandaluar paratë e tepërta dhe ndikimin në politikë
Menaxhimi i konflikteve të interesit
Rregullimi i aktivitetit të lobimit duke promovuar qasje të hapur dhe kuptimplote në vendimmarrje
Forcimi i integritetit zgjedhor dhe parandalimi dhe sanksionimi i fushatave dezinformuese
Fuqizimi i qytetarëve dhe mbrojtja e aktivistëve, njoftuesve dhe gazetarëve
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.