Ka ndodhur

KLGJ i dërgon Metës 4 emrat për anëtarë të Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë duket se po shkon drejt funksionimit të plotë për t’u kompletuar me 7 anëtarë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i ka propozuar Presidentit të Republikës katër gjyqtarët e parë nga radhët e sistemit gjyqësor për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë, krahas tre gjyqtarëve të emëruar në Mars 2020 nga radhët e juristëve të spikatur.

Ata janë: Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi.

Ky propozim, sipas KLGJ, çon një hap më përpara përmbushjen e një prioriteti kombëtar dhe të integrimit evropian për funksionalizimin e plotë të kësaj gjykate.

“Me miratimin e udhërrëfyesit për efikasitetin e Gjykatës së Lartë, Këshilli ka avancuar me prioritet përpjekjet që Gjykata e Lartë të rifitojë kuorumin e nevojshëm  për adresimin e çështjeve të prapambetura si dhe për të çuar më tej objektivat thelbësore të reformës në drejtësi përmes konsolidimit të një gjyqësori plotësisht të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm, efikas dhe profesional”, - thuhet në njoftimin e KLGJ.

Ajo nënvizon se emërimi i këtyre gjyqtarëve të rinj, të cilët e kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar, është një garanci për përmbushjen me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm te sfidave të reja dhe, mbi të gjitha,  nevojës për të rritur besimin e qytetarëve shqiptarë në sistemin gjyqësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë