Ekonomi

Të bësh biznes në Shqipëri është më vështirë se më parë

Doni të bëni biznes? Në Shqipëri është më keq se një vit më parë!

Ky është me pak fjalë përfundimi i raportit të fundit të Bankës Botërorë “Doing Business 2020”.

Në këtë raport Shqipëria renditet e 82-ta nga 190 ekonomi të analizuara për të bërit biznes, por ajo që shqetëson është rënia me 19 vende nga viti i kaluar.
Shqipëria është në vendin e tretë nga fundi ndër vendet e Europës, dhe e fundit në rajon.
Një vit më parë, Shqipëria mbante vendin e 63-të.Pas vitit 2013-të Shqipëria ka patur luhatje në renditjen e këtij raporti. Në 2014 është renditur e 90-ta, në 2015-ën e 68-ta, një vit më pas e 97-ta, në vitin 2017-të e 58-ta, në 2018-ën e 65-ta.

Banka Botërore në pjesën për Shqipërinë evidenton faktin se reformat kanë ndikuar që në Shqipëri është më e lehtë të bësh biznes gjatë vitit të fundit, por ndryshimet e shpeshta ligjore e vështirësojnë punën e sipërmarrjes në Shqipëri.

Performanca më e dobët për ekonominë shqiptare i faturohet lejeve të ndërtimit, duke na renditur në vendin e 166-të në botë, nga vendi i 151-të i një viti më parë. Mbrojtja ndaj investitorëve të minoritetit shfaq rënie drastike si tregues.

Për këtë tregues nga vendi i 26-të në botë vitin e kaluar, renditemi këtë vit në të 111-tin. Edhe tregeusi i kontratave, ka pësuar përkeqësim të madh.

Për pagimin e taksave renditemi në vendin e 123-të në botë, kurse për hapjen e një bizneis në vendin e 53-të nga vendi i 50-të një vit më parë.

Përmirësim kemi vetëm në përfitimin e energjisë, nga vendi i 140-të në të 107-tin.
Mes 10 treguesëve rezultojmë të jemi përmirësuar vetëm në një.

Çfarë është e re në studimin e këtij viti?

Të bësh biznes 2020 përmban tre studime të rastit — për reformat rregullatore të biznesit në katër grupe treguesish (fillimi i një biznesi, marrja e kredisë, pagimi i taksave dhe zgjidhja e falimentimit), mbi kontratat me qeverinë dhe punësimin e punëtorëve. Studimi i rastit mbi reformat analizon ndryshimet e rëndësishme rregullatore të zbatuara nga qeveritë që nga fillimi i këtij viti.

Ndër ndryshimet më të zakonshme rregullatore gjatë 17 viteve të fundit janë thjeshtimi i kërkesave për të krijuar një kompani, lehtësimi barrës fiskale dhe rritja e respektimit ndaj taksave, rritja e aksesit në kredi dhe zhvillimi i qëndrueshëm i bizneseve.

Një tregues i rëndësishëm është edhe efikasiteti i prokurimit publik. Në të gjithë botën, prokurimi publik përbën mesatarisht 10-25% të PBB, dhe qeveritë harxhojnë 10 trilion dollarë për kontratat publike çdo vit. Efikasiteti i procesit ndryshon në mënyrë të konsiderueshme; aktualisht, nuk ka të dhëna globale për të krahasuar praktikat e tilla.

Të bërit biznes analizon disa dimensione të rëndësishme të mjedisit rregullator që prekin firmat vendase. Ai siguron tregues sasiorë për rregullimin për fillimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, përfitimin e energjisë elektrike, regjistrimin e pronës, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve të pakicave, pagimin e taksave, tregtimin përtej kufijve, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e falimentimit. Të bësh biznes gjithashtu mat aspektet e punësimit të punëtorëve dhe kontratave me qeverinë (prokurimin publik), të cilat nuk përfshihen në renditje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë