Rend dhe Ligj

KLGJ vendos kualifikimin për emërim të 17 kandidatëve për magjistratë

Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaron se pas verifikimeve, ka vendosur kualifikimin për emërim të shtatëmbëdhjetë kandidatëve për magjistratë, të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2019-2020.

Me anë të një njoftimi për mediat, KLGJ thekson se me këtë vendimmarrje, Këshilli hap rrugën për caktimin e vendeve vakante në gjykatat e rretheve të vendit si dhe emërimin e shpejtë të tyre, me qëllim evadimin e çështjeve gjyqësore si dhe shërbimin në kohë, me cilësi dhe profesionalizëm ndaj qytetarëve.

“Në vijim të shqyrtimit të kandidaturave për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, Këshilli vendosi kualifikimin e magjistratëve znj.Klodiana Veizi dhe z.Enton Dhimitri, si dhe vijimin  e procedurave të mëtejshme të emërimit.

Gjithashtu pas shqyrtimit të kushteve dhe kritereve ligjore për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Këshilli vendosi kualifikimin e magjistrates znj.Daniela Shirka si dhe vijimin e procedurave të mëtejshme të emërimit”, thuhet në njoftimin e KLGJ-së.

Në përfundim Këshilli diskutoi mbi verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për emërimin si gjyqtar në Gjykatën e Lartë të kandidatit të katërt nga radhët e juristëve të spikatur, shqyrtimi i te cilit u shty për një mbledhje tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë